Muaji Muharem ka disa veçori. Prej veçorive më të theksuara:
-Është një nga muajt e shenjtë. Allahu subhanehu ue teala, thotë: “Tek Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj)…”. (Et-Teube: 36).
Ebu Bekrete, radijallahu anhu, tregon se Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Viti është dymbëdhjetë muaj; prej tyre katër janë të shenjtë. Tre muaj janë njëra pas tjetrës: Dhul-Kade, Dhul-Hixhe dhe Muharem, kurse Rexhebi është mes Xhumadel-Uhra dhe Shabanit”. (Buhariu).
-Është muaj i hixhretit. Në këtë muaj, 13 vjet pas fillimit të shpalljes së Kur’anit, ndodhi një nga ngjarjet më madhështore të historisë Islame. Ngjarje, e cila rezultoi me formimin e shtetit të parë Islam në Medinë. Qytet ky, i cili ishte dhe mbeti burim i udhëzimit sot e asaj dite.
Në kohën e udhëheqjes së Omerit, radijallahu anhu, me dëshirë që muslimanët të kenë kalendar në vete, u vendos që data e kësaj ngjarje të vendoset si datë e numërimit të muajve dhe viteve për muslimanët.
-Në këtë muaj gjendet dita e Ashurasë. Është dita e dhjetë e këtij muaji. Këtë vit bie në datën 29 Janar – e hënë. Ibën Abbasi, radijallahu anhu, tregon: Kur erdhi Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, në Medinë, pa çifutët duke e agjëruar ditën e Ashurasë. I pyeti: ا’është kjo që veproni? Thanë: Kjo është një ditë e mirë; në këtë ditë Allahu ka shpëtuar izraelitët nga armiku i tyre, edhe e ka agjëruar Musai, alejhis-selam. Tha: Unë jam më meritor për Musain sesa ju; dhe e agjëroi, pastaj urdhëroi muslimanët ta agjërojnë këtë ditë”. (Buhariu).
Po ashtu Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, për t’i kundërshtuar çifutët në këtë adhurim, tha: Në vitin e ardhshëm, me lejen e Allahut, do të agjërojmë edhe ditën e nëntë. (Muslimi).
Pra, krahas agjërimit të ditës së dhjetë duhet të agjërojmë edhe ditën e nëntë (28 Janar), me qëllim që ta praktikojmë sunetin ashtu si ka dëshiruar Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, por nuk mundi ta realizojë për shkak se kishte ndërruar jetë në vitin e ardhshëm.
Për këtë agjërim Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Agjërimi i ditës së ashurasë, shpresoj se i shlyen mëkatet që janë bërë në vitin që ka kaluar”. (Muslimi 1976).
-Është muaj ku mund të bëjmë agjërim vullnetar. Krahas ditës së Ashurasë, është shumë e pëlqyeshme edhe agjërimi i ditëve tjera të këtij muaji. Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pas Ramazanit, agjërimi më me vlerë është agjërimi i muajit Muharem” (Muslimi 1982). Pra, para apo pas ditës së Ashurasë mundemi të agjërojmë sa të mundemi, por jo tërë muajin, ngase këtë nuk e bëri Resulullahu, salallahu alejhi ue selem.
Allahu na dhëntë sukses në çdo të mirë.
Burimi: albislam.com