175. Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun, të cilit Ne i mësuam shpalljet Tona, por u largua prej tyre. Kështu, djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit.
176. Sikur të donim, do ta ngrinim atë (me shpalljet Tona), por ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pas dëshirave të veta. Shembulli i tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjek, ai të nxjerr gjuhën, nëse largohesh, ai përsëri të nxjerr gjuhën. Ky është shembull i njerëzve, që mohojnë shpalljet Tona. Tregojua atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë. (Sureja A’raf)
Në këto dy ajete flitet për një dijetarë nga Beniisrailët. Ishte njeri të cilit i pranoheshin lutjet ngase e dinte emrin më të madh të Allahut, emër me të cilin nëse lutet Allahu, përgjigjja vjen e sigurtë. Ishte i ditur, i devotshëm dhe i pranoheshin lutjet. Emri i tij ishte Bul’am ibën Baura.
Kur Musa, alejhi selam, u përgatit me izraelitët për të çliruar Bejtul Makdisin nga idhujtarët kenanian dhe amalikë, këta të fundit erdhën te Bul’ami dhe kërkuan nga ai të lutet kundër Musait dhe muslimanëve që ishin me të, sepse dihej që këtij i pranoheshin lutjet. Në fillim Bul’ami refuzoi, mirëpo ata insistuan dhe ndoshta i dhanë ndonjë dhuratë. Kështu ai në fund i bëri një lutje Allahut kundër Musait. Allahu i madhëruar e poshtërsoi Bul’amin dhe ia mori begatitë që i kishte dhënë. Ai zgjodhi dynjanë, nuk zgjodhi ngritjen me dituri të cilën e kishte. Allahu i madhëruar e krahasoi atë me qenin, i cili në çdo situatë leh. Ai edhe pse qe dijetar, në momentin që u zhvesh nga dija, i dëgjoi idhujtarët dhe u lut kundër të dashurve të Allahut e Allahu e dënoi. Ky është një argument që flet për atë se ai i cili i ndihmon idhujtarët kundër muslimanëve, është i njejtë sikur Bul’ami, pra njeri që zhvishet nga dija të cilën e ka zbritur Allahu.
Salih El-Feuzan
Përktheu: Agim Bekiri
08/06/2020