SHENJAT E PËRFUNDIMIT TË KEQ

SHENJAT E PËRFUNDIMIT TË KEQ

0 6140

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e humbë dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveçse Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju musliman,

Pasi që vendbanimi i robit pas vdekjes së tij është i fshehtë për krijesat dhe dituria është vetëm tek Allahu, nuk i takon askujt që të gjykojë për një krijesë të Allahut se a është banor i xhenetit apo i xhehenemit. Përjashtim bëhet vetëm për ata për të cilët na kanë ardhur citate të qarta prej Kurani dhe Suneti se janë banorë të xhenetit apo xhehenemit. Mirëpo pasi që përfundimi i njeriut sipas të dhënave të mbledhura si pasojë e vëzhgimeve të drejtpërdrejta është bërë tregues i asaj se robi a shpresohet të jetë prej banorëve të xhenetit apo të xhehenemit, neve na lejohet që disa njerëz t’i përgëzojmë dhe të shpresojmë për ata xhenetin e për disa të frikohemi dhe të shpresojmë rahmetin, sipas asaj çka ka vepruar robi i Allahut.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Ka prej jush që punojnë vepra të banorëve të xhenetit (sipas asaj çka e shohin njerëzit) mirëpo ata janë prej banorëve të xhehenemit. Ka prej jush që punojnë vepra të banorëve të xhehenemit, mirëpo ata janë prej banorëve të xhenetit. Veprat shpërblehen sipas përfundimit të saj”.

Ibën Batal, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Në fshehtësinë e përfundimit të veprave prej robit gjejmë urtësi të madhe. Po ta dinte robi i Allahut se do të jetë prej të shpëtuarve do t’i hynte vetja në qejf  dhe do ta braktiste punën. Po ashtu po ta dinte se do të jetë prej të shkatërruarve do ta braktiste punën dhe do t’i shtonte veprat e shëmtuara. Prandaj u fsheh kjo dituri prej tij që ai gjithmonë të jetojë mes shpresës dhe frikës”.

Ky ishte shkaku se pse njerëzit e mirë frikoheshin prej përfundimit të keq. Ata përpiqeshin që gjithmonë të kenë mendim të mirë për Allahun, të veprojnë vepra të mira dhe ato të jenë të vazhdueshme.

Malik ibën Dinar, Allahu e mëshiroftë, falte namaz tërë natën, e kapte mjekrën e tij dhe thoshte: “O Zot, Ti i di banorët e xhenetit dhe banorët e xhehenemit, ku do të jetë vendbanimi i Malikut?

Sufjan Theurijut,  Allahu e mëshiroftë, kur iu afrua vdekja filloi të qajë dhe njëri prej tyre që ishte prezent i tha: “O Sufjan a qan për shkak mëkateve të shumta që i veprove? –Tha: Jo, por frikohem se mos po më rrëmbehet imani para vdekjes”.

Pasi që çështja e përfundimit qenka e madhe njeriut i takon të kujdeset për llogaritjen e vetvetes dhe të paralajmërohet prej mashtrimeve të epshit e shejtanit dhe të nxitojë kah pendimi i sinqertë. Çdo shkujdesje dhe neglizhencë prej anës së tij do të jetë pendim e mallkim dhe akuzat për këtë gjendje nuk duhet t’i drejton askujt tjetër përveç se në adresën e tij.

O ju musliman,

Pamjet e momenteve të vdekjes janë prej gjendjeve më të rënda për njeriun. Dhembjet e saj janë të rënda e mundimet të papërshkrueshme. Robi nëse do ishte qenë prej tyre që e pastrojnë shpirtin me vepra të mira dhe e përmirësojnë të brendshmen dhe të jashtmen e tyre për hir të Allahut, për të shpresohet përfundim i mirë. Nëse do ishte prej tyre që i bëjnë padrejtësi vetes me mëkate e gjynahe përfundimi i tij frikohet se nuk do të jetë i mirë. Allahu askujt nuk i bën padrejtësi, i jep atij çka do me mëshirën e Tij dhe i merr atij çka do me drejtësinë e Tij.

Imam Abdulhak el Ishbilij,  Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dije se përfundimi i keq nuk është përveçse për atë i cili mendjen e ka të shëmtuar dhe këmbëngul në veprimin e mëkateve të mëdha e shkatërruese, më e keqja është kur sprovohet me këtë sprovë para se të vdesë dhe nuk ka mundësi të pendohet, Allahu na ruajt prej kësaj gjendje. Belaja më e madhe është kur njeriu është i përqendruar në fe e pastaj i ndryshohet gjendja, fillojnë mëkatet t’i duken të mira e t’i veprojë dhe kjo të bëhet shkak i përfundimit të tij të keq, Allahu na ruajt: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. Kur Ai dëshiron ta ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës.” Rad 11. Ndoshta ndonjë lloj i mëkatit apo shpifjes në ato momente të vështira bëhet shkaktar për marrjen e zemrës së tij, robërimin e mendjes së tij, fikjen e dritës së tij, i vendoset perde, nuk i bën dobi rikujtimi e as këshilla, dëgjon zërin i cili ia përsërit shehadetin por nuk e kupton qëllimin e tij dhe vdes në këtë gjendje të mjerueshme e cila është shenjë e përfundimit të keq të tij”.

Imam el Ishbilij, Allahu e mëshiroftë, pastaj e cek një rast të një përfundimi të keq dhe thotë: “Përcillet se në Egjipt jetonte një njeri i cili ishte muezin dhe imam xhamie dhe të gjithë e njihnin si njeri i devotshëm. Një ditë u ngrit lartë në minare për ta thirrur ezanin, ndërsa poshtë minares afër xhamisë ishte shtëpia e një të krishteri. Shikoi në brendësinë e asaj shtëpie, e pa një vajzë të bukur me të cilën u sprovua, e la ezanin zbriti poshtë dhe hyri në shtëpinë e asaj vajze.  Vajza i tha: Çka dëshiron prej meje? – Ky i tha: Të dëshiroj ty. – Vajza e pyeti: Pse? –Iu përgjigj: Ma rrëmbeve zemrën dhe ma rrëmbeve shpirtin. – Vajza i tha: Asnjëherë nuk do të bëhem e jotja. – Ky ia ktheu: Atëherë do të martoj. – Vajza: Ti je musliman e unë e krishterë. Babai im nuk do të më martojë asnjëherë për ty. –Tha: Atëherë unë do të bëhem i krishterë. – Vajza: Bëhu dhe do të martohem për ty. – U bë i krishterë për ta martuar atë vajzë, atë ditë qëndroi në shtëpinë e saj dhe po të njëjtën ditë doli në tarracë të shtëpisë ku edhe ra prej saj dhe vdiq. E humbi vajzën, e humbi fenë, e humbi ahiretin dhe Allahu ia mori shpirtin si jobesimtar për shkak se epshin e tij e bëri Zot”.

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell se një njeriut i është thënë në prag të vdekjes: Thuaj: La ilahe il-lallah, ai ka thënë: Nuk më bën dobi mua kjo fjalë, unë nuk di që kam falur për Allahun ndonjë namaz? Dhe nuk e ka shqiptuar këtë fjalë.

Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Abdulaziz ibën Ebi Revad, Allahu e mëshiroftë, i cili ka thënë: Kam prezantuar tek një njeri i cili ishte në agoninë e vdekjes dhe ia përkujtonin atij fjalën La ilahe il-lallah, dhe në fund ai nuk e shqiptoi këtë fjalë dhe tha unë e mohoj këtë që e thua dhe vdiq në këtë gjendje. Thotë transmetuesi kam pyetur për të çfarë ka bërë: Mu përgjigjën se ai ka qenë i dhënë pas alkoolit. Abdulaziz ibën Ebi Revad thoshte: Frikësohuni nga mëkatet sepse këto janë ato që e kanë sjellë në këtë situatë.

Dhe të ngjashme si kjo e përmend Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: Ka qenë një njeri i cili ulej me ata që pinin alkool, pasi që i erdhi vdekja erdhi një njeri ia kujtonte shehadetin kurse ai i tha atij: Pi ti pastaj më jep të pijë edhe unë, pastaj vdiq. Një rast tjetër që e përmend Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij El Kebair (Mëkatet e mëdha) se një njeri i cili luante shah kur ishte në agoni të vdekjes, i është thënë atij, thuaj: La ilahe il- lallah, ai tha: Luaj ti, pastaj vdiq, e mundi gjuha e tij me atë që e kishte kaluar tërë jetën e tij dhe në vend se ta thotë fjalën e teuhidit (La ilahe il-lallah) ai tha luaj ti.

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, gjithashtu e përmend se një person ishte i njohur me dashurin ndaj këngës dhe muzikës dhe ngado që shkonte i përsëriste ato dhe kështu pasi që i erdhi agonia e vdekjes i është thënë atij: Thuaj: La ilahe il lallah, ai filloi të këndonte derisa vdiq dhe nuk e shqiptoi fjalën e teuhidit.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, po ashtu thotë më kanë treguar disa tregtarë për një të afërm të tyre kur i erdhi agonia e vdekjes, njerëzit përreth tij filluan t`ia kujtojnë fjalën: La ilahe il-lallah, kurse ai thoshte: Ky mall kushton kaq, ky mall është i lirë, ky myshteri është i mirë derisa vdiq dhe nuk e shqiptoi shehadetin.

Një tjetrit i thonin thuaj la ilahe il-lallah. Thonte: Ah, ah, nuk mundem ta shqiptoj.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, u përpoq t’i komentojë tregimet që i përmendëm me herët, dhe tha: “I Lartësuar qoftë Allahu, kjo çfarë kanë parë njerëzit është mësim për ata që kanë mendje? Kur njeriu është në gjendje të mirë shëndetësore, i fortë dhe i fuqishëm shejtani mundohet ta mbizotërojë atë dhe ta fusë në mëkate ndaj Allahut të Madhëruar, e bën atë që zemra e tij të jetë e pakujdesshme në përmendjen e Allahut, e bën që të harron ta përmend Allahun me gjuhën e tij dhe e bën që ta largojë nga adhurimet e gjymtyrëve, kjo kur është njeriu i fortë dhe i fuqishëm, atëherë si mendon ti kur njeriut i bie kjo forcë, dobësohet dhe plaket? Në kohën kur ky njeri fillon të ndiej dhimbje në trupin e tij dhe fillon të ankohet për dhimbjet që i ndien, në këtë situatë shejtani i mallkuar e përmbledh të gjithë fuqinë dhe synimin e tij për ta fituar këtë person dhe për ta kthyer nga ai dëshiron, shejtani është shumë i fortë në këtë gjendje kurse personi në fjalë është më së ligështi në këtë gjendje prandaj vështir është që të shpëtojë ky njeri në këtë situatë përveç atyre që i forcon Allahu. Allahu, azze ue xhel, thotë: Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë”. Ibrahim 27.

Përfundimi i keq është dy shkallë, Allahu na ruajt prej tij:

E para: Është përfundim shumë i keq dhe i tmerrshëm, ky përfundim është kur në prag të vdekjes e kap njeriun dyshimi, mohimi, kufri dhe të folurit diç që është në kundërshtim me atë që ka zbritur Allahu apo ka treguar Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem.

E dyta: Është më e vogël se kjo e para: Kjo është kur në prag të vdekjes njeriu fillon të dëshirojë ndonjë gjë prej gjërave të dynjasë, apo ndonjë dëshirë prej dëshirave të ndaluara dhe kjo i shfaqet atij në momentin e vdekjes në zemrën e tij, njeriu vdes në atë gjendje çfarë ka jetuar, nëse ka qenë nga ata që ka dhënë kamatë ai do të përfundojë me këtë mëkat të madh, nëse ka qenë nga ata që ka vepruar harame të tjera si p.sh.: Drogë, muzikë, cigare dhe fotografi pornografike, u ka bërë padrejtësi njerëzve e të ngjashme si këto përfundimi i tij do të jetë i keq, Allahu na ruajt. Mirëpo nëse është nga ata që kanë qenë njësues të Allahut ata do të jenë të mbrojtur nga dënimi i Allahut.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili i shumëfishon veprat, i falë mëkatet dhe e pranon pendimin e robit. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju musliman,

Pasi që përfundimi i keq është çështje e rrezikshme për jetën e njeriut na detyrohet t’i njohim disa prej shkaqeve më kryesore të cilat na drejtojnë nga ajo me qëllim që t’i largohemi dhe mos t’i afrohemi.

– Prej shkaqeve të përfundimit të keq është: Braktisja e ahiretit dhe dashuria ndaj dynjasë.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?” (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar. Kështu e ndëshkojmë Ne atë që e tepron (me gjynahe) dhe nuk beson shenjat e Zotit të tij; e dënimi në jetën tjetër, në të vërtetë, është më i ashpër dhe më i qëndrueshëm”. Taha 124-127.

Imam Abdulhak el Ishbilij,  Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dije, Allahu të mëshiroftë, se përfundimi i keq ka shkaqe, mënyra dhe rrugë. Më kryesorja është dashuria ndaj dynjasë, braktisja e ahiretit dhe bërja e mëkateve”.

– Prej shkaqeve të përfundimit të keq po ashtu është: Lënia e pendimit për më vonë, vazhdimësia në mëkate dhe mospërfillja e detyrimeve.

Shumë njerëz pretendojnë se do të pendohen prej mëkateve, por kur? Beqari thotë do të pendohem kur të martohem. Studenti thotë do të pendohem kur t’i përfundoj studimet. Fukaraja thotë do të pendohem kur të punësohem. I riu thotë do të pendohem kur të plakem dhe kështu me radhë, secili e cakton një afat kohor se kur do të pendohet. Mirëpo i parashtrohet pyetja të gjithëve se kush ju garanton se do ta mbërrini realizimin e këtyre shpresave? A nuk frikoheni se Allahu do t’jua marrë shpirtin para se t’i realizoni shpresat e juaja? Po edhe nëse e mbërrini atë afat kohor që e dëshironi, kush ju garanton se do të pendoheni kur dihet se jetën e keni kaluar në mëkate dhe epshe, të cilat në shumicën e rasteve janë shkak i rrotullimit të zemrës dhe shkatërrimit të saj? Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë”! Enfal 24.

Allahu, azze ue xhel, thotë : “Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet e tyre nga e vërteta”, e pastaj e qartëson shkakun e këtij largimi ku thotë: “sepse ata nuk e besuan atë (Kuranin) herën e parë”. Pra shkaku i saj ishte refuzimi i të vërtetës kur iu erdhi herën e parë, e pastaj thotë: “Ne do t’i lëmë ata që të bredhin të verbër në humbje e mosbesim”. Enam 110.

Allahu e mallkon një popull të cilin e mashtrojnë shpresat dhe i braktisin punët e ahiretit, e pastaj kur i vjen exheli ata janë në shkujdesje. Allahu, azze ue xhel,thotë: “Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin muslimanë. Lëri ata që të hanë e të kënaqen dhe le t’i mashtrojë shpresa; ata do ta marrin vesh”! Hixhr 2-3.

Ali ibën Ebi Talib, radijallahu anhu, thotë: “Frikohem për ju prej dy gjërave: Prej shpresës së gjatë dhe pasimit të epshit. Shpresa e gjatë është shkak për harrimin e ahiretit, kurse pasimi i epshit të largon prej të vërtetës”.

– Prej shkaqeve të përfundimit të keq po ashtu është: Dashuria ndaj mëkateve.

Njeriu kur vazhdon të bëjë mëkate dhe nuk nxiton që të pendohet prej tyre, ia dobëson zemrën dhe ia mbisundon mendjen në momentet e fundit të jetës që të mos pendohet prej saj. Allahu shpirtin ia merr në këtë gjendje dhe kështu do të ringjallet Ditën e Kiametit.

Xhabiri, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo rob do të ringjallet ashtu siç ka vdekur”.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mëkatet dhe pasionet e zhgënjejnë vepruesin e tyre para vdekjes së bashku me shejtanin dhe kështu që kur i shtohet edhe besimi i dobët në ato momente, atëherë prite përfundimin e keq”.

– Prej shkaqeve të përfundimit të keq po ashtu është: Veprimi i risive, pasimi i atyre që i veprojnë ato dhe mbrojtja e saj me të gjitha mënyrat e mundshme.

Imam el Kazuinij, Allahu e mëshiroftë, kur flet për përfundimin e keq thotë: “Përfundimi i keq ka shkaqe të shumta, mirëpo më të rënda dhe më së shumti që duhet të frikohemi janë dy gjëra:

E para: Risia e rrënjosur në zemrën e vepruesit të saj, i cili tërë jetën e vepron duke menduar se ajo është e vërtetë, mirëpo në fakt ajo është e kotë.

E dyta: Besimi i dobët, dashuria ndaj dynjasë e cila e mbisundon zemrën e njeriut dhe dashuria e dobët ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Atë të cilin epshet dhe pasionet e udhëheqin tërësisht do ta urrejë fenë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do ta urrejë përmendjen e vdekjes dhe momentin e saj, do ta urrejë largimin prej kësaj bote dhe takimin me Allahun. Në këtë rast kemi frikë për të se do t’i largohet besimi prej gjoksit të tij.

Pasi që i përmendëm shkaqet e përfundimit të keq detyrohemi që ta angazhojmë veten me adhurime dhe devotshmëri, t’i largohemi mëkateve dhe asaj çka e ka ndaluar Allahu, të lutemi vazhdimisht që përfundimi i jonë të jetë i mirë dhe të kemi mendim të mirë për Allahun.

Abdullah ibën Amër, radijallahu anhu, na përcjell se e ka dëgjuar Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Të gjitha zemrat e bijve të Ademit janë në mes dy gishtave prej gishtave të Allahut sikurse një zemër e vetme, i rrotullon nga të dojë”

Dhe pastaj ka thënë: “O Ti i cili i rrotullon zemrat, forcona zemrat tona në nënshtrim ndaj Teje”

E lus Allahun, azze ue xhel, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na mbrojë prej përfundimit të keq dhe gjithë rrugëve të cilat na drejtojnë nga ajo dhe të na mundësojë të vdesim ashtu siç dëshiron Allahu prej robit të Tij.

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

Literaturë e konsultuar:

1- Husnul hatimeh ue su’uha – Dr. Halid Shajia

2- Su’ul hatimeh – Dr. Emin Shekaui

3- Su’ul hatimeh – Dr, Abdulaziz Sed’han

GJITHASHTU NË ALBISLAM