Si definohet sexhdeja e harresës?
Fjala “Sehv” në aspektin gjuhësor arab e ka kuptimin: të harruarit, shkujdesi dhe animi i zemrës kah diçka tjetër.[1]
Ndërsa sexhdeja e harresës në aspektin fetarë ka për qëllim: dy sexhde të cila i vepron falësi i namazit për të përmirësuar defektin që ka ndodhur në namazin e tij si shkak i harresës.
Cila është dispozita mbi sexhden e harresës?
Të gjitha medh’hebet janë të një mendimi se sexhdeja e harresës është e lejuar për atë që në namazin e tij i ka ndodhur ajo që i ka ndodhur të dërguarit sal-Allahu alejhi ue selem apo gjëra të ngjashme nga harresa. Ndërsa për namazin vullnetar dhe lënien e suneteve të namazit ndahen në mendime.
Pasi që janë unanim në lejueshmërinë e dy sexhdeve të harresës, kanë mendime të ndryshme se a është obligim (vaxhib) apo është e preferuar (sunet).
1-Medh’hebi Maliki dhe Shafi thonë se është sunet.
2-Medh’hebi Hanefi në atë që është e njohur prej tyre thonë se është obligim, njëjtë edhe medh’hebi Hanbeli.
Mendimi më i saktë është se sexhdeja e harresës është vaxhib, dhe atë bazuar në hadithin e vërtetë që e transmeton Ebu Said Hudriju se i dërguari, sal-Allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nëse ndokush prej jush dyshon në namazin e tij, e nuk di se sa ka falur tre po katër? Le ta le dyshimin e ti përmbahet bindjes, më pas le të vepron dy sexhde para se të jep selam”. Urdhërimi i tij për të bërë sexhde, aludon në obligueshmërinë.
Cila është urtësia e sexhdes së harresës te i dërguari, sal-Allahu alejhi ue selem?
Harresa e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ue selem ka qenë dhunti nga Allahu për umetin e tij, plotësim i fesë, që ta pasojnë atë gjatë harresës, që nëse ka harruar atëherë në harresën e tij ndërtoheshin dispozitat për harresën që mund t’i ndodhte umetit të tij deri në ditën e Kiametit,[2]urtësia e harresës së të dërguarit salallahu alejhi ue selem është vërtetim i qenies së tij njerëzore, që të mos kenë mundësi ekstremët në dhënien e diç prej cilësive hyjnore në emër të madhërimit të pejgamberit, sal-Allahu alejhi ue selem, për këtë ka thënë: “Unë jam njeri si ju, haroj ashtu si ju haroni, pra kur të haroj më përujtoni”.[3]
Cilat janë shkaqet për të cila duhet bërë sehvi sexhdes?
Sexhdeja e harresës në namaz ka në përgjithësi tre shkaqe:
1-Shtim gjatë namazit: sikur të shton një reqat, apo një sexhde, kijam (qëndrim në këmbë) apo ulje.
2-Mangësi në namaz:si të lë një rukn, apo një vaxhib prej vaxhibeve të namazit.
3-Dyshimi: të hamendet se sa ka falur, tre reqate apo katër, përshembull.
Shtimi në namaz:
– poqëse njeriu në namaz shton një ruku, sexhde, qëndrim në këmbë, apo ulje qëllimisht, namazi i tij nuk është i vlefshëm, sepse nëse shton ka vepruar një namaz në një formë tjetër nga ajo që ka urdhëruar Allahu i Madhëruar dhe i dëguari i Tij sal-Allahu alejhi ue selem, ndërsa pejgamberi, sal-Allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush vepron një vepër që nuk është sipas fesë tonë, ajo është e refuzuar”.[4]
– nëse ka shtuar diç nga harresa atëherë namazi i tij nuk konsiderohet i pavlefshëm, mirëpo i vepron dy sexhde pas selamit. Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejres radijalahu anhu, kur i dërguari, sal-Allahu alejhi ue selem, dha selam pas dy reqateve në një prej namazeve të ditës, drekën apo ikindinë, e kur ia kujtuan se i dërguari sal-Allahu alejhi ue selem ka lënë diç prej namazit, ka vepruar dy sexhdet pasi që ka dhënë selam.[5]
Mangësia në namaz:
-Të lë mangët një rukn: Nëse ka lënë mangët një rukn prej rukneve të namazit, atëherë:
- a) ose të kujtohet para se tëarrin në atë pozitë në reqatin e dytë, në këtë rast duhet të kthehet e të fillon me ruknin dhe më pas të vazhdon me namaz.
- b) ose të mos i kujtohet pos pasi të ketë arritur të njëjtën pozitë në reqatin tjetër, në këtë rast reqati i dytë e zevendëson atë reqat që ka lënë mangët një rukn me këtë reqat të dytin, në këto dy raste sexhdet i bën pas selamit.
Përshembull: Një njeri pasi që ka vepruar një sexhde të reqatit të parë është ngritur, nuk është ulur në uljen mes dy sexhdeve dhe nuk e ka vepruar sexhden e dytë, pasi që ka filluar me lexim në reqatin e dytë i është kujtuar se nuk ka bërë sexhde dhe nuk është ulur mes dy sexhdeve, në këtë rast kthehet ulet në uljen mes dy sexhdeve, pastaj e vepron sexhden, pastaj ngrihet dhe e plotëson namazin e tij, dhe vepron sexhden e haresës pas selamit.
Ndërsa shembulli për atë që nuk i kujtohet vetëm pasi të ketë arritur në pozitën e njëjtë në reqatin e dytë: është ngritur në reqatin e parë pasi ka bërë një sexhde, nuk është ulur mes dy sexhdeve dhe nuk ka vepruar sexhden e dytë, mirëpo nuk i është kujtuar pos pasi është ulur mes dy sexhdeve në reqatin që ka vijuar. Në këtë rast reqati i dytë konsiderohet reqat i parë, plotëson namazin dhe jep selam e pastaj vepron dy sexhdet e harresës.
-Të lë mangët një vaxhib: nëse ka vazhduar deri në pozitën e cila vijon, si përshembull të harron të thotë: Subhane rabijel Ala, e nuk i kujtohet vetëm se pasi të është ngritur nga sexhdeja, atëherë ky ka lënë një vaxhib me harresë, vazhdon namazin e tij, dhe vepron dy sexhdet e harresës para selamit. Ngase i dërguari sal-Allahu alejhi ue selem kur harroi teshehudin e parë vazhdoi namazin e tij dhe veproi dy sexhdet para selamit.
Dyshimi në namaz:
Të dyshohet në shtim apo mangësi, si për shembull se a ka falur tre apo katër reqate, atëherë këtu ka dy raste:
-ose të anon kah njëra prej tyre:shtimi apo mangësia, atëherë bazohet në atë që ai është më i sigurt, e plotëson namazin dhe vepron dy sexhdet e harresës pas selamit.
-ose të mos anon kah asnjëra prej tyre, atëherë bazohet në atë që është i bindur e që është në më të voglën, e plotëson namazin dhe vepron dy sexhdet para selamit.
Shembulli i parë, personi që falë namazin e drekës dhe dyshon a është në reqatin e tretë apo të katërt? Por anon se është në të tretën, atëherë e falë edhe një reqat, pastaj jep selam, e më pas i vepron dy sexhdet e harresës.
Shembulli i dytë, personi te i cili dyshimi është i barabartë, falë namazin e drekës dhe dyshon se a është në reqatin e tretë apo të katërt? Nuk anon se është në të tretën apo në të katërtën, atëherë bazohet në atë që është i bindur e që është numri më i vogël, e konsideron reqat i tretë, pastaj e falë edhe një reqat dhe vepron dy sexhdet e harresës para selamit.
Me këtë bëhet e qartë se sexhdeja e haresës është para selamit: nëse le një vaxhib, apo dyshon dhe nuk anon kah njëra prej dy mundësive (shtimi apo mangësia).
Dhe është pas selamit: nëse shton në namaz, lë mangët rukn prej rukneve apo dyshon në numrin e reqateve, por anon ka njëra prej dy mundësive.[6]
Cila është forma e dy sexhdeve të haresës?
Sikur dy sexhdet e namazit, forma e tyre dhe ajo që thuhet në to.[7] Po të kishte ndryshuar diç, do ta sqaronte i dërguari sal-Allahu alejhi ue selem.
Cila është dispozita e dy sexhdeve të harresës në namazin vullnetarë për atë që le një vaxhib të këtij namazi?
Është vaxhib.
Nëse thotë ndokush, ju po obligoni sexhden e harresës në namazin vullnetarë, nëse lë një vaxhib prej vaxhibateve të namazit, ndërsa namazi është jo obligativ?
Përgjigjja është: Po, është e obliguar, pasi që i është ngatërruar atij namazi, duhet ta kryejë atë në formë të përputhshme me fenë, përndryshe është prej atyre që përqeshet me namazin, nëse nuk dëshiron të falet atëherë në fakt ai nuk falet, por të luan e të kryej një nafile të mangët, e pastaj të thotë: nuk obligohet, kjo nuk pranohet prej tij, se sexhdeja e harresës është e ligjësuar për namazin farz (obligativ) dhe nafile (vullnetar). Bazuar në fjalën e të dërgarit sal-Allahu alejhi ue selem: “Nëse harron ndonjëri prej jush le të vepron dy sexhde”[8]
Transmeton Atau nga ibn Abasi radijallahu anhu, të ketë thënë: “Nëse ke gabuar në namazin nafile atëherë vepro dy sexhde”.[9]
Sexhdeja e harresës a ka tekbir fillestar?
Ajo që shihet prej haditheve është se mjaftohet me tekbirin e sexhdes, këtë e thonë shumica e dijetarëve.
Nëse përsëritet harresa në namaz, si duhet vepruar?
Nuk detyrohet pos se me dy sexhde, sipas shumicës së dijetarëve, ngase nuk është transmetuar nga i dërguari sal-Allahu alejhi ue selem, e as nga një prej shokëve të tij se kanë përsëritur sexhden e harresës. Hadithi që i dërguari sal-Allahu alejhi ue selem ka lënë teshehudin e parë është argument sepse në teshehud ka dy vaxhibe, pra harresa është dy herë, ulja dhe thënja e teshehudit, ndërsa nuk është konfirmuar nga i dërguari salallahu alejhi ue selem fjalë apo vepër se ka vepruar dy sexhde të harresës për çdo haresë në namaz.
Nëse sexhdeja e harresës duhet vepruar pas selamit, a duhet të japim përsëri selam?
Po, edhe nëse është sexhdeja e harresës pas selamit, obligohet të jep selam përsëri.[10]
Si duhet të sillet njeriu që harron gjatë namazit kur falet me imam? Shiko, përgjigjen e pyetjes; Sehvi sexhdeja kur imami apo xhemati gabon në namaz.
Përgatiti: Shpend Zeneli
[1] Fjalori “Lisan Arab” 2/2137
[2] Nga libri “Zad Mead” 1/186.
[3] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[4] E transmeton Muslimi 1718.
[5] E transmeton Buhariu 482 dhe Muslimi 573.
[6] Na libri “Mexhmu’u fetava” të shejh ibn Uthejminit 14/14-16.
[7] Fetva e Komisionit të Përhershëm 5/428.
[8] Transmeton Muslimi 402.
[9] Transmetimin e ka vërtetuar ibn Ebi Mundhir në librin “Evsat” 3/325. (nga libri “Sahih fikh sune” të dijetarit Kemal ibn Sejid Salim 1/467)
[10] Nga libri “Mexhmu’u fetava” të shejh ibn Uthejminit, Allahu e mëshiroftë.