Pyetja: Nëse muslimani buzëqeshet gjatë namazit, a obligohet të plotësojë namazin, apo të ndërpres dhe e përsërit të njëjtin namaz?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut…
Duhet që muslimani të jetë i kujdesur në namazin e tij e të largohet nga çdo gjë ia largon atij përulësinë, ngase ajo është thelbi i namazit, Allahu aze ve xhel, ka lavdëruar besimtarët me fjalën e Tij: “Me të vërtetë, shpëtuan besimtarët, të cilët, në namazin e tyre janë të përulur“. Mu’minun, 1-2.
Dhe padyshim se prej gjërave që largojnë përulësinë është edhe buzëqeshja në namaz.
Ndërsa dispozita e buzëqeshjes në namaz është se nuk e prish namazin. Shiko librin “Mevsuah Fikhije” 27/124.
Ibn Kudameja, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Ibn Mundhiri ka thënë: të gjithë dijetarët kanë konsensus se të qeshurit e prish namazin, dhe shumica e dijetarëve janë të mendimit se vetëm buzëqeshja nuk e prish namazin”. Libri “Mugni” 1/394.
Shejhulislam ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Buzëqeshja në namaz, nuk e prish namazin, ndërsa të qeshurit me zë e prish namazin”.
Neveviu ka thënë: “Mendimi jonë për buzëqeshjen në namaz është se nuk i bën dëm namazit”.
Pra, nëse nuk e prish namazin,atëherë ai e plotëson namazin e nuk e ndërprenë, por duhet të largohet nga gjërat që afrojnë prishjen e namazit.
Por sa i përket të qeshurit me zë gjatë namazit, për më tepër lexoni fetvan në vijim: Të qeshurit me zë gjatë namazit
Shejh Muhamed ibn Salih Munexhid
islamqa.com
Burimi në gj. shqipe: albislam.com
Përktheu: Shpend Zeneli