PENDIMI DHE MËSHIRA E GJERË E ALLAHUT

PENDIMI DHE MËSHIRA E GJERË E ALLAHUT

0 13776

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut i Cili i fal mëkatet, i mbulon të metat dhe i pranon pendimet. Atë e falënderoj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

Të birin e Ademit e rrethojnë armiq të shumtë prej shejtanëve njerëz dhe xhind të cilët ia hijeshojnë të keqen dhe ia shëmtojnë të mirën. Këtyre i bashkëngjiten edhe shpirti i cili është fort i prirë për të keqe dhe epshi, dy armiq të rrezikshëm për njeriun, të cilët e thërrasin në pasimin e epsheve dhe e drejtojnë drejt veprave të liga. Këta armiq së bashku të birin e Ademit e fusin në mëkate, të vogla e të mëdha, ia hijeshojnë dynjanë dhe thirrësit në të derisa i biri i Ademit fillon të fundoset në to e t’i ngushtohet gjoksi prej mëkateve dhe t’i duket se i mbyllet para tij dera e shpresës e të hyn në rrethin e dëshpërimit prej mëshirës së Allahut.

Mirëpo, Allahu është i Gjithëdijshmi dhe i Urti, i Dhembshuri dhe Mëshirëploti  i Cili e di çdo gjë që ka krijuar dhe Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuar. Për robërit e Tij e hapi derën e pendimit, i drejtoi drejt istigfarit, veprat e mira të tyre i bëri të jenë shkak i faljes së mëkateve dhe belat të jenë shkak i larjes së gjynaheve. Madje i Lartësuari prej meritës dhe bujarisë së Tij bëri që t’u zëvendësohen mëkatet me sevape: “Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme”. Nisa 27-28.

Allahu pendimin e bëri strehë dhe mburojë ku i penduari strehohet në të duke e pranuar fajin e gabimin, duke kërkuar falje për veprat e tij me bindje se më nuk do t’i kthehet asnjëherë dhe duke shpresuar në Allahun për mëshirë. Pendimi i sinqertë dhe i vërtetë i shlyen mëkatet sado që të jenë ato të mëdha duke e përfshirë këtu edhe shirkun dhe kufrin: “Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara”. Enfal 38. Vrasësve të Pejgamberëve të Allahut të cilët thanë se Allahu është tre dhe të cilët thanë se Isa i biri i Merjemes është i biri i Zotit, Allahu na ruajt prej këtyre fjalëve, Allahu iu drejtua dhe u tha: “Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”. Maide 74.

Allahu i hapi dyert e Tij për të gjithë të penduarit, e zgjat Dorën e Tij gjatë natës që t’ia falë mëkatarit të ditës dhe e zgjat Dorën e Tij gjatë ditës që t’ia falë mëkatarit të natës, dhe në një hadith Kudsij tha: “O robërit e Mi! Ju bëni mëkate natë e ditë e Unë i shlyej të gjitha mëkatet. Pra, kërkoni nga Unë falje dhe Unë do t’ju fal!”. Kurse në Librin e Tij tha: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti”. Zumer 53, dhe “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë”. Nisa 110. Kush mendon se ka mëkat që nuk falet prej Allahut vetëm se ka menduar keq për Allahun. Sa prej njerëzve kanë qenë prej vëllezërve dhe dashamirëve të shejtanëve mirëpo Allahu ua pranoi pendimet e tyre dhe ua fali gjynahet e tyre dhe u bënë prej të devotshmëve që e falin namazin thirrin në të mirën dhe ndalojnë nga e keqja dhe e shpresojnë mëshirën e Allahut.

O ju musliman, kush është fëlliqur me diçka nga fëlliqësira e mëkateve le të shpejton që të pastrohet me ujin e pendimit dhe istigfarit për arsye se Allahu i donë ata që pendohen dhe ata që pastrohen (prej mëkateve). Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcjell një hadith ku i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Një rob (i Allahut) bëri një mëkat dhe tha: “O Zoti im, ma fal mëkatin!”. Allahu atëherë  tha:“Robi Im ka bërë një mëkat duke e ditur se Zoti i tij i fal mëkatet, por edhe dënon për ta”. Robi përsëri bëri një mëkat tjetër dhe tha: “O Zot, ma fal mëkatin!” I Lartmadhëruari tha: “Robi Im ka bërë një mëkat dhe ka ditur se Zoti i tij fal dhe dënon”. Robi bëri edhe një mëkat dhe përsëri tha:  “O Zot, ma fal mëkatin”. Dhe i Lartmadhëruari tha: “Robi Im e ka bërë mëkatin duke e ditur se Zoti i tij fal dhe dënon për mëkatet. Vepro çka të duash, Unë të kam falë!”.

Ukbeh ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcjell se një njeri kishte ardhur tek i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, nëse robi bën mëkat çka bëhet”. Iu përgjigj: “I shënohet ajo vepër”. Por nëse pendohet, i tha. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “I falet mëkati dhe i pranohet pendimi”. Nëse prapë i kthehet mëkatit, i tha. Iu përgjigj: “I shënohet ajo vepër”. Por nëse kërkon falje dhe pendohet, i tha. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “I falet mëkati dhe i pranohet pendimi dhe Allahu nuk mërzitet që t’ua fal mëkatet derisa ju të mërziteni të kërkoni falje prej Allahut”.

 

Është pyetur Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për robin që bën mëkat dhe ka thënë: “Le të kërkon falje se Allahu ia falë”. I është thënë: “Po nëse prapë kthehet”.  Është përgjigjur: “Le të kërkon falje se Allahu ia falë”. Prapë i është thënë: “”Po nëse prapë kthehet”. Është përgjigjur: “Le të kërkon falje se Allahu ia falë”. Po deri kur kështu, është pyetur. Tha: “Derisa shejtani të bëhet i pikëlluari dhe i brengosuri”.

Është pyetur Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, se a nuk është turp për ndonjërin nga ne që t’i pendohemi Allahut e pastaj t’i kthehemi mëkatit, e pastaj prapë t’i kthehemi pendimit e pastaj mëkatit? U përgjigj: “Kishte pasur dëshirë shejtani që t’ju fiton në këtë mënyrë. Për këtë arsye mos u mërzitni asnjëherë prej istigfarit”.

O ju musliman, përveç pendimit dhe istigfarit veprat e mira prej adhurimeve detyruese dhe vullnetare janë shkak për shlyerjen e mëkateve dhe ngritjen e gradave. Pastrimi, agjërimi, lëmoshat, haxhi, xhihadi, e shumë vepra të tjera janë shkaqe për faljen e mëkateve. Kush pastrohet në shtëpinë e vet e pastaj niset për në njërën nga shtëpitë e Allahut dhe në të e fal farzin prej farzeve të Allahut, hapat e tij për në xhami do të bahen shkak për faljen e gjynaheve dhe ngritjen e gradave. Pesë kohërat e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, ramazani deri në ramazanin tjetër, i fshijnë mëkatet që janë ndërmjet tyre, për aq sa iu largohet mëkateve të mëdha. Ai i cili pastron trupin ditën e xhuma, pastaj niset për ta falur namazin, i falë ato që është i detyruar t’i falë, e dëgjon hutben me vëmendje, pastaj falet me imamin, Allahu ia falë mëkatet nga kjo xhuma deri në xhumanë tjetër, dhe për tri ditë të tjera shtesë. Ky kapitull është shumë i gjerë dhe në të hyn poashtu edhe morali i lartë, kërkimi i diturisë, prezantimi në mexhlise ku përmendet Allahu, ushqimi të varfërve, mëshira ndaj kafshëve, largimi i pengesave prej rruge, për këtë arsye përgëzohuni, veproni mos u mërzitni dhe keni mendim të mirë për Allahun.

 

Poashtu shkaqeve që i shlyejnë mëkatet u shtohet edhe ajo që e godet muslimanin nga belat dhe sprovat në fëmi, pasuri apo trup dhe nga ajo që e ballafaqon gjatë jetës prej problemeve e brengave. Këto të gjitha janë shkaqe për faljen e mëkateve dhe larjen e gjynaheve dhe ngritjen e gradave.

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, shënon një hadith nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë:  “Nuk e godet muslimanin asnjë lodhje, asnjë sëmundje, asnjë shqetësim, asnjë trishtim, asnjë vuajtje, dhe asnjë mjerim bile asnjë gjemb që e shpon, përveç se t’i fal Allahu me të prej mëkateve të tij”. 

Ebu Hurejre, Allahu qoftë kënaqur prej tij,  me një hadith tjetër rrëfen se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Vazhdon besimtari apo besimtarja me bela (fatkeqësi) në trupin, pasurinë apo fëmijën e tij/saj, derisa ta takojë Allahun e të mos ketë asnjë mëkat”.

O ju musliman, robi nëse i drejtohet Allahut me synim të vërtetë dhe pendim të sinqertë i bindur në mëshirën e Allahut dhe përpiqet në veprimin e veprave të mira, në zemrën e tij depërton qetësia, hapen dyert e shpresës, e kthen vetëbesimin dhe mbulohet me mbulesën e Allahut.

Allahu, azze ue xhel, thotë: O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë“. Tehrim 8.

Hutbeja e dytë

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të të mirave. Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju besimtar, frikojuni Allahut dhe dijeni se ka prej njerëzve që i mashtron shpresa e gjatë apo rinia apo pasuria e begatitë, bëjnë mëkate dhe e vonojnë pendimin. Ky lloj i njerëzve nuk e mashtron vetëm se vetveten, nuk e mendon dënimin dhe nuk i frikohet përfundimit të keq dhe në fund caktimi i Allahut e gjen të papërgatitur: “Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. Nisa 18.

Ka prej njerëzve të cilët kur bëjnë mëkat nxitojnë në pendim. Këta janë bërë kujdestar të vetvetes që nxitojnë në larjen e gjynaheve duke kërkuar falje dhe duke vepruar vepra të mira dhe duke i shpresuar xhenetin, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)“. Ali Imran 135-136.

nga arabishtja: Irfan JAHIU

GJITHASHTU NË ALBISLAM