MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

0 1622

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” Ali Imran 102.

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. Nisa 1.

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. Ahzab 70-71.

Vëllezër besimtar,

Allahu njerëzimit ia ligjësoi Islamin si fe dhe ligj. Me Islam njeriut ia garantoi përmirësimin e zemrave dhe trupave, ruajtjen e pasurive dhe shoqërive, në çdo kohë e vend, pa marrë parasysh gjuhën dhe racën e tyre. Për këtë shkak zbriti dispozita dhe caktoi dënime, e qartësoi të mirën dhe të keqen. Pasi që këto dispozita binin ndesh me epshet dhe dyshimet e disa njerëzve, këta të fundit i pranuan këto dispozita me mëdyshje duke i mohuar në tërësi ose duke i devijuar dhe komentuar disa prej citateve sipas epsheve dhe dyshimeve të tyre. Kjo metodologji e pranimit të citateve padyshim se është shumë e rrezikshme për jetën e njeriut. Prandaj më së miri për një musliman është që të paralajmërohet prej kësaj dukurie negative dhe ta mëson veten në pranimin e dispozitave pa mëdyshje dhe skepticizëm.

Për ta madhëruar dhe lavdëruar Allahun e domosdoshme është madhërimi i dispozitave dhe respektimi i kufijve të Tij. Shenja e dashurisë së çiltër është nënshtrimi ndaj të dashurit. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej gradave të para të madhërimit të Allahut është madhërimi i urdhrit të Tij dhe e ndalesës që e ndaloi Ai. Kjo, për shkak se besimtari e njeh Zotin e tij nëpërmjet mesazhit që e dërgoi me të të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selem, deri tek njerëzimi. Përmbajtja e atij mesazhi është: “Nënshtrim i plotë i urdhrit të Tij dhe largimi prej ndalesës që e ndaloi Ai”. Kjo arrihet vetëm me madhërimin e urdhrit të Allahut dhe pasimit të tij dhe me madhërimin e ndalesës së Tij dhe largimit prej saj. Madhërimi i urdhrit të Allahut dhe i ndalesës së Tij prej anës së besimtarit është argument për madhërimin e tij të Allahut dhe me këtë do t’i mundësohet atij që të jetë prej punëdrejtëve që dëshmohet me to besimi i drejtë dhe i pastër dhe shërimi prej hipokrizisë së madhe”.

O ju robërit e Allahut, 

Pasi që kriter i domosdoshëm i madhërimit të Allahut është madhërimi i dispozitave të Tij, atëherë detyrohet që çdo musliman të nxiton në realizimin e tij, ta edukon veten në të derisa të drejtohet dhe të vazhdon më tutje.

Madhërimi i dispozitave të Allahut ka shenja që aludojnë në të dhe prej atyre shenjave mundemi t’i cekim:

– Mospasja e të drejtës për të zgjedhur në pranimin e dispozitës së Allahut.

Muslimani nuk ka të drejtë zgjedhjeje në pranimin e dispozitave të Allahut, por  detyrohet që t’i nënshtrohet plotësisht dhe tërësisht dispozitave të Allahut pa mëdyshje apo hamendje: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. Ahzab 36.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky ajet është i përgjithshëm dhe vlen për të gjitha çështjet. Edhe atë kur gjykon Allahu dhe Profeti i Tij, alejhi salatu ue selam, me diçka nuk i lejohet askujt kundërshtimi i këtij gjykimi, e as nuk ka të drejtë zgjedhjeje, e as dhënie mendimi apo thënie të ndonjë fjale”.

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtij ajeti e sjell një thënie të Hasan el Basriut, Allahu e mëshiroftë,  i cili kishte thënë: “Nuk i takon një besimtari e as një besimtareje kur të urdhëron Allahu dhe i Dërguari i Tij, sal-allahu alejhi ue selem, me diçka t’i kundërvihen”.

Po ashtu, prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike është:

– Mosekzistimi i ndjenjës së ngushtimit në gjoks gjatë dëgjimit të citatit sheriatik.

Muslimani duhet ta edukon veten e tij që t’i pranon citatet dhe të vepron me to me gjoks të hapur dhe me zemër të qetë ashtu siç na mëson edhe Allahu në Kuran: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”. Nisa 65.

Imami Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Betohet Allahu, azze ue xhel, në veten e Tij Fisnike dhe të Shenjtë se nuk ka besuar asnjëri përderisa ta marrin Muhamedin, alejhi salatu ue selam, për gjyqtar në të gjitha çështjet dhe se çdo gjykim i tij është i drejtë dhe jemi të detyruar t’i nënshtrohemi këtij gjykimi me zemër dhe me vepra. Prandaj Allahu tha: “e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”, që do të thotë se ti kur gjykon i nënshtrohen asaj që ti gjykon në brendësinë e tyre dhe nuk ndiejnë në vetvete ngushtim në gjoks ndaj gjykimit tënd dhe të binden ty plotësisht pa kundërshtime dhe pengesa”.

Po ashtu, prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike është:

– Hulumtimi i tepërt apo thellimi në kërkimin e urtësisë së ligjësimit të citatit.   

Kjo veti e cungon përsosmërinë e bindjes dhe nënshtrimit, madje mund të ndodhë që vazhdimësia në kërkimin e urtësive të citateve ta çon njeriun deri në mohimin e disa dispozitave fetare. Muslimani duhet ta edukon veten në pranimin e dispozitave me gjoks të gjerë. Nuk ka pengesë në rast se dëshiron ta di urtësinë dhe ta kërkon atë në rast se ka mundësi, mirëpo në rast se nuk mundet ta zbulon urtësinë e ligjësimit atëherë prej etikës dhe moralit të lartë është përmbajtja dhe largimi prej kërkimit të saj: “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten”. Enbija 23.

Imami ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Muslimani i nënshtrohet dispozitave të Allahut pa marrë parasysh se a i paraqitet atij urtësia e ligjësimit apo jo. Në rast se i qartësohet urtësia e ligjësimit në urdhrin dhe ndalesën e Tij atëherë ajo duhet të jetë nxitës në rritjen e nënshtrimit dhe bindjes në urdhrin e Allahut dhe nuk duhet që të jetë shkak i largimit të tij prej asaj dispozite apo mohimit të saj në përgjithësi”.

Imami Ibën Ebil Iz el Hanefij, Allahu e mëshiroftë, komentuesi i librit Akide Tahauije thotë: “Dije se ndërtimi i të qenit rob i Allahut dhe besimi në Allahun, në Librat e Tij dhe në të Dërguarit e Tij bëhet me nënshtrim dhe bindje dhe me mos parashtrimin e pyetjeve rreth shpjegimit të hollësishëm të urtësive në urdhëresat, në ndalesat dhe në ligjësimet. Për këtë shkak Allahu nuk na tregoi në Kuran për ndonjë Umet të ndonjë Profeti i cili i besoi të Dërguarit të tyre dhe mesazhit me çka erdhi ai, e ta kishin pyetur hollësisht për urtësitë e urdhrave, ndalesave dhe ligjeve me të cilat kishte ardhur tek ai Umet. Po të kishin vepruar ashtu nuk do të ishin prej besimtarëve në të Dërguarin e tyre. Ata u nënshtruan, u bindën, çka e ditën prej urtësive e mësuan dhe çka u fsheh prej tyre nuk u bë shkak që ata t’i largohen bindjes dhe nënshtrimit, ndërsa i Dërguari i tyre në sytë e tyre ishte shumë më i madh se sa ta pyesnin për këto çështje”.

Hutbeja e dytë 

Falënderimi i takon vetëm Allahut që i bëri besimtarët vëllezër mes veti. Kjo është dhuntia e Allahut ndaj besimtarëve dhe me të vërtetë Allahu zotëron dhunti të mëdha. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju vëllezër musliman,

Po ashtu prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike është:

– Zemërimi për hir të Allahut kur cenohet paprekshmëria e ligjeve dhe ndalesave të Tij dhe tentimi i mbrojtjes së tyre sipas mundësive.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, çdo herë që kishte të drejtë zgjedhjeje mes dy gjërave, e zgjidhte më të lehtën, në rast se ajo vepër nuk përmbante në vete mëkat. Në rast se ishte mëkat atëherë ishte njeriu që më së shumti i largohej atij. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, nuk është hakmarrë për vetveten e tij, mirëpo kur janë shkelur urdhrat e Allahut, asgjë nuk ka mundur të ndalë zemërimin e tij”.

Robi sa më shumë që është xheloz për fenë e Allahut dhe për shenjtërinë e saj dhe sa më shumë që nxiton në përmirësimin e muslimanëve, aq më shumë është argument për madhërimin e tij të dispozitave dhe përkujdesjen e tij për mos tejkalimin e kufijve të fesë.

Po ashtu, prej shenjave bazë është edhe:

Detyrimi i robit që t’i pranon dispozitat si adhurim me të cilin afrohet nga Allahu e mos t’i pranon për syefaqësi dhe prestigj.

Muslimani duhet të jetë prej atyre që pikëllohet për hir të Allahut kur i ikën ndonjë e mirë dhe të gëzohet për hir të Allahut kur arrin ta vepron një të mirë. Ebu Jemame, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell prej Profetit, alejhi salatu ue selam, të kishte thënë: “Kush do për hir të Allahut dhe urren për hir të Allahut dhe jep për hir të Allahut dhe merr për hir të Allahut, vetëm se e ka plotësuar besimin e tij”.

Dhe në fund, prej shenjave që aludojnë në madhërimin e citateve sheriatike është edhe:

Përmbajtja prej asaj që nuk ka dituri dhe paralajmërimi prej zhytjes në studime të citateve padituri.

Muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm rreth parimeve të kërkimit të diturisë duke u bazuar në fjalët e Allahut: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi”. Isra 36, dhe në fjalët e Allahut që ia tha Nuhit, alejhi salatu ue selam, kur kërkoi ky i fundit që Allahu t’ia shpëton djalin prej dënimit: “Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. Hud 46.

Allahu, azze ue xhel, ithtarëve të Librit u tha: “Mirë ju polemizoni për gjëra që keni një farë dijenie (për çështje që lidhen me Musain dhe Isain), por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë (për Ibrahimin)? Allahu e di hollësisht, ndërsa ju nuk dini asgjë për këtë”. Ali Imran 66.

Allahu në ajetin e parë e edukoi të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam, me një edukatë madhështore duke e mësuar që t’i përmbahet asaj që nuk ka dituri, ndërsa në ajetin e dytë Allahu e ndaloi Nuhun, alejhi selam, prej parashtrimit të pyetjeve për atë që nuk e di dhe atë e konsideroi prej paditurisë.

Sidoqoftë, zhytja në studime rreth kuptimeve të citateve pa dituri apo të folurit për Allahun dhe fenë e Tij pa dituri është mëkat i madh dhe është shkak që sjell dëme të mëdha për veten dhe për të tjerët.

Muhamed ibën Sirini, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Që të vdes një njeri si i paditur është më mirë për të se sa të flet për Allahun dhe fenë e Tij diçka që nuk e di”.

O Zot, shtona nënshtrimin ndaj dispozitave të Tua dhe shtona madhërimin Tënd në zemrat e tona, mundësona që ta dallojmë të vërtetën prej të pavërtetës dhe ta pasojmë atë dhe mundësona ta dallojmë të pavërtetën prej të vërtetës dhe t’i largohemi asaj.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

GJITHASHTU NË ALBISLAM