LETËR IMAMIT TË XHAMISË

LETËR IMAMIT TË XHAMISË

0 1759

 I lavd-falënderuar është Allahu i Lartësuar. Ai i cili meriton salavatet dhe selamet është Muhamedi  dhe familja e tij.

 I nderuari imam i xhamisë!

 ESELAMU ALJEKUM VE RAHMETULLA

(Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi ty)

 Fillimisht pranoni përshëndetjet tona, lus Allahun e Lartësuar t’ju dhuroj çdo të mirë në të dy botët. Je i respektuar dhe i nderuar si imam dhe prijatarë i xhamisë, të kujtojmë çdo herë për të mirë. Ke një zë të bukur kur e lexon Kuranin drejtë dhe mirë gjatë namazeve ditore, padyshim që ia tërheq vëmendjen edhe xhamatit.

I nderuari imam!

Ke një detyrë shumë të rëndësishme, atëherë ke frikë Allahun me devotshmëri dhe sinqeritet (ihlasë) dhe bëhu i kujdesshëm në kryerjen e detyrës, mos u bën përtac e të tregohesh i papërgjegjshëm.

Xhemati të pret në xhami pesë herë në ditë, atëherë angazhohu që të jesh në nivel të detyrës duke e këshilluar xhamatin, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre me dituri, duke e udhëzuar të humburin dhe duk e kujtuar të pavëmendshmin.

Angazhohu që fjalët dhe këshillat tua të jenë për nivelin e përgjithshëm të xhematit, ti përgjigjesh me maturi dhe urtësi nevojave të tyre. Njerëzit kanë nevojë për ty dhe për diturinë tënde. Mos harro se ti nuk je vetëm imam që ia falë namazin xhematit dhe me kaq përfundon detyra jote. Padyshim që kjo është detyra jote kryesore. Por ti ke edhe detyra tjera ato janë edhe më të mëdha se sa ti i parafytyron. Para se të jesh ti imam, je thirrës në rrugën e Allahut të Lartësuar, udhëzues dhe drejtues i njerëzve në përgjithësi.

I nderuari imam!

Krijo klimë të besimit në xhaminë ku je duke kryer detyrën, duke u angazhuar që edhe mjetet teknike (si klima, pastërtia, parfumet) të ofrojnë rahati dhe qetësi në xhami, vetëm e vetëm që besimtarët të keni mundësi të kryejnë ibadetet (adhurimet) me qetësi.

Mos harro që të zhvillosh kurse në xhaminë tënde për tua mësuar leximin Kuranit të gjitha shtresave fëmijëve, të rive, pleqve. Ti je në një pozitë ku ta kanë lakmi të tjerët, ti je në listën e njerëzve të zgjedhur ndër më të mirët. Kujto fjalët Muhamedit sal-lallahu alejhi ve selem ku thotë: “Më i mirë prej juve është ai që e mëson Kuranin dhe ia mëson të tjerëve.”

Padyshim që ti e din se xhamia është shtëpi e Allahut ku mësohet çdo gjë që ka të bëjë me dynjanë dhe ahiretin. Xhamia ka një funksion shumë të gjerë dhe hapësira e sajë duhet të shfrytëzohet. Me një fjalë xhamia ka një mision shumë të madh, dhe këtë përgjegjësi e ka imami i xhamisë që t’ia kthej vlerën xhamisë dhe pozitën e sajë ndikuese dhe vepruese.

O imam i xhamisë!

Ke parasysh disa veprime që duhesh të bësh në xhaminë tënde:

–      Sinqeriteti dhe besnikëria që janë parakushte për ta synuar kënaqësinë e Allahut.

–      Puno me dituri që të ketë dobi daveti (thirrja) Islam.

–      Krijo klimë veprimi në xhami, duke qenë i dashur dhe i urtë me xhematin. Jo të kesh natyrë të rëndë dhe urrejtëse, duke i injoruar me fjalë fyese e nënçmuese.

–      Bëhu i kujdesshëm në faljen e namazit mos e zgjatë shumë që njerëzit të mërziten, por edhe jo ta bësh namazin vetëm formalisht, me nguti duke mos përjetuar kënaqësinë shpirtërore.

–      Kujtoje çdo herë xhematin me rregullat e namazit si duhet të falen, cilat janë farzet, vaxhibet, sunetet e namazit, si duhet të bëhet sexhdeja, rukuja, duke mos u ngutur. Gjithashtu kujdesi për rreshtimin e safave drejtë dhe mirë.

–      Bëhu i rregullt në xhami, duke i falur të gjitha kohët së bashku me xhematin. Mos mungo në namazin e sabahut. Ti je i vetëdijshëm, po të mos ishe në detyrën e imamit ti përsëri do ta falësh namazin e sabahut ne xhami.

–      Për çdo xhuma përgatitu për ligjëratën në hytbe, kushtoj kujdes fjalimit tënd duke lexuar dhe ofruar myslimanëve këshilla dhe sugjerime të nevojshme dhe të domosdoshme.

–      Ke parasysh se xhamti të dëgjon me vëmendje, dhe fjalimin tënd e mban në mendje, por ti mos  lejo që të njëjtën ligjëratë ta përsëritësh disa herë, siç veprojnë disa hoxhallarë, unë e di se ti nuk je prej atyre.

–      Imam duhesh ta jesh i përgjegjshëm, detyra juaj nuk është thjeshtë punë në ndonjërën organizatë ose kompani, por ti je prijatar (imam) me përgjegjësi në shtëpinë e Allahut të Lartësuar. Punëtor i Allahut të Lartësuar në shtëpinë e Tij.

–      Shfrytëzo mundësinë që gjatë ditëve të javës të organizosh kurse, ligjërata. Për çdo të premte përgatit ndonjë fletushkë dhe shpërndaja besimtarëve.

Allahu të ruajë dhe të nderonte me të mirat e Tij, i nderuari  imam, shpresoj që ti do të jesh njëri prej atyre që ke kuptuar rolin dhe detyrën e imamit në shtëpinë e Allahut të Lartësuar.

Padyshim që ti nuk je prej atyre imamëve që nuk falen në xhami, apo i falin vetëm dy apo tre namaze; nuk e falin namazin e sabahut me xhemat në xhami; xhaminë e konsiderojnë thjeshtë vetëm për ta marr një rrogë; në kohë të namazit janë në kafe duke luajtur ndërsa ezani thërret; propagandojnë në xhami për bidate; vazhdimisht i përsërisin hytbet e njëjta vetëm sa për “t’ja bërë adetin”; injorojnë xhematin; nuk ua mësojnë myslimanëve leximin e Kuranit; flasin para xhematit pa dituri; japin feta duke e lejuar atë që Allahu e ka bërë haram (të ndaluar). Allahu na ruajt nga këto veprime.

Në fund të kësaj letre, ia kujtoj vetes dhe ty imam i nderuar “ke frikë Allahun e Lartësuar”. Do të japësh llogari për detyrën që ke. Mos e harro llogarinë para Allahut të Lartësuar.

Imam i nderuar kur të thotë një besimtarë “ke frikë Allahun” mos e ndiej veten keq, por këtë llogarite për të mirë. Allahu i Lartësuar iu drejtua Muhamedit sal-lallahu alejhi ve selem duke i thënë:

O i Dërguar! Kije frikë Allahun dhe mos i dëgjo jobesimtarët dhe hipokritët! Me të vërtetë, Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm, Bindju asaj që të është shpallur ty nga Zoti yt, se vërtet, Allahu e di mirë se çfarë bëni! Mbështetu tek Allahu; Allahu të mjafton si mbrojtës! ” (Ahzab, 1-3)

 Selamu alejkum ve rahemtullah.

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 592