ZOTI IM MOS E DËNO GJUHËN QË NJOFTON PËR TY

ZOTI IM MOS E DËNO GJUHËN QË NJOFTON PËR TY

0 12255

Zoti im mos e dëno gjuhën që njofton për Ty, as syrin që shikon në shkencat që udhëzojnë drejt Teje, as dorën që i shënon hadithet e të Dërguarit tënd, me Madhërinë Tënde më mbro prej zjarrit.

Kështu Ibën Xheuziu e luste Allahun, subhanehu ue te’ala, e jo rrallëherë thoshte: Na mëshiro për çastet në të cilat nuk Të kemi kujtuar dhe për mëlçinë që digjet për shkak të largësisë prej Teje. (Dhejl Tabekatil Hanabile, 1/422)

Nënshtrimi dhe dorëzimi para Allahut janë prej ibadeteve më madhështore dhe prej gjëra që më shumë afrojnë pranë Tij. Duaja është ibadet i cili në vete ngërthen aspekte të shumta të ibadeteve sikur, dorëzimi i plotë Allahut, anim kah mirësitë që i posedon, mbështetja në Të dhe shprehja e nevojës dhe varfërisë për të mirat e Tij. (Redd alel muste’inine bi gajril-lah, fq. 48)

Mutarrif ibën Abdullah Shih-hiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: Mendova cili është përmbledhësi  i hairit dhe thash hairi është në shumë namaz dhe agjërim. Pastaj kuptova se të gjitha këto janë në dorën e Allahut, subhanehu ue te’ala, dhe nuk kemi rrugë tjetër për të arritur tek ato të mira përveç duke i kërkuar prej Tij. Kështu e kuptova se ajka e çdo të mire është  duaja. (El Ibane, 2/195)

Sehl Tusturiu, Allahu e mëshiroftë, thoshte: Nuk ka rrugë më të shkurtë mes robit dhe Allahut se sa shprehja e nevojës për Allahun. (Mexhmu’ul fetava, 10/108)

Pasi e dimë se Allahu nuk krijon sherr të pastër duhet ta dimë se sprovat e njëpasnjëshme me të cilat ballafaqohet umeti në këtë kohë janë prej shkaqeve më të mëdha ti kthehemi Allahut dhe ta lusim me përulje, ta vërtetojmë njësimit (teuhidin). Për këtë shkak Ibën Tejmije shkroi: Prej plotësimit të mirësive të Allahut për robërit e Tij është edhe fakti se kur ata i kaplon ndonjë vështirësi dhe e keqe, ata kthehen në teuhidin e pastër dhe e lusin Allahun me sinqeritet. Në ato çaste shpresa e vetme e tyre është vetëm Allahu, zemrat e tyre lidhen vetëm me Allahun, në ato momente ata e realizojnë mbështetjen e plotë në Allahun  dhe i drejtohen vetëm Atij.  Në ato çaste ata shijojnë ëmbëlsinë e imanit dhe bukurinë e distancimit prej shirkut. Kjo begati është më e madhe se sa shërimi prej sëmundjes, se sa largimi i vështirësisë dhe lehtësimit. Këto të dytat janë kënaqësi trupore të kësaj dynjaje që më shumë i ndodhin jobesimtarëve sesa besimtarëve.

Kënaqësia që e përjetojnë njësuesit e Allahut, ata që e praktikojnë dinin e Allahut është më e madhe se sa mundet të shprehet, atë e përjetojnë besimtarët varësisht prej imanit. Për këtë shkak njëri prej dijetarëve të selefit ka thënë:   Bereqeti i nevojës për Allahun, që e shijoj duke u kënaqur me lutjen që ia drejtoj Allahut është më i madh se kënaqësia e largimit të vështirësisë. Prandaj shpeshherë mendoj të mos largohet ajo vështirësi që të mos largohet kjo kënaqësi shpirtërore që e ndiej. (Mexhmu’ul fetava, 10/333-334)

Vështruesi i situatës tonë sheh gaflet ndaj duasë, ose dua të cilës i mungon insistim dhe shprehje e nevojës për Allahun. Disa prej neve madje luten duke qenë të luhatshëm në bindjen e tyre, a thua vallë do të pranohet lutja ime…për këtë shkak mungon kënaqësija e lutje dhe i nënshtrimit para Zotit të botëve. Kjo kënaqësi arrihet në dy mënyra.

Njëra është t’i rikujtojmë vetës emrat e bukura të Allahut dhe atributet e Tij të larta. Ta adhurojmë Allahun me emrat dhe atributet e Allahut. Ai është Mirëbërësi, Bujari,Gjithëmëshirëshmi dhe Mëshirëploti, Sunduesi, i Pastri, Paqëdhënësi, Siguruesi, Mbizotëruesi, Fuqiploti,   Gjithëfuqishmi dhe i Madhërishmi. Ta njohim Allahun nëpërmjet mirësive dhe begative të Tij. Allahu, subhanehu ue te’ala, thotë: “Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato.” (En Nahl, 18)

“Çdo mirësi që keni, është nga Allahu.” (En Nahl, 53)

E dyta është që gjatë lutjes t’ia kujtojmë vetes nevojën tonë, dobësinë tonë, varfërinë tonë, mëkatet tona, padrejtësitë që kemi bërë, lëshimet tona…

A  nuk i sheh lutjet e të Dërguarve të Allahut, alejhimu selam, se si i përmbajnë këto dy elemente. Zekirijai, alejhi selam e bëri këtë dua: “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im!” (Merjem, 4)

Junusi në brendësinë e peshkut e bëri këtë lutje: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (El Enbija, 87)

Muhammedi, sal-lallahu alejhi ue selem, thoshte: Zotëriu i istigfarit është: Allahu im ti je Zoti im, s’ka hyjni tjetër përveç Teje, me ke krijuar e unë jam robi Yt, në premtim dhe marrëveshjen Tënde do të qëndroj aq sa mundem,  kërkoj strehim për të këqijat që i kam bërë, i pranoj mirësitë e Tua ndaj meje dhe i pranoj mëkatet e mia. Më fal sepse askush përveç Teje nuk i fal mëkatet. (Sahihu i Buhariut)

Abdul Melik ibën Mervani mbajti një hutbe prekëse të cilën e ndërpreu qarja e tij e gjatë pas të cilës tha:Zoti im mëkatet e mia janë të mëdha, por pak prej faljes tënde është më e madhe se sa mëkatet e mia. Allahu im me pak prej faljes Tënde, fshiji mëkatet e mia të mëdha. Kur këtë e dëgjoi Hasan Basriu qajti dhe tha: Po të shkruheshin fjalët me arë do të shkruheshin këto fjalë. (El Bidaje ven Nihaje, 9/67)

Ibën Tejmije edhe pse nuk pajtohej me skajshmërinë në fjalët e poetit El Mutebeni i cili i thuri këto vargje:

O Ti tek i cili i kërkoj ato që i shpresoj

Dhe tek i cili strehohem nga ato që i kam drojë

Nuk e drejtojnë dot njerëzit ashtin të cilin Allahu e then

E as që thyhet dot ashti të cilin Allahu e ka drejtuar

 

Thoshte: Ndodhte që këto fjalë ti them në lutjen që e bëja në sexhde për shkak të nënshtrimit dhe përuljen ndaj Allahut që shprehen në këto dy vargje. (El Bidaje ven Nihaje, 11/259)

Ebul Husejn Er Razi është parë në ëndërr pas vdekjes së tij dhe është pyetur: Çfarë bëri Allahu me ty? Ai është përgjigjur më fali për shkak të fjalëve që i thash në shtratin e vdekjes: O Allah i këshilloja njerëzit me fjalë ndërsa veten e tradhtoja me vepra. Allahu im jepma shpërblimin për këshillat dhe mos më dëno për veprat. (El Bidaje ven Nihaje, 11/127)

Këtë shkrim do ta përfundoj me një prej lutjeve që i bënte i dërguari i Allahut, i zgjedhuri, sal-lallahu alejhi ue selem: Allahu im Ti i dëgjon fjalët e mia, e sheh vendin tim dhe i di fshehtësitë e mia dhe ato që i bëj publikisht. Asgjë prej çështjes time nuk është e fshehur për Ty, unë jam nevojtari i mjerë, ai që kërkon ndihmë dhe strehim, që ka frikë dhe shpreson, që i pranon gabimet që ka bërë, të lus ashtu si lyp lypësi, si përgjëron mëkatari që ka nënçmuar veten, të lus me lutjen e të frikësuarit dhe të dëmtuarit, me lutjen e atij që para teje ka përulur qafën, ka nënshtruar trupin, e ka ulur unin. Allahu im mos më le pa shpresë për lutjen time, trego ndaj meje butësi dhe mëshirë, o Më i Miri pretë të cilit kërkohet dhe më i Miri që jep.(Taberani)

Përktheu: Mr. Sc. Talha Kurtishi

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 598