NEGLIZHENCA SHKATËRRUESE – VDEKJA

NEGLIZHENCA SHKATËRRUESE – VDEKJA

0 1696

Falënderimi i takon Allahut ndërsa përshëndetjet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin të cilin Allahu e dërgoi mëshirë për krijesat, mbi familjen e tij, shokët e tij, si dhe mbi gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e fundit.

Një nga këshillat që pa dyshim shpesh njerëzve u bën dobi është edhe vdekja, apo ndryshe siç ka thënë Aliu – Allahu qoftë i kënaqur me të: Vdekja është edukuesja më e mirë. Porse pikërisht kjo është një gjë që njerëzit shpesh e neglizhojnë apo thënë ndryshe neglizhenca shkatërruese e shumicës së besimtarëve…

Thotë Allahu i madhëruar: “Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi, nuk përgatiten fare për të.” (Enbija:1)

Ai i cili pak do t’i vështronte njerëzit përreth tij dhe do të meditonte, do të vërente qartë se ka një përputhshmëri të madhe mes tematikës së këtij ajeti dhe gjendjes së njerëzve sot. Dëshmi për këtë përputhshmëri është largimi i njerëzve nga praktikimi i fesë së Allahut, neglizhenca e tyre ndaj ditës së gjykimit dhe ndaj qëllimit për të cilin janë krijuar, sa për rikujtim a nuk thotë vallë Allahu: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat:56), ndërsa vërejmë sikurse nuk janë krijuar që ta adhurojnë Allahun, por sikur të ishin krijuar për këtë dynja dhe për kënaqësitë e saj.

Madje i sheh njerëzit se ata kur mendojnë, mendojnë vetëm për këtë dynja, kur duan dikë e duan vetëm për këtë dynja, nëse bëjnë ndonjë vepër e bëjnë vetëm për këtë dynja, për këtë dynja kacafyten, hidhërohen, ndahen, luftojnë, mbyten… Saqë vëren fatkeqësisht disa të cilët e lënë namazin apo e vonojnë nga koha e tij për shkak punës, apo edhe më keq, për shkak të ndeshjes futbollistike, lojërave, zbavitjes apo ndonjë takimi, duke i dhënë përparësi ndaj takimit me Allahun në namaz. Është për tu habitur, kanë kohë për çdo gjë, për punë, për sport, për kafe, për internet, për shëtitje, kurse vetëm për urdhrat e Allahut dhe të dërguarit të Tij-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk kanë kohë!

Nëse i shohim njerëzit vërejmë se shumicës së tyre Allahu u ka dhënë begati të mëdha, disa kanë arritur shumë në arsimim dhe mburren me të, apo në pasuri dhe mburren më të, apo në pasardhës dhe mburren me ta, por është për tu habitur si e harruan Krijuesin e tyre…Atë që i krijoi, u dha shëndet dhe i mban të gjallë. Allahu për të tillët thotë: “Edhe atë që dinë nga jeta e kësaj bote, është dije e cekët, por ndaj jetës së përjetshme (ndaj Ahiretit) ata janë plotësisht të verbuar”.(Rum:7) Gjithashtu për këtë jetë Allahu thotë: “Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve…” (Hadid:20) Prandaj o ju njerëz mos e shitni atë që është e përjetshme për atë që është e përkohshme, o ju robërit e Allahut mos e shihni këtë botë si qëllim të fundit të shpresave dhe si kulm i shpërblimit për ju.

 Vetëm sa për rikujtim shikoje si është përgjigjur i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, kur i është ofruar dynjaja: “Ma ofroi Allahu luginën e Bat’has të gjithën të shndërruar në ar, e unë i thashë: Jo o Zoti im, unë kërkoj prej Teje të ngopem një ditë dhe të mbetem i uritur një ditë, e kur të uritem një ditë do të drejtohem me lutje e kur të ngopem do të jem mirënjohës…”.

Madje jo vetëm kaq porse sa do që të jenë të dashura për njeriun edhe gjërat më të afërta si familja dhe pasuria ato kanë një kufi në shoqërim, thotë i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen kurse një mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse me të mbesin veprat e tij.” Pra nga ata na ndan vdekja…

Prandaj o ju besimtarë jini të kujdesshëm – madje edhe nga gjërat më parësore dhe më të dashura që i keni në jetë siç është familja – që mos t’ju devijojnë nga rruga e Allahut, sepse edhe për këtë Allahu na e ka tërhequr vërejtjen duke na thënë: “O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej adhurimit të Allahut, e kush bën ashtu të tillët janë mu ata të humburit.” (Munafikun:9)

Kur e sheh gjendjen e besimtarëve sot se si i bëjnë mëkat Allahut dhe nuk i përgjigjen urdhrave të tij lind një pyetje që të habitë: A thua vallë këta nuk besojnë se ekziston zjarri xhehenemit, apo mendojnë se zjarri është krijuar për dikë tjetër, a thua vallë aspak nuk iu kujtohen vështirësitë që po i presin, a thua vallë kanë harruar se do të përgjigjen për veprat e tyre? Thotë Allahu i Lartësuar për të tillët: “Pasha jetën tënde (o Muhammed), s’ka dyshim se ishin të humbur në dehjen e tyre”.(Hixhr:72) Gjithashtu Allahu thotë: “Thuaj: “Nëse ikët prej vdekjes ose prej mbytjes, ikja nuk do t’ju bëjë dobi, sepse edhe atëherë nuk do të (shpëtoni) përjetoni vetëm për pak kohë”. (Ahzab:16) Pra nëse mendoni se me mëkate do të jetoni dhe nuk do të ndëshkoheni në këtë botë, prisni vdekjen e cila edhe nëse vonon sipas jush, pas saj mund të pasojë edhe dënimi. Prandaj kujtoje edhe këtë thënie të të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, për ahiretin: “Sikur ta dinit atë që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë”.

Prandaj kthjellu o ti qe po e lodh trupin tënd vetëm që të arrish kënaqësi, je duke u lodhur në atë çfarë nuk të bën dobi, ktheju shpirtit tënd dhe jepja atij qetësinë sepse trupi është shërbyes ndërsa shpirti të bën njeri e ta jep kënaqësinë e vërtet. Të gjithë kohën po e humb kot duke vrapuar pas kësaj dynjaje dhe kënaqësive të saj duke e harruar Krijuesin dhe urdhrat e tij, ndërsa Ai për të tillët thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë në këtë botë dhe në ditën e kiametit do ta ringjallim të verbër.”(Ta-Ha:124)

Duke vazhduar njerëzit me këtë planprogram jete, tek shumica e njerëzve mëkatet janë bërë gjë normale madje asnjëherë nuk iu kujtohen obligimet ndaj Krijuesit të tyre, jo vetëm kaq porse i sheh duke u ndjerë edhe krenar duke thënë se “e kam zemrën e mirë” , “unë nuk i bëj keq askujt“ , “e kam pas gjyshin hoxhë” , “Allahu është falës i madh” …ah sikur ta dinin se sikur të ishte zemra e mire, ajo do t’i përgjigjej Krijuesit të saj, dhe se gjyshi s’të bën fare dobi, ashtu siç nuk i bëri dobi djalit të Nuhut -paqja e Allahut qoftë mbi të, edhe pse babai i tij ishte pejgamber.

I Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na ka këshilluar duke thënë: “Keni kujdes nga mëkatet që ju i llogaritni të vogla sepse ato kur mblidhen tek njeriu e shkatërrojnë atë“, e çfarë thua vallë për gjynahet e mëdha të cilat janë shkatërruese?!

Është e sigurt se do të vijë dita kur ata do të pendohen por do të jetë vonë. Thotë Allahu i Lartësuar për të tillët: “Lëri ata, të hanë, të dëfrehen dhe t’i preokupojë shpresa (se do të jetojnë shumë), e më vonë do të kuptojnë”. (Hixhr:3), pra leri ato të jetojnë pa qëllim, duke kaluar jetën në ngrënie dhe pirje, në gjumë e dëfrim, jetë e cila i ngjason më shumë asaj të kafshëve.

E kur do të jetë vonë së pari do të kërkojnë tu shtohet diç nga jeta, Allahu për këto çaste thotë: “E atëherë të thotë: “O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!” (Munafikun:10) Madje mosvonimin e exhelit Allahu e konfirmon edhe në ajetin tjetër ku thotë:“Po, Allahu kurrsesi askënd nuk e shtyn për më vonë, kur atij t’i vijë afati i vet. Allahu hollësisht është i njohur me atë që ju punoni.” (Munafikun:11) Madje Allahu këtë e ka thënë edhe për popujt në përgjithësi: “Çdo popull (që përgënjeshtroi pejgamberët) ka afatin e vet, e kur t’u vijë afati tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të përngutet më parë.” (A’raf:34)

Kurse pas kësaj do të kërkojnë që të kthehen përsëri në këtë botë por nuk do të kenë mundësi, thotë Allahu për këto çaste: “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka).” (Muminun:99-100)

Po, po me të vërtetë ajo do të ndodh për gjithsecilin nga ne, madje për këtë Allahu thotë: “Kudo që të jeni vdekja do t’ju kapë, po edhe në qofshi në pallate të fortifikuara.” (Nisa:78)

Porse ajo që është e sigurt është se për shumë besimtarë ajo do të sjell vetëm dëshpërim, tregohet në Kuran se të tillët atëherë do të binden dhe do të thonë: “Të mjerët ne për atë që lëshuam” (nga punët e mira në Dunja), e duke i bartur gabimet e veta në shpinë dhe e shëmtuar është ajo që bartin.” (Enam:31) Allahu gjithashtu thotë: “Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kiametit, e kush i shmanget zjarrit e futet në xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.” (Ali Imran:185)

Madje mos u merakos se edhe nëse do mendoje se asaj ndonjëherë ke arritur t’i shmangesh, ajo përsëri do të të zë, për këtë Allahu thotë: “Thuaj: “S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mandej do të silleni te Ai që e di të padukshmen dhe të dukshmen, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar”. (Xhumu’a:8) Allahu gjithashtu thotë: “Thuaj: Nëse ikët prej vdekjes ose prej mbytjes, ikja nuk do t’ju bëjë dobi, sepse edhe atëherë nuk do të(shpëtoni) përjetoni vetëm për pak kohë. Thuaj: “Kush do t’ju mbrojë prej Allahut, nëse Ai ua ka caktuar ndonjë të keqe, ose (do t’ju godit me ndonjë të keqe) nëse Ai ua ka caktuar ndonjë të mirë. Po përveç Allahut ata nuk do të gjejnë për vete ndonjë ndihmëtar”. (Ahzab:16-17)

Dije o i nderuar, ti i cili po e lexon këtë letër, mendo pak dhe pyete veten…deri kur to të qëndrosh larg Krijuesit tënd, deri kur do të vazhdosh të zhytesh në mëkate, deri kur nuk do të jetosh për qëllimin për të cilin je krijuar, deri kur… a nuk ka ardhur koha që t’i kthehesh Allahut, Mëshiruesit, Furnizuesit, Gjykatësit Suprem, Pranuesit të Pendimit…

Dije o i nderuar se vdekja nuk merr leje nga dikush as nga sundimtari e as nga mbreti porse ajo pret vetëm urdhrin e Allahut.

Dije o i nderuar se Allahu në librin e tij të thërret dhe të thotë: “A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kur’an)…”.(Hadid:16)

Mendo o i nderuar dhe kthjellu, që mos bëhesh në fund nga ata që thanë: “Dhe të mos thotë ndokush: “O i mjeri unë që kam lënë mangu respektimin ndaj Allahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!” (Zumer:56)

Një poet arab thotë:

Sikur nuk ke dëgjuar për lajmet e atyre që kanë kaluar

Dhe nuk po sheh se çfarë bën koha me ata që kanë ngelur

Nëse nuk din për ta, këta janë vendbanimet e tyre

Gjurmët e tyre i fshiu era dhe shiu pas tij

Dhe ju pranë tyre kaloni në grupe

Edhe ata njëjtë kalonin derisa nuk u erdhi dëshpërimi

Deri kur do të mbeteni në gjumë, a nuk u afrua dita e premtuar?!

Deri kur nga zemra jote nuk do të largohet dehja?!

Prandaj mos e prit ditën kur do të shpaloset e fshehura

E ta përkujtosh fjalën time në ditën kur ajo nuk të bën dobi.

Si çdo herë në fund ia lëmë këshillën së pari Allahut e më pas të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i cili nuk fliste përveçse çfarë i shpallej, Allahu në Kuran thotë: “…e ti këshilloje me këtë Kuran atë që e ka frikë kërcënimin Tim”. (Kaf:45) Kurse i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Shfrytëzo pesë gjëra, para se të vijnë pesë tjera: Shfrytëzoje rininë tënde para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të preokupohesh me probleme dhe jetën para Vdekjes”.

E lusim Allahun me fjalët: O Allah na mëshiro atëherë kur do të na lajnë familjarët, o Allah na mëshiro atëherë kur do të na qefinosin, o Allah na mëshiro kur do të na bartin mbi supet e tyre, o Allah në mëshiro kur do ta vendosin xhenazen tonë para imamit, o Allah na mëshiro në çdo hap tjetër që nga nata e parë e varrit e deri në ndarjen e rrugëve për në xhenet apo për në xhehenem…

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 600