PAGANIZMI, VALENTINI DHE MUSLIMANI

PAGANIZMI, VALENTINI DHE MUSLIMANI

0 1473

Dikush mund të supozon: Islami fton në paqe dhe dashuri ndaj edhe festa e dashurisë është një rast për të përhapur dashurinë midis muslimanëve. Çfarë të keqe ka festimi i shën Valentinit?!

Lidhur me këtë temë, çfarë thotë Islami për të, dëmet që i sjellë në besim dhe në moral nuk kam menduar se do të shkruaj ndonjëherë, sepse kam shpresuar që ky marketing për dashurinë e rreme nuk do të pijë ujë te një popull që ka zgjedhur të jetë i kënaqur me Allahun për Zot, me Muhamedin për pejgamber dhe me Islamin për fe. Mirëpo sot po habitem kur shoh dhe dëgjoj se shumë të rinj dhe të reja muslimane bëjnë çdo angazhim për të festuar këtë ditë, shumë restorante – me pronarë muslimanë – bëjnë përgatitje serioze, si dhe shumë tregtarë muslimanë furnizojnë shitoret me material përcjellës të kësaj feste.

Ndaj, dua të jap kontributin tim duke porosit të mirën dhe duke qortuar të keqen sepse vetëm ashtu ruajmë nderin e vendin, fitojmë hairin dhe shpëtojmë nga ndëshkimet. Allahu ka thënë: “Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin përmirësues” (Hud 117). Prandaj, secili hoxhë, mësues, botues, gazetar, prind, mik, mikeshë dhe çdo dashamir tjetër duhet të jep kontribut në drejtimin përkatës për t’ia tërheq vëmendjen besimtarëve muslimanë në rend të parë e po ashtu të gjithë atyre që kanë logjikë për të menduar.

Festa e dashurisë numërohet si festë e paganëve romakë, e që sipas atij paganizmi kjo festë shprehte dashurinë hyjnore tek idhulli i tyre. Përrallat lidhur me këtë janë të shumta por nga më të njohurat është kjo: romakët besonin se themeluesi i qytetit të Romës, Romuli duke qenë foshnjë kishte thithur te ujkonja dhe nga ajo kishte fituar fuqi dhe mendje të mprehtë. Këtë ngjarje ata e përkujtonin me festë të madhe në mes të muajit Shkurt dhe nga ritualet që i bënin ishte të therin një qen e një dhi dhe me gjakun e tyre duhej të lyheshin dy djem të fortë që pastaj me qumësht ta lanin atë gjak. Pastaj bënin një shëtitje nëpër rrugë duke mbajtur nga një copë lëkure për të goditur secilin që takonin. Këtë e pritnin me dëshirë gratë romake sepse besonin që ato të goditura pengojnë apo shërojnë sterilitetin.

Por, çfarë lidhje ka këtu shën Valentini? Thuhet se perandori Klaudio ishte një pagan që ua ndalonte ushtarëve të tij martesën me qëllim që të mbesin më të fortë, ndërsa Valentini ishte një nga thirrësit e krishterimit dhe bënte thirrje që ushtarëve tu lejohej martesa, mirëpo perandori nuk e lejonte këtë prandaj mundohej që Valentinin ta kthente me dhunë në paganizmin romak, mirëpo ai nuk pranoi dhe për këtë shkak më 14 Shkurt 270, e ekzekutoi atë me vdekje, pra në natën e festës së dashurisë. Më vonë, kur romakët pranuan krishterimin nuk e braktisën këtë festë, përkundrazi e ndërlidhën me vdekjen e Valentinit me qëllim për ta përkujtuar, i cili ra dëshmor duke qenë i përqendruar në krishterim apo duke luftuar për të drejtat e të dashuruarve.

Manifestimi i kësaj feste bëhet duke shprehur kënaqësinë dhe gëzimin gjatë asaj dite. Duke dhuruar trëndafila të kuq për të shprehur dashurinë, i cili te romakët nënkuptonte dashurinë hyjnore tek idhulli i tyre ndërsa te të krishterët dashurinë e një mashkulli dhe një femre. Gjithashtu dhurohen kartolina, në shumë prej tyre është fotoja e një fëmije me dy fletë ndërsa në duar mban një hark. Te paganët romakë ai ishte perëndia i dashurisë… Perëndia i vërtetë Allahu, është i pastër dhe shumë i lartë nga të gjitha këto shpifje e fyerje.

Jam i bindur se këto përralla nuk janë të rëndësishme për shumicën e popullit tonë, sepse përralla të atilla te romakët dhe te të krishterët janë të shumta siç mund ta vërejë ai që pak do të lexojë në librat dhe historinë e tyre. Qëllimi i përmendjes së kësaj përralle këtu është sqarimi i thelbit të kësaj feste me të cilën janë mashtruar injorantët muslimanë, që verbërisht ndjekin sot të krishterët në gjithçka, ata sikurse duan të thonë: përderisa marrim prej tyre vetura, kompjuterë e avionë pse të mos marrim edhe këto përralla?! Imitimi pra ka arritur deri në këtë shkallë ku disa njerëz tashmë nuk bëjnë dallim mes të dobishmes dhe të dëmshmes, ata ia kanë ndaluar trurit aktivitetin, me çka Allahu deshi ta dallojë insanin nga hajvani. Këta – fatkeqësisht – po shkrihen në qafirë, po zhyten në moçalet e mosbesimit, po humbin personalitetin dhe pavarësinë. Kjo është disfata shpirtërore dhe sëmundja e imitimit të shumicës qoftë në hair apo sherr dhe qoftë e ëmbël apo e hidhur.

Prandaj, tashmë e kemi të qartë se:

– kjo festë ka origjinë pagane nga romakët. Kush e feston atë ai është duke festuar një festë ku madhërohen idhujt dhe adhurohen krahas Atij që meriton adhurimin, pra krahas të Lartmadhërishmit Allah, i Cili paralajmëroi: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit. Prandaj, adhuro vetëm Allahun dhe bëhu falënderues”. Ai na tregon se Isai, alejhi selam, i tha popullit të vet:“Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës”.

– origjina e kësaj feste te romakët fillon me përralla dhe besëtytni që nuk i pranon mendja e shëndoshë e lëre më mendja e atij që beson Allahun dhe profetët e Tij. Kam për qëllim përrallën e ujkonjës.

– lidhja e kësaj feste me Valentinin është po ashtu e pa verifikuar. Madje, disa burime dyshojnë se ka ekzistuar ai ndonjëherë. Prandaj disa klerikë të krishterë patën kundërshtuar këtë festë për shkak të prishjes që shkaktonte te të rinjtë dhe të rejat, ndaj u pat ndaluar në Itali për një kohë, por pastaj sërish u lejua dhe u përhap në vendet e Evropës.

Festimi i kësaj feste në Islam është i ndaluar rreptësisht, sepse:

– festat në Islam numërohen adhurime (ibadet) me çka afrohemi tek Allahu. Adhurimet i përcakton vetëm Allahu dhe asnjë njeri nuk ka atë kompetencë, e Ai për neve përcaktoi këto festa: dita e xhuma, Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami. Kush feston festën e dashurisë ai ka shpikur dhe ka shtuar diçka në Fe, si dhe me këtë fyen Allahun se nuk e ka plotësuar këtë Fe.

– festimi i festës së dashurisë është përngjasim me paganët romakë e pastaj edhe me të krishterët. Allahu ka thënë: “Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën argumentet e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh” (Ali Imran 105). Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i ngjason një populli ai është me ta”. Ibën Tejmije ka thënë: “Ky hadith më së paku aludon se përngjasimi është haram edhe pse në dukje aludon se është kufër”.

– qëllimi i kësaj feste në ditët e sotme është përhapja e dashurisë mes gjithë njerëzve, besimtarë dhe qafirë. Kjo bie ndesh me fenë Islame. Është e vërtetë e pamohueshme se muslimani duhet të jetë i drejtë me qafirin, të mos e dëmtojë, t’i bëjë mirë nëse nuk është prej luftuesve të Islamit apo muslimanëve apo nëse është nga farefisi i tij, sepse Allahu thotë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja” (Mumtehane 8). Mirëpo, drejtësia dhe sjellja e mirë nuk nënkupton dashurinë dhe miqësimin me ta, përkundrazi e kemi farz t’i urrejmë për hir të Allahut sepse kanë bërë kufër, e Allahu atë nuk e do, siç ka thënë: “Ai nuk është i kënaqur me kufrin (mohimin) e robërve të Tij” (Zumer 7). Nuk ka mundësi që në një zemër të vetme të rrinë bashkë dashuria ndaj Allahut dhe dashuria ndaj kufrit apo qafirëve. Ai që e do Allahun sigurisht e urren kufrin dhe qafirët.

– qëllimi i kësaj feste është përhapja e dashurisë jashtë kornizave të martesës që do të sjellë pastaj kurvërinë dhe gjërat e fëlliqura, prandaj klerikët e krishterë e kishin kundërshtuar në fillim siç e përmendëm më lart.

Jam i vetëdijshëm se shumica e të rinjve muslimanë e festojnë këtë festë për tu kënaqë dhe për të realizuar planet epshore dhe jo se i besojnë ato besëtytni të romakëve apo të krishterëve. Mirëpo kjo, nuk d.m.th. se ata kanë shpëtuar nga përngjasimi me qafirë, që përbën një rrezik për besimin e muslimanit, madje mund ta çojë deri në kufër, nëse plotësohen kushtet dhe evitohen pengesat. Muslimani nuk ka të drejtë të ndërtojë lidhje dashurie me një grua që nuk e ka nën kurorë, sepse ajo është derë e kurvërisë. Pra, ai musliman që feston këtë festë dhe ka për qëllim thjesht kënaqjen epshore apo krijimin e një lidhje dashurie themi se është duke dëshiruar një mëkat të madh, ku dëshiron të arrijë nëpërmjet një mjeti që dijetarët e kanë quajtur kufër, e ai mjet është përngjasimi me qafirët në një ritual të tyre.

Lidhur me këtë festë muslimani duhet të ketë këtë qëndrim:

– nuk e feston dhe as nuk merr pjesë në manifestimet e atilla,

– nuk i ndihmon jobesimtarëve në atë festë, nuk u jep dhurata, nuk boton për të, nuk shtyp për të, nuk prodhon për të,

– i këshillon besimtarët muslimanë të mos mashtrohen me këtë festë dhe u shpjegon se kjo është festë e qafirëve ku muslimani nuk është pjesëmarrës asnjëherë,

– nëse dikush ia uron nuk guxon t’ia kthejë urimin, por duhet ta shfrytëzojë si rast për t’i shpjeguar të mirën e Islamit, t’i thotë: Dashuria e dikujt tjetër përveç Allahut thërrmohet dhe nuk mbetet, këputet dhe nuk zgjatë. Dashuria më e bukur dhe më madhështore është ajo që të orienton nga dashuria e Allahut, dashuria e Muhamedit dhe dashuria e gjithçkaje që të afron tek ata, qofshin ato fjalë apo vepra. Dashuria ndaj Allahut dhe Muhamedit është shpirti i jetës, lezeti i dynjasë, shija e ekzistimit, ushqimi i shpirtit, kënaqësia e zemrës dhe drita e syve. Ndërsa jeta e largët nga Allahu dhe i Dërguari është jetë e shuar. Zemra e zbrazur nga dashuria e Allahut dhe dashuria e të Dërguarit është zemër e ngurtë. Jeta është trup ndërsa dashuria ndaj Allahut është shpirt për të, nëse nuk ka shpirt trupi s’ka dobi. Ai që do Allahun sigurisht do të dojë gjithçka që Allahu e do dhe është i kënaqur prej saj dhe sigurisht do të largohet nga ajo që Ai e urren. Nuk ka dyshim se besimtarët e duan Allahun më shumë se çdokush: “Disa njerëz zgjedhin në vend të Allahut zota të tjerë dhe i duan siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun” (Bekare 165).

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 586