DJE ERDHE, KURSE SOT…

DJE ERDHE, KURSE SOT…

0 1848

…erdhe në këtë botë dhe se vetëm ty t’u dëgjua zëri i vajit, kurse të tjerëve, zëri i gëzimit. Nuk munde as vetë të kuptosh të qarit tënd, por të tjerëve u ke dhënë hare në zemrat e tyre. Dy lloj lotësh u përzien në këtë çast. Edhe pse ishe i vetëm, përsëri lotët e tu ishin më të shumta se sa të tjerëve.


 Vaji yt u bë gëzim në shpirtrat e tyre. Ndoshta të qarit tënd ishte si i të tjerëve, e kam fjalën, edhe ti u gëzove se u çlirove nga “kafazi” i nënës, ngase kafazi sado që të jetë i gjerë, përsëri kafaz i thonë. Apo, ndoshta ishte si shkak i… As vetë nuk po dijë ta përkufizojë këtë. Vetëm se e di që goja jote tërë kohën të rrinte hapur nga zëri që dilte prej aty. Apo ndoshta arsyet kryesore janë vuajtjet tuaja që do t’i përjetosh në këtë botë, të cilat të nxitën në vajë.

Mbete i rrethuar nga shikimet e të tjerëve, kurse vetë nuk shikoje askënd, ngase lotët nuk të jepnin hapësirë për një gjë të tillë. Të gjithë u gëzuan për ty, kurse ti nuk dije që të kënaqeshe në një atmosferë të këtillë. Ndoshta ishe i privuar nga kjo, apo ndoshta arsyeja qëndronte diku tjetër. Me gëzim të madh të kanë pritur që të jesh në mesin e tyre, kurse ti nuk e kuptoje këtë. Mbete disi i hutuar në një botë të pakuptimtë për ty, edhe pse për të tjerët ishe i qartë si drita e diellit.

Gëzim të madh fute në zemrat e të tjerëve, kurse këtë gëzim ti nuk dije ta përjetoje në zemrën tënde. Kjo gjendje për ty ishte një ëndërr e paqartë, ndërsa për të tjerët ishte një realitet i papërshkruar. Me ardhjen tënde, pamje të lumtur mori e tërë familja, edhe pse ti ishe i privuar që ta ndieje këtë lumturi. Ti nuk dije asgjë për askënd, ndërsa të tjerët dinin shumë për ty. Të gjithë flisnin për ty, kurse ti nuk flisje me askënd. Pra, ti ishe në qendër të vëmendjes, ndërsa për këtë ti nuk dije asgjë. Kështu, ardhja jote dha një kuptim të madh në jetë për të tjerët, e ti, e ti nuk ishe i aftë që ta kuptoje këtë. Bota është kuptimplotë, e për ty ajo thuajse që nuk ekzistonte fare, ngase ti nga ajo nuk dije asgjë… Në fakt, kur erdhe ju ke dhënë gëzim të tjerëve, mirëpo kur do të ndahesh…

Kur do të ndahesh nuk do të jesh i njëjtë sikurse kur ke ardhur. Do të pësosh ndryshim. Një ndryshim i tërësishëm do të të kaplojë ty, por edhe ata përreth teje. Më nuk do të jesh ai që ishe. Tërë qenia jote do të transformohet në një qenie tjetër, dua të them, sikurse të bëhet fjalë për dikë tjetër, e jo për ty. Do të futesh në një botë që do të duket sikurse “kafazi” i nënës. Asgjë nuk do të duket e qartë. Gjithçka për ty do të merr pamje turbulluese. Ajo botë do të jetë e veçantë vetëm për ty, ngase të tjerët që do të jenë përreth teje nuk do të kuptojnë asgjë prej saj. Ashtu sikurse ti nuk e kuptoje botën e errët të nënës tënde sa ishe në barkun e saj, po ashtu edhe ata nuk do të jenë të gjendje të kuptojnë asgjë prej saj, derisa ta përjetojnë vetë.

Mendo për këtë gjendje! Kur erdhe ishin të lumtur me ty, e tani kur po ndahesh, po të përcjellin me lot në sy. Kujto se kur erdhe ju ke dhënë gëzim të gjithëve, kurse tani kur do të ndahesh, të gjithë do të qajnë për ty. Përsëri lotët po të përcjellin. Si kur erdhe, si kur do të shkosh, me lot në sy po i lenë. Mirëpo, lotët që po rrjedhin nga sytë e tyre nuk po mbesin të njëjta. Në fillim ishin të gëzimit, ndërsa tani të pikëllimit. Pra, paska dy lloje lotësh. Këto të fundit po e therin më tepër zemrën e njeriut se sa ato të parat. Ndoshta shkaku është se njeriu të mirën e harron më shpejt, kurse e hidhëta lenë gjurmë të rënda në shpirtin dhe në zemrën e njeriut. Në të dy periudhat, jeta e njeriut qenka e mbushur me lot. Kurse për atë po mbesin si të paqarta.

Kur erdhe nuk dije asgjë, por edhe tani kur po ndahesh, përsëri për ata që janë përreth teje nuk din asgjë, ngase je i preokupuar me vetveten. Kur linde, nuk dije asgjë gjuhë tjetër, përveç atë të vajit, kurse tani e di gjuhën e tyre, mirëpo je në bisedë me dikë tjetër. Po ndahesh prej tyre, por nuk po di të thuash përshëndetjen e lamtumirës. Nuk di çka do të pret dhe me çka do të ballafaqohesh. Ke dëgjuar se si do të jetë fundi i njeriut, kurse tani je duke e përjetuar të dëgjuarën, në fakt, asaj të cilës i besoje. Sikurse kur linde, sikurse tani, përsëri po mbetesh i vetmuar.

Edhe pse jetoje në mesin e njerëzve sa ishe në këtë botë, por tani po kthehesh në origjinën tënde. Kështu, të vetëm të lindi nëna, e tani i vetëm po ndahesh prej tyre…

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 593