Pyetja: A i ndëshkon Allahu fëmijët për mëkatet që kanë bërë prindërit e tyre?
Allahu i Lartësuar thotë:”Kush udhëzohet, udhëzohet për të mirën e vet, e kush humbet, humbet në dëm të vetin. Asnjë barrëmbajtës nuk mban barrën e tjetrit. Ne nuk dënojmë derisa të dërgojmë një të dërguar.” (Isra: 15)
“Çdo njeri është peng i asaj që ka fituar vetë.” (Mudethir: 38)
“E atyre që besuan dhe pasuan pasardhësit e tyre në besim, Ne do t’ua bashkojmë atyre pasardhësit e tyre, dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga veprat e tyre. Çdo njeri është peng i asaj që ka vepruar vetë.”(Tur: 21)
Këto ajete dhe të tjera të ngjashme tregojnë se Allahu nuk e dënon askënd për gabimin apo mëkatin e një tjetri. Kjo është një e vërtetë e pranuar në lidhje me Ditën e Gjykimit dhe ndëshkimin në ahiret.
Por në këtë dynja, ndonjëherë të pafajshmit mund të preken nga ndëshkimi për shkak të mëkateve të të tjerëve, në rastet kur ndëshkimi është i përgjithshëm, siç janë tërmetet apo fundosjet për shkak të përhapjes së mëkateve.
Siç transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ummul-mu’minin Aisheja r.a, Pejgamberi (lavdia dhe paqja qoftë mbi të) ka thënë:“Do të niset një ushtri drejt Qabes, dhe kur të jenë në një vend të sheshtë, do të fundoset toka nën ta – të parët dhe të fundit.”
Aisheja pyeti: “O i Dërguar i Allahut! Si do të fundoset toka me të gjithë, kur në mesin e tyre ka edhe tregtarë dhe njerëz që nuk janë pjesë e tyre?”
Pejgamberi u përgjigj: “Do të fundoset toka me të gjithë, por secili do të ringjallet sipas qëllimit të tij.”Po ashtu, në një nga lutjet që gjenden në Kuran thuhet:”Mos na dëno për shkak të asaj që kanë bërë të marrët ndër ne.” (A’raf: 155)
Kjo tregon se fëmijët dhe të tjerët mund të pësojnë ndëshkime në këtë botë për shkak të përhapjes së mëkateve në mesin e njerëzve. Mirëpo, Allahu do t’i shpërblejë të pafajshmit me të mira në botën tjetër.
Gjithashtu, kur prindërit janë mëkatarë, kjo ndikon te fëmijët e tyre – nga imitimi, nga urrejtja që kanë njerëzit ndaj tyre për shkak të prindërve, dhe nga dëmi që vjen si pasojë e jetës në një ambient mëkatar. Këto janë një lloj pasojash në jetën e kësaj bote.
Sa i përket ahiretit – çdo njeri është përgjegjës për veprën e tij para Allahut.Në këtë kontekst, kuptohet edhe hadithi kudsij që transmetohet nga Ahmed ibn Hanbeli:“Kur të më binden, Unë jam i kënaqur. Kur jam i kënaqur, bekimi Im zbret mbi ta, dhe bekimi Im nuk ka fund. Kur më kundërshtojnë, Unë zemërohem, dhe kur zemërohem, i mallkoj, dhe mallkimi Im shkon deri te brezi i shtatë.”
(Kjo thënie transmetohet nda Vehb b. Munebih i cili njihet për shpërndarjen e israilijatëve, shën: përkthyesi)Kjo tregon rëndësinë e sjelljes dhe pasojat e saj në jetën e kësaj bote.
Gjithashtu, Pejgamberi ka thënë:“Zgjidhni mirë për farën tuaj, sepse gjaku ka ndikim.” (Hadith daif; shën: përkthyesi)
Dhe Ebu Esved Ed-Dueli u tha fëmijëve të tij:“Ju kam bërë mirë si të vegjël, si të rritur dhe para se të lindni – duke zgjedhur për ju një nënë që të mos ju ofendojnë për të.”Pra, padrejtësitë dhe mëkatet e prindërve mund të ndikojnë te fëmijët në jetën e kësaj bote, por jo në botën tjetër – aty secili do të gjykohet sipas veprave të veta.
(Fetvat e Ez’herit – Mufti: Atijeh Sakër, maj 1997)
Përktheu nga arabishtja: Agim Bekiri 11/05/2025