KËNAQËSIA E IBADETIT

KËNAQËSIA E IBADETIT

0 3952

Në emër të Allahut Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit

Allahu i Lartmadhëruar nuk i krijoi krijesat për kot, e as nuk i la ata të vetëm e të paudhëzuar, po, i krijoi për një synim fisnik: “dhe nuk ka krijuar xhindët dhe njerëzit për diç tjetër përpos se të më adhurojnë.” Surja Dharijat, ajeti 56.

Allahu i ka begatuar robërit e Tij dhe u ka dhuruar atyre kënaqësinë e adhurimit, që është një kënaqësi e cila nuk barazohet me asnjë kënaqësi tjetër nga kjo botë e përkohshme.

Kjo kënaqësi dallon nga njëri tek tjetri, dhe atë varësisht prej fuqisë së imanit apo dobësisë së tij: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” Surja Nahl, ajeti 97.

Rehatia, qetësia dhe lumturia arrihet në adhurimin kushtuar Allahut, kur zemra të jetë e lidhur për Të dhe në vazhdimësi e përmend.

Ibën Kajimi thotë: Kthimi dhe drejtimi kah Allahu, kënaqësia me Allahun dhe për Allahun, mbushja e zemrës me dashuri ndaj Tij, kujtimi i Tij me dhikr, gëzimi dhe lumturia me njohjen e Tij, janë shpërblime të përshpejtuara dhe është një xhenet, është një jetë që nuk krahasohet fare me jetën e mbretërve.[1]

Kushdo që ia kthen shpinën udhëzimit të Allahut, dhe asaj me çfarë ka ardhur i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ai do të jetëojë një jetë  përplot me brenga dhe errësira: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.” Surja Taha, ajeti 124.

Ky, nuk gjen qetësi, e as zemërgjerësi, përkundrazi gjoksi i tij është i ngushtë dhe ndjenë vështirësi për shkak devijimit, edhe nëse në pamjen e jashtme ai përjeton disa kënaqësi; vesh robat që i pëlqen, ushqehet me ato ushqime që i dëshiron, banon ku të dojë, por zemra e tij përderisa nuk mbushet me bindje dhe udhëzim ai do të jetë në mërzi, shkujdesje dhe dilema, përherë do të jetë në dyshime, e kjo gjendje është errësirë e jetës së tij.

Atëherë : Si të arrijmë kënaqësinë e adhurimit? Cilat janë format? Dhe cilat janë pengesat e arritjes?

Kjo do të jetë tema e bisedës sonë në këto reshta, me lejen e Allahut.

Ekzistojnë disa sebepe për arritjen e kënaqësisë në adhurim, prej tyre:

Një: Përpjekja dhe ushtrimi i nefsit në ibadete, në formë graduale:

Ibën Kajimi ka thënë: Njeriu i cili ka marrë rrugën drejt Allahut në fillim mund të gjejë vështirësi gjatë obligimeve, lodhje gjatë veprimit, për arsyen se zemra ende nuk është mëshiruar me të Adhuruarin, e kur kjo zemra të arrijë afërsinë largohen ato ngarkesa dhe vështirësi e shndërrohen në kënaqësi për të, në fuqi dhe shijim.[2]

Thabin el Benani ka thënë: Jam munduar gjatë namazit për njëzet vjet, e për njëzet vite tjera jam kënaqur.[3]

Ebu Jezid ka thënë: E kam drejtuar veten time drejt Allahut duke qarë, kam vazhduar ta rrugëtoj derisa ai vazhdoi të ecë duke qeshur.

Allahu thotë: “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bëmirësve.” Surja Ankebut, ajeti 69.

Kur njeriu të mundohet, Allahu do ta udhëzojë, do t’ia lehtësojë atij arritjen deri aty për çfarë është munduar.

Dy: Shpeshtimi i nafileve, llojllojshmëria e tyre, në forma dhe situata të ndryshme:

Në mënyrë që nefsi të mos përtojë, e që të ecë përpara e të mos ngec, ndonjëherë nafilet e namazeve, e ndonjëherë nafilet e agjërimit, e ndonjëherë nafilet e sadakasë, etj. Kjo sjell dashurinë e Allahut, sikur që është përmendur në hadithin kudsij që transmetohet nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu), ndër tjerash aty thuhet: “dhe vazhdon robi të më afrohet me nafile deri sa ta dua”.[4]

Kush përpiqet në afrim me Allahu me farze e më pas me nafile, përpjeka e tij e ngrit nga derexhja e imanit në derexhen e ihsanit, atëherë robi e adhuron Allahun  dhe ndjen mbikqyrjen e Tij, sikur ta sheh Atë, e zemra e tij mbushet me njohje mbi Allahun, me dashuri, madhërim, frikë, dro, nderim, afërsi, e përmallim ndaj Tij, deri sa kjo që e ka në zemrën e tij të jetë aq e dukshme sikur ta sheh me sytë e ballit.

Tre: Meditimi rreth biografisë së burave të mirë:

Ibnul Muberk thoshte: Kur shikoja Fudalj ibën Ijadin, më kthehej mërzia dhe e nënçmoja veten.

Katër: Leximi i Kuranit duke i përsiatur ajetet:

Ngaqë Kurani është shërim për zemrat nga sëmundjet, është pastrim nga ndryshku i tyre, zbutje e ashpërsisë dhe përkujtues për neglizhencën që u ndodh, përmes premtimeve dhe kërcënimeve që janë në Kuran, përmes frikësimit dhe dënimit, duke sqaruar gjendjen e krijesave në dy rrugët e tyre (banorët e xhenetit dhe banorët e skëterës), dhe sikur robi të imagjinonte se biseda ndërmjet tij dhe Zotit është sikur të jetë drejtpërdrejtë, zemra e tij do të zhveshej nga madhështia e situatës, atëherë do të shkaktohej zbutje e zemrës me lutjet drejtuar Zotit, dhe aty do të gjente lumturi që asnjë gjuhë nuk mund ta përshkruajë apo shpjegojë me një thënie, veçanërisht duke pasur parasysh meditimin e asaj që lexohet në namaz.

Pesë: Vetmimi me Allahun:

Njeriu duhet të gjejë kohë të përshtatshme gjatë ditës apo gjatë natës që të vetmohet me Zotin, duke u distancuar nga zhurma e jetës , për ta lutur Allahun, duke i parashtruar ankesat, e prej Tij të kërkojë. Sa ndikim të madh që kanë këto vetmime për ngritjen e shpirtit dhe zbutjen e zemrës?

I kanë thënë Malik ibën Mugafelit – kur ai po qëndronte vetëm në shtëpi: A nuk ndihesh i vetmuar? Tha: A ndihet ndokush i vetmuar kur është me Allahun (në adhurim)?

Gjashtë: Largimi nga mëkatet:

Sa e sa kënaqësi të një momenti kanë shkaktuar përbuzje të gjatë, sa mëkate privojnë nga namazi i natës për vite të tëra, sa shikime në haram e privojnë njeriun nga mendjemprehtësia, rreth kësaj na mjafton ta përmendim fjalën e Vuhejb ibën Verd kur është pyetur: A e shijon kënsaqësinë e ibadetit ai që bën mëkat: Tha: Jo, e as ai që synon mëkatin.

Ibën Xheuzi ka thënë: ndodh që njeriu të hedh shikimin e tij në haram e Allahu ta privojë nga mendjemprehtësia apo oratoria, e privohet nga zemra e pastër, apo të ushqehet me furnizim të dyshimtë, e t’i errësohet vetmia e tij, e të privohet nga namazi i natës, nga ëmbëlsia e lutjeve, etj.

Mëkatet janë sëmundjet e zemrës, Jahja ibën Muadhi thotë: trupi sëmuret me uri e zemra sëmuret me mëkate, ashtu sikur që trupi nuk e ndjen shijen e ushqimit kur është i sëmurë, edhe zemra nuk e ndjen ëmbëlsinë e ibadetit për shkak të mëkateve.

Shtatë:  Lënia e disa gjëraveqë në esencë janë të lejuara:

Ahmed ibën Harbi ka thënë: Kam adhuruar Allahun për pesëdhjetë vitë, e nuk e shijova ëmbëlsinë e adhurimit derisa i braktisa tre gjëra: braktisa përpjekjen për t’i kënaqur njerëzit dhe arrita të flas të vërtetën; braktisa shoqërimin me mëkatarë saqë gjeta shoqëri të mirë, dhe braktisa kënaqësitë e dynjasë sa që gjeta kënaqësitë e ahiretit.

Ibën Kajimi thotë: Ulja e shikimit nga haramet të sjell tre dobi madhështore dhe shumë me vlerë: e para: ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e imanit, e që është një ndër gjërat më të ëmbla, më të mira e më të shijshme se ajo nga e cila ai e ka mënjanuar shikimin e tij dhe e ka braktisur për hir të Allahut, ngaqë kush le diç për hirë të Allahut, Allahu ia kompenson me diçka më të mirë, edhe pse nefsi anon kah shikimi në pamjet e bukura, dhe syri e komandon zemrën, e kështu ky komandues i përqon zemrës ato pamje, e kur ta informon për pamjet e bukura që i sheh syri, edhe zemra lëviz me mallëngjim drejt asaj bukurie, e për këtë shumë lodhet edhe syri edhe zemra, e nëse komanduesi e pengon zbulimin e shikimin atëherë zemra pushon nga ngarkesa e kërkimit dhe dëshirës, ngaqë kushdo që hedh shikime për disa çaste vuan për shumë kohë…”

Disa forma të kënaqësisë së adhurimit:

Në origjinë besimtari gjen kënaqësi dhe ëmbëlsi në çdo adhurim me të cilin ai i afrohet Allahut të madhëruar, mirëpo ne këtu do përmendim disa prej fromave të kënaqësisë së adhurimit, prej tyre:

Një: Kënaqësia e imanit: pra, imani të dhuron kënaqësi që nuk i afrohet asnjë kënaqësi tjetër prej kënaqësive të dynjasë së përkohshme.

Enesi (radijAllahu anhu) transmeton se i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Kush i posedon tre gjëra, ai ka shijuar ëmbëlsinë e imanit….” [5]

Imani pra ka ëmbëlsi dhe shije, shijohet me zemër sikur që shijohet ëmbëlsia e ushqimit apo e pijes me gjuhë, ngaqë imani është ushqim dhe fuqi e zemrës, sikur që ushqimi dhe pija është ushqim dhe fuqi e trupit, po dhe sikur që  trupi nuk e shijon ëmbëlsinë  e ushqimit dhe pijes përveç se kur është i shëndoshë, njashtu edhe zemra ajo e ndjen ëmbëlsinë e imanit atëherë kur është e shëndoshë prej sëmundjeve të epsheve devijuese, vetëm atëherë e ndjen ëmbëlsinë e imanit, e kur të sëmuret nuk e ndjen atë ëmbëlsi, përkundrazi mund që të konsumojë gjëra që mund ta shkatërrojnë.

Dy: Kënaqësia e namazit: edhe namazi ka shumë kënaqësi, të cilat i ka shijuar i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem). Në hadithin që e transmeton Enes ibën Maliku (radijAllahu anhu) thotë: i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: Më janë bërë të dashura prej dynjasë: gratë, parfumi, e kënaqësia më e madhe është në namaz.”[6]

Për këtë i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) gjente në namaz kënaqësi e rehati, saqë i thoshte Bilalit: “Ngrihu o Bilal, na rehato me namaz.”

E nuk ka thënë na rehato nga namazi, sikur që është halli i disave prej nesh.[7]

Tre: Kënaqësia në namazin e natë: Përcillet thënie nga Nafi ibën Omer, i cili ka thënë: Umu Omer ibën el Munkedir i ka thënë Omerit:  Dua që të të shoh duke fjetur? Ai iu përgjigj: Oj nëna ime! Betohem në Allahun, nata po më shtyen të shpejtoj, ajo po mbaron e unë nuk po arrij të përfundoj pjesën time.

Disa prej selefit kanë thënë: Unë gëzohem kur vije nata, pasi në atë kohë jeta ime ndjen kënaqësi, syri më kënaqet duke iu përgjëruar Atij me të Cilin dëshiroj të vetmohem dhe t’i shërbej, e t’i nënshtrohem. E mërzitem kur qel sabahu pasi që preokupohem gjatë ditës nga ibadeti i natës.

Katër: Kënaqësia e leximit të Kuranit: Othman ibën Afani ka thënë: Sikur zemrat tona të pastroheshin unk do ngopeshin me fjalët e Allahut.

Ibën Kajimi ka thënë: Si ka mundësi që i dashuruari të ngopet nga fjalët e Atij që është synimi më i lartë i tij.

 Deri sa tha: ata që e duan Kurani ndjejnë kënaqësi, shije, ëmbëlsi, gëzim shumëfish më shumë se sa që ndjejnë të dashuruarit e shejtanit.

Ibën Rexhebi ka thënë: Nuk ka gjë më të ëmbël për të dashuruarit se sa fjala e Atij që e duan, ajo është kënaqësi për zemrat e tyre, dhe është kërkesa e pandarë e tyre.

Pesë: Kënaqësia e dhënies sadaka në rrugë të Allahut: të shpenzosh pasuri në rrug ëtë Allahut është një kënaqësi e madhe, të cilën kënaqësi e gjeti Ebu Talha (radijAllahu anhu) i cili e dha pasurinë më të mirë që kishte, sikur që e shënon këtë ngjarje Buhariu dhe Muslimi.

Këtë kënaqësi e gjeti Ebu Dahdah (radijAllahu anhu) i cili e dha gjithë kopshtin e tij me palma për hir të Allahut.

Enesi (radijAllahu anhu) transmeton se një njeri  tha: o i dërguar i Allahut! Filani ka një palmë ndërsa unë kam ngritur gardhin dhe më pengon ajo palmë, urdhëroje që të ma jep që të mund të ndërtoj gardhin tim aty, i dërguari  i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i tha: Jepja në këmbim të një palme në xhenet.” Por ai refuzoi, e i erdhi Ebu Dahdah, i tha: ma shit mua këtë palmë ta jap kopshtin tim, dhe kështu u pajtua. Shkoi tek i dërguari i Allahut (sal-Allahu alejhi ve sel-lem) i tha: O i dërguar i Allahut! Unë e kam blerë atë palmë dhe ia dhash kopshtin tim, tani jepja atij se unë ta dhurova ty. I dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) i tha: Sa shumë trunguj të palmave do të gjejë Ebu Dahdah në xhenet! E përsëriti disa herë.

Ebu Dahdah shkoi tek bashkëshortja e tij e i tha: Oj nëna e Dahdas! Dil nga kopshti, sepse e kam shitur për një palmë në xhenet. Ajo i tha: Shitje me shumë fitim.

Gjashtë: Kënaqësia e kërkimit të diturisë: Shatibiu ka thënë: “Të marrësh dituri është kënaqësi që nuk krahasohet me ndonjë kënaqësi tjetër, pasi që është një formë e ngritjes mbi informatën dhe një arritje, ta duash ngritjen është natyrshmëri e shpirtit dhe anon kah ajo edhe zemra.”

Dhe për këtë dëshmojnë dijetarët të cilët merreshin me dituri.

Ibën Xheuzi tregonte për veten e tij dhe thoshte: Ndjeja kënaqësi në kërkimin e diturisë edhe pse ballafaqohesha me vështirësi gjatë kërkimit të diturisë dhe asaj që e shpresoja, që për mua ishin më të ëmbla se sa mjalti. Kur isha i vogël merrja me vete ca copa bukë të thatë, dhe shkoja për të marrë hadithin, e ulesha pranë lumit Isa, dhe e ngrënja bukën, e pija ujë. Saherë që merrja një kafshatë pija nga pak ujë, e sytë e ambicijeve të mija nuk shihnin gjë tjetër përveç kënaqësisë së kërkimit të diturisë.

Nga kënaqësia e kërkimit të diturisë është përpilimi, e shkrimi, sikur q ëka thënë Ebu Ubejd: Kam shkruar këtë libër, librin “Garibul Hadith”, për katërdhejt vite, e ndoshta përfitoja ndonjë dobi nga fjalët e disa dijetarëve, e i vëndoja në vendin e duhur në këtë libër, kështu që qëndroja pa gjum gjatë tërë natës, nga gëzimi që kisha për atë dobi.”

Pengesat e ndjenjës së kënaqësisë në ibadet:

Kjo ka disa arsye, prej tyre:

Një: Mëkatet:

Dy: Shoqërimi i tepërt me njerëz: Ajo që mund të ndikojë që njeriu të humb kënaqësinë në ibadet është edhe ndeja e tepërt me njerëz, e që më e drejta është të jesh mesatar në këtë.

Tre: Shndërrimi i ibadeteve në adete: atëherë  kur ibadetet shndërrohen në adete humb kënaqësia dhe ëmbëlsia e tyre.

Katër: Hipokrizia: nëse në zemrën e njeriu ka çfarëdo lloji të hipokrizisë, ajo do ta pengon arritjen e kënaqësisë në ibadet.

Këto janë pengesat më të njohura. Atëherë nëse njeriu dëshiron të arrijë kënaqësinë e ibadetit, e të vjel frytet e saj, e të kënaqet me mirësitë e saj, duhet t’i merr shkaqet që sjellin atë kënaqësi, dhe njëkohësisht të largohet nga gjërat që pengojnë dhe të largojnë nga kënaqësia e ibadetit.

Përktheu: Shpend Zeneli


[1] Libri (El Vabil es Sajib) fq. (69).

[2] Libri (Medarixhu Salikin) (2/373)

[3] Libri (Hiljetul Evlija) (2/321)

[4] E shënon Buhariu dhe Muslimi.

[5] E shënon Buhariu dhe Muslimi.

[6] E shënon Ahmedi, Nesaiu, hadithi është autentik.

[7] E shënon Ebu Davudi dhe Ahmedi, hadithi është autentik.

GJITHASHTU NË ALBISLAM