A duhet t’i mbulojë femra këmbët në namaz?

A duhet t’i mbulojë femra këmbët në namaz?

0 3547

Pyetje: A duhet t’i mbulojë femra këmbët në namaz?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut, lavdia dhe bekimi i tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:

Për sa i përket mbulimit të trupit përveç fytyrës, duarve dhe këmbëve, të gjithë dijetarët mendojnë se është detyrim i prerë për femrën. Mospajtimi  ka ngjarë rreth mbulimit të këmbëve dhe duarve për femrën në namaz. Do të shtjellojmë vetëm çështjen e mbulimit të këmbëve.

Mendimi i parë: është obligim mbulimi i këmbëve për femrën në namaz. Ky është mendimi i Euzaiut, Ebu Theurit, transmetim tek hanefijtë, malikijtë, shafiijtë dhe transmetimi më i mbështetur tek hanbelijtë.

Argumentet kryesore të këtij mendimi janë:

  1. Hadithi i Umu Selemes e cila e kishte pyetur të Dërguarin: a mund të falet gruaja me dir’[1] dhe shami pa veshur izar[2]? U përgjigj: nëse dir’i është i madh dhe mbulon pjesën e sipërme të këmbëve.” (Ebu Davudi dhe Bjehekiu)

Ky argument demantohet me faktin se është i dobët.

  1. Hadithi i ibën Mes’udit se i Dërguari ka thënë: “e tërë femra është auret…” (Tirmidhiu), nga ky përgjithësim, sipas këtij mendimi, përjashtohet fytyra dhe duart për shkak nevojës. Mirëpo ky lloj argumentimi dobësohet nga fakti se nevoja është evidente edhe për përjashtimin e këmbeve.
  2. Hadithi i Ibën Omerit kur i Dërguari thotë: “kush zvarrit rrobën e tij për shkak mendjemadhësisë, Allahu nuk do të shikojë në të Ditën e Kiametit. Umu Seleme tha: si të veprojnë gratë me pjesën e poshtme të rrobave të tyre? Le ta zgjasin një pëllëmbë, u përgjigj ai. Po atëherë do zbulohen këmbët e tyre – tha ajo. Tha: e zgjasin një kut dhe mjaftohen me kaq.” (Tirmidhiu) Sipas këtij mendimi, ky hadith tregon se këmba e femrës është auret. Mirëpo, ky argument demantohet me faktin se është jashtë temës diskutabile, ngase ky hadith flet për ndalimin e ekspozimit të këmbës para meshkujve të huaj që s’janë mahrem.
  3. Këmbët nuk obligohet t’i zbulojë femra duke qenë në ihram dhe në bazë të kësaj në mënyrë analoge nuk lejohet t’i zbulojë në namaz njëjtë sikur kërçikët. Ky argumentim demantohet me faktin se adhurimi i namazit dallon prej atij të haxhit andaj nuk mund të bëhet ky krahasim.

Mendimi i dytë: nuk është obligim mbulimi i këmbëve për femrën në namaz. Këtë mendim e mbron Theuriu, Muzeniu, është transmetim i saktë në medhhebin hanefij dhe shejhulislam Ibën Tejmije.

Argumentet kryesore të këtij mendimi janë:

  1. Fjala e Allahut: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme” (Nur:31) Bejhekiu ka shënuar se Aishja, radijallahu anha, fjalën “përveç atyre që janë të dukshme” e ka komentuar duke thënë: “bëhet fjalë për unazat e argjendit që vendohen në gishtat e këmbëve”, në bazë të këtij komentimi konkludojmë se mbulimi i këmbëve nuk është obligim. Mirëpo ky argument mund të demantohet me faktin se ajeti flet për një rrethanë jashtë namazit kurse në flasim për mbulimin e këmbëve në namaz.
  2. Hadithi i Ibën Omerit se i Dërguari ka thënë: “dy duart bëjnë sexhde ashtu siç bën sexhde fytyra. Kur ndonjëri prej jush vendon fytyrën në sexhde le t’i vendojë edhe duart dhe kur ta ngrit fytyrën la t’i ngrit edhe duart.” (Ebu Davudi dhe Nesaiu). Pasi që fytyra, duart dhe këmbët bëjnë sexhde me vetë fjalët e të Dërguarit, atëherë dihet mirëfilli se fytyra nuk mbulohet në namaz, kështu nënkuptohet se edhe duart dhe këmbët nuk mbulohen. Ky argumentim demantohet me faktin se edhe gjunjët bëjnë sexhde dhe askush prej dijetarëve nuk kundërshton se gjunjët e femrës detyrimisht mbulohen në namaz.
  3. “Mendimi se femra duhet t’i mbulojë këmbët në namaz është një ngarkesë e vështirë sidomos kur dihet se namazi përsëritet pesë herë në ditë dhe kjo bie ndesh me atë që e proklamon Kurani famëlartë dhe suneti i të Dërguarit se vështirësitë janë eliminuar nga ky umet : “dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi” (Haxh:78)(Ibën Tejmije)
  4. “Gratë në kohën e të Dërguarit vishnin këmisha të gjata, punonin me ato rroba. Ato i zbulonin duart kur gatuanin e përgatitnin ushqimin, po ashtu zbulonin edhe këmbët dhe sikur të ishte obligim mbulimi i tyre në namaz do ta sqaronte një gjë të tillë i Dërguari sepse kjo çështje ka qenë e nevojshme jo vetëm për atë kohë porse është një nevojë e të gjitha kohërave sepse është një nevojë me përmasa të gjëra. Kush studion gjendjen e asaj kohe kupton se gratë e sahabëve, radijallahu anhum, faleshin në këmishët e gjata, me shami dhe sikur të ishte obligim mbulimi i duarve dhe këmbëve, do të urdhëroheshin nga i Dërguari ashtu siç u urdhëruan të faleshin me këmisha të gjata dhe me mbulesë në kokë.” (Ibën Tejmije)

Siç shihet nga argumentet e lartshënuara, nuk ekziston ndonjë tekst i sheriatit, i saktë që në mënyrë të drejtpërdrejtë flet për këtë çështje. Ajo që thotë shejhulislam Ibën Tejmije është lexim mes rreshtave që në mënyrë të tërthortë saktëson fuqishëm mendimin e dytë, pra atë se mbulimi i këmbëve në namaz për femrën nuk është obligim. Dijetari i famshëm, Muhamed ibën Salih Uthejmini duke folur për këtë çështje thotë: “duke pas parasysh faktin se nuk ka ndonjë argument në të cilin qetësohet shpirti[3], unë në këtë çështje e imitoj shejhulislam Ibën Tëjmijen.” (Sherhul mumti, 2/161)

Megjithëkëtë, të gjithë dijetarët që mendojnë se nuk është obligim që gruaja t’i mbulojë këmbët në namaz theksojnë se preferohet (është mustehab) mbulimi i tyre duke u mbështetur në fjalën e Allahut: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz” (A’raf: 31)

Literature e konsultuar:

Hixhabul mer’eti ve libasuha fi sala, Ibën Tejmije

Shehrul mumti, Muhamed ibën Salih Uthejmin, 2/161

Ahkamu libasi elmuteal-lika bissalati vel haxh, S’ad Hathlan

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

[1] Këmishë femrash e gjatë deri në fund të këmbëve

[2] Pjesë e poshtme e rrobave prej brezit e deri në fund të këmbëve

[3] Pra, se duhet t’i mbulojë femra këmbët në namaz

GJITHASHTU NË ALBISLAM