Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
O ju musliman,
Koha vetvetiu ecën shpejt dhe ai që është i shkujdesur në jetë harron se koha e tij me shpejtësi të madhe do t’i kalon e më vonë edhe do ta shkatërron dhe do të bëhet shkak për brenga e pikëllim. Për këtë arsye njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm për vlerën e kohës dhe mos ta harxhon atë në gjëra të kota me të cilat Allahu nuk është i kënaqur. Në vazhdim do t’i cekim disa porosi të cilat shpresojmë që muslimanit do t’ia lehtësojnë kuptimin e udhëtimit dhe pushimit në përgjithësi e atij veror në veçanti.
Porosia e parë: Udhëtimet më të mira janë ato që e kënaqin Allahun. Udhëtimet e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, pas shpalljes silleshin mes udhëtimit të tij për në hixhret dhe udhëtimit të tij për në luftëra të cilat ishin edhe më të shumtat, dhe mes udhëtimit të tij për në Haxh dhe Umre. Udhëtari gjatë udhëtimit të tij i sheh çudirat e vendeve, bukuritë e tokës dhe gjurmët e tij të cilat ia shtojnë imanin në fuqinë e Allahut dhe e nxisin në falënderimin e begative të Allahut: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin”.Ankebut 20. Poashtu, gjatë udhëtimit largohet mërzia e shtohet lumturia, merren mësime rreth popujve që kanë jetuar më herët, fitohet dituri dhe edukatë, dhe fitohet shoqëri dhe furnizim për të mbijetuar: “Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai”. Mulk 15.
Porosia e dytë: Udhëto vetëm se me shoqëri të mirë. Gjatë udhëtimit pajisu me moralin më të lartë dhe sjelljet më të mira dhe kërko gjatë udhëtimit tënd një shok të drejtë dhe të devotshëm. Nëse të ngushtohen punët gjatë udhëtimit ai do të ndihmon dhe problemet do t’i lehtëson. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Mos u shoqëro me njeri mëkatar, se ai ta zbukuron veprën e tij dhe dëshiron që të bëhesh si ai dhe tenton t’i zbukuron cilësitë më të shëmtuara”.
Porosia e tretë: Pasoje traditën e Pejgamberit tënd, alejhi salatu ue selam. Ai kur udhëtonte dilte herët në mëngjes dhe e pëlqente që të udhëton ditën e enjte. Udhëtarët i urdhëronte që nëse janë tre në numër të marrin si udhëheqës njërin prej tyre dhe e urrente që njeriu të udhëton i vetëm pa shoqërim.
Porosia e katërt: Allahu të ka begatuar me pasuri dhe me shëndet kurse shumë të tjerë i ka privuar prej këtyre begative. Për këtë arsye le të jetë udhëtimi jot vetëm se për në ndonjë çështje të lejuar dhe ke kujdes prej udhëtimit në haram. Ai që udhëton në udhëtim haram morali i tij i ndërrohet dhe feja e tij ndoshta i shkatërrohet. Muhamed ibën el Fadël, Allahu e mëshiroftë, thonte: “Dyzet vite me radhë këmba ime nuk e ka bërë një hap për të udhëtuar ndokund vetëm se për Allah”.
Falënderoje Allahun për begatitë duke iu larguar mëkateve dhe ruaju prej shpenzimit të tepërt dhe të panevojshëm dhe kujtoi muslimanët e varfër të cilët kanë nevojë për pasurinë tënde.
Porosia e pestë: Gjatë udhëtimit tënd për relaksim, kujtoje udhëtimin e rëndë të dijetarëve për ta përmbledhur diturinë nëpër libra dhe për ta ruajtur këtë fe dhe për t’i dhuruar ty këto libra të cilat sot i lexon. Gjatë udhëtimit të tyre në kërkimin e diturisë dhe shënimit të historisë ballafaqoheshin me varfërinë e urinë, me rreziqet e pengesat, vetëm e vetëm që të fitojnë shpërblime dhe ta përhapin të vërtetën. Imami Is’hak ibën Mensur el Meruezij, Allahu e mëshiroftë, udhëtoi prej Nisaburit deri në Bagdad në këmbë duke i bartur librat e tij mbi shpinë dhe pyeste për meseletë e fikhut. Ibën Mendeh, Allahu e mëshiroftë, u nis për të kërkuar dituri kur i kishte vetëm se njëzet vjet. Në vendlindje u kthye kur i mbushi gjashtëdhjetë e pesë vjet, tërë kohën e kaloi në përmbledhjen e haditheve. Ebu el Alijeh, Allahu e mëshiroftë, thonte: “Ishim në Basra dhe dëgjonim transmetime nga shokët e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, por kjo nuk na kënaqte derisa udhëtonim për në Medine dhe i dëgjonim prej gojëve të tyre”.
Kjo është ambicie e lartë dhe synim i fuqishëm dhe ballafaqim me të gjitha pengesat dhe rreziqet për shërbimin e kësaj feje. Ti duke udhëtuar me familjen tënde për dëfrim e relaksim, i lumtur e i gëzuar, kujtoji vëllezërit e tu musliman të cilat u larguan prej vendbanimeve të tyre me dhunë, familjet e tyre u shpërndanë nëpër botë dhe nuk gjetën as mburojë e as strehim.
Gjatë udhëtimit tënd poashtu kujtoji dijetarët dhe si ata kujdeseshin për kohën e tyre. Hasan el Basri, Allahu e mëshiroftë, thonte: “Kam shoqëruar njerëz që e ruanin kohën e tyre më shumë se ju që i ruani dinarët dhe dërhemët e juaj”.
Porosia e gjashtë: Gjatë udhëtimit mos e harro thirrjen në fenë e Allahut. Allahu e zbret bereqetin e Tij mbi atë njeri që ia mëson të tjerëve fenë dhe këshillon për të mirë kudo që shkon. Allahu, azze ue xhel, na lajmëron për Isain, alejhi selam, dhe thotë: “Dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem”. Merjem 31. Me këtë arrin që udhëtimi yt të bëhet edhe adhurim edhe dëfrim.
Porosia e shtatë: Begatia plotësohet vetëm se kur qetësohet shpirti së bashku me trupin. Leximi i Kuranit dhe përmendja e Allahut gjatë udhëtimit i jep udhëtimit qetësi dhe rehati. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. Rad 28. Me këtë begatohet trupi dhe kënaqet shpirti dhe të plotësohen dy begatitë.
Vëlla musliman, kjo fe ka zbritur që ta mbron fenë e njeriut prej dyshimeve dhe epsheve dhe sprovave të ndryshme. Kohëve të fundit disa prej njerëzve janë sprovuar duke udhëtuar nëpër vende me të cilat nuk është i kënaqur Allahu, vende ku nuk respektohen ligjet e Allahut dhe u rrezikohet njerëzve feja dhe nderi i tyre. Allahu disa njerëzve ua ka lehtësuar udhëtimin për në ato vende me qëllim që tua merr shpirtin në ato vende. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kur Allahu ia cakton robit të vdes me një tokë, ia bën që të ketë nevojë për të dhe të niset kah ajo”.
Ato vende janë të shkatërruara në moral dhe sjellje, janë sprovuar me dashurinë ndaj kësaj dynjaje dhe janë kapur për botën materiale duke e harruar atë shpirtërore. Për këtë arsye mos i merr lakmi pasurisë së tyre dhe jetës së tyre se Allahu për ta thotë: “Mos u josh (o Muhamed)nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, kështu që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë”. Teube 55, dhe thotë: “Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm”. Rum 7.
Nëse dëshiron pushim udhëto për në Meke, tokën më të dashur të Allahut, kryeje Umren e cila është shkak për faljen e mëkateve dhe një namaz në Harem është i barabartë me njëqind mijë namaze. Poashtu udhëto për në Medine dhe vizitoje xhaminë e të Dërguarit të Allahut,alejhi salatu ue selam, ku namazi në të është i barabartë me një mijë namaze. Për ty ky udhëtim do të jetë një udhëtim imanor ku do t’i fitosh mirësitë e kësaj bote dhe botës tjetër. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin”. Ankebut 20.
nga arabishtja: Irfan JAHIU