VLERA E DHJETË DITËVE TË FUNDIT TË RAMAZANIT

VLERA E DHJETË DITËVE TË FUNDIT TË RAMAZANIT

0 3185

Falënderimi i takon Allahut të madhërishëm, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin të birin e Abdullahut, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij fisnikë dhe besnikë si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit, kë e udhëzon Allahu nuk ka kush e lajthit nga rruga e drejtë, e atë që e humb Allahu nga rruga e drejtë nuk ka kush e kthen në rrugën e drejtë.

Në këtë broshurë të shkurtër do të sqarojmë vlerën dhe rëndësinë e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, çfarë veprash preferohen më së shumti të punohen gjatë këtyre ditëve dhe se si ka qenë gjendja dhe zelli i Pejgamberit, alejhi-selam. Gjithashtu në të ka sqarim edhe për natën e Kadrit dhe se çfarë vepre preferohet së vepruari në këtë natë duke i përmendur edhe shkaqet të cilat i shlyejnë mëkatet, kurse sa për përshkrim më të shkurtë ti dëgjojmë fillimisht fjalët e nënës së besimtarëve Aishes, radijallahu-anha, e cila ka thënë: ”Kur hynin dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan ai shtrëngonte izarin e tij dhe e gjallëronte natën me namaz dhe e zgjonte familjen e tij”.(Transeton Buhariu)

Disa vepra të veçanta për dhjetë ditët e fundit të Ramazanit:

Pejgamberi, alejhi-selam, gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit vepronte disa vepra të cilat nuk i vepronte në muajt tjerë jashtë Ramazanit,e nga ato vepra janë:

1 – Gjallërimi i natës – dhe këtu mund të jetë për qëllim gjallërimi i tërë natës, sepse në hadithin e Aishes-radijallahu-anha, thuhet:” Pejgamberi, alejhi-selam, njëzet ditët e para gjatë natës bashkonte mes gjumit dhe namazit, ndërsa kur hynin dhjetë të fundit ai e shtrëngonte izarin e tij”.(Transmeton Ahmedi) Pra prej kësaj nxjerrim se gjatë dhjetë ditëve të fundit ai tërë natën e kalonte në namaz, mirëpo nga fjala “e gjallëronte natën” mund të kuptohet edhe pjesën më të madhe të natës, duke u bazuar në hadithin e Aishes, radijallahu-anha, i cili gjendet në Sahihun e Muslimit ku thotë: ”Nuk më kujtohet se Pejgamberi, alejhi-selam, ndonjëherë ka falur namaz nate deri sa ka hy koha e namazit të Sabahut”.

2 – Zgjimi i familjes gjatë këtyre dhjetë netëve të fundit të muajit Ramazan – Pejgamberi, alejhi-selam, kishte si zakon që gjatë dhjetë netëve të fundit ta zgjonte familjen e tij për namaz nate të cilën gjë nuk e bënte jashtë këtyre netëve, prandaj dijetari Sufjan eth-Theuri ka thënë: ”Shumë e dashur tek unë është që kur të hynë dhjetë netët e fundit të Ramazanit të shtoj nga namazi i natës dhe ta zgjoj familjen time për namaz sepse është vërtetuar në hadith të vërtet se Pejgamberi-alejhi-selam, shkonte dhe trokiste në derën e Fatimes dhe Aliut, radijallahu-anhuma, duke u thënë të dyve:“ A nuk do të zgjoheni që të falni namaz?”.(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Pejgamberi, alejhi-selam, e kishte si zakon pasi që falte namazin e natës dhe para se ta falte namazin e vitrit e zgjonte Aishen, radijallahu-anha, dhe gjithashtu transmetohet se ai e zgjonte ndonjërën nga gratë e tij që ta shoqëron gjatë namazit të natës, duke e stërpikur madje edhe fytyrën e tij kur kotej. Në “Muveta-n” e imam Malikut transmetohet se Omeri, radijallahu anhu, falte namaz shumë derisa të hynte mesi i natës, pastaj zgjonte familjen e tij duke i recituar fjalët e Allahut:

Obligo familjen tënde me namaz dhe këshilloj me durim ndaj saj”. (Ta Ha:132)

Gruaja e Ebi Muhamed Habib el-Farisit e kishte si zakon ti thotë burrit të saj: Kaloi nata kurse ne para vetes kemi një rrugë të gjatë, ndërsa nozulli jonë është i paktë, karvanët e njerëzve të mirë kanë ecur shumë përpara, kurse ne mbetëm shumë prapa”.

3 – Pejgamberi, alejhi-selam, kishte si zakon ta shtrëngonte izarin e tij – (në vendin tonë përdoret e ka shtrënguar rripin e pantallonave). Dijetarët kanë polemizuar rreth kuptimit të këtij hadithi, disa kanë thënë se është për qëllim se ai e ka shtuar edhe më shumë zellin e tij për namaz dhe ky komentim është i dobët, e disa nga dijetarët e selefit kanë thënë se në këtë hadith është për qëllim largimi i tij nga marrëdhëniet intime, pra ai gjatë këtyre dhjetë ditëve nuk u është afruar grave të tij, kurse Sufjan eth-Theuri në tefsirin e tij thotë: Pejgamberi, alejhi-selam, nuk i është afruar shtratit të tij derisa ka kaluar muaji i Ramazanit. – Ndërsa në hadithin e Enes ibnu Malik qëndron:” U largua nga shtrati i tij dhe grave të veta”.

Disa nga dijetarët e selefit kanë thënë gjatë tefsirit të ajetit:” Dhe tani afrohuni tek gratë e juaja (për marrëdhënie intime) dhe kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju”. (Bekare:187). Për qëllim është kërkimi i natës së Kadrit, pra kuptimi i ajetit është se edhe pse Allahu i ka lejuar marrëdhëniet intime në mes bashkëshortëve deri në kohën e imsakut, përsëri Ai urdhëroi që të kërkohet nata e Kadrit, ashtu që të mos u kalojnë muslimanëve krejt netët duke u kënaqur me gratë e tyre, duke u ikur atyre nata e Kadrit pa namaz dhe lutje. Kështu që urdhëroj më zell të madhe të falet namaz nate sidomos në netët ku shpresohet se mund të jetë nata e Kadrit, kështu që Pejgamberi, alejhi-selam, gjatë njëzet ditëve të para të muajit Ramazan ai u afrohej grave të tij mirëpo kur hynin dhjetë ditët e fundit ai nuk u afrohej atyre duke u izoluar për ibadet në xhaminë e tij.

 

4 – Ngrënia e syfyrit në momentet e fundit të tij – Pejgamberi, alejhi selam, darkën e hante në kohë të syfyrit, pra në minutat e fundit para se të hyjë koha e imsakit. Transmetohet nga Aishja-radijallahu-anha, se: “Pejgamberi-alejhi-selam, kur hynte muaji i Ramazanit falte namaz nate por edhe bënte gjumë, dhe kur hynin dhjetë ditët e fundit të këtij muaji ai e shtrëngonte izarin e tij, nuk u afrohej grave të veta, larjen e trupit e bënte mes dy ezanëve dhe darkën e hante në syfyr”. (Transmeton Ibn Ebi Asim)

Transmeton Ebi Seid el-Hudriu se Pejgamberi-alejhi-selam, ka thënë: ”Mos i bashkoni dy ditë me agjërim, ai i cili do ti bashkojë le ti bashkojë deri në syfyr“. – I thanë: Po ti i bashkon dy ditë me agjërim o i dërguari i Allahut? – Ai u tha: ”Unë nuk jam si ju, mua më është përcaktuar një ushqyes që më ushqen dhe një që më jep të pi”. (Transmeton Buhariu). Në këtë hadith qartë kuptohet se Pejgamberi, alejhi-selam, i agjëronte nga dy ditë pandërprerë, dhe kjo për shkak se Pejgamberi, alejhi-selam, në dhjetë ditët e fundit ishte më i zellshëm dhe nuk e shihte veten më të lodhur kur i bashkonte dy ditë me agjërim, ashtu që nuk donte që ti kalon koha duke bërë iftar apo syfyr, mirëpo atë siç ka ardhur në hadith Allahu e ushqente dhe i jepte të pi.

5 – Larja e trupit mes dy ezanëve – Këtë e përmendëm në hadithin e Aishes, radijallahu-anha, më parë ku thotë:” Dhe pastrimin e bënte mes dy ezanëve”, dhe fjala “mes dy ezanëve” ka për qëllim ezanin e Akshamit dhe ezanin e Jacisë. Ka thënë Ibn Xherir et-Taberi: E kanë preferuar që të pastrohen për çdo natë gjatë dhjetë netëve të fundit. Ndërsa imam Nehaiu në dhjetë netët e fundit e kishte zakon që të pastrohet dhe lahet për çdo natë, ndërsa kishte edhe prej atyre që përveç se laheshin për çdo natë, ata edhe parfumoheshin gjatë netëve në të cilat shpresohej më shumë se mund të jetë nata e Kadrit.

Ejub es-Sihtijani e kishte zakon të lahet ne natën e njëzet e tretë dhe njëzet e katërtë, të vesh për çdo natë rroba të reja dhe thoshte:” Nata e njëzet e tretë është nata e banorëve të Medines, ndërsa nata e njëzet e katërtë është nata ynë, pra e banorëve të Basrës”.

Nga kjo nxjerrim se është shumë e preferuar që gjatë netëve në të cilat shpresohet të jetë nata e Kadrit të pastrohemi dhe të lahemi në mënyrë sa më të mirë, të veshim rrobat më të mira, të parfumohemi me erëra të këndshme dhe të rregullohemi sa ma mirë, sikur që është e pëlqyer kjo të veprohet në ditën e Xhuma dhe nëpër festat e bajrameve. Gjithashtu është e pëlqyer që edhe gjatë namazeve ditore të vishemi sa ma mirë, dhe nuk plotësohet asnjëherë zbukurimi i jashtëm pa u plotësuar zbukurimi i brendshëm me pendim, kthim tek Allahu dhe me pastrim nga papastërtia e mëkateve, sepse zbukurimi i jashtëm me shëmtueshmëri të brendshme nuk ka fare dobi.

E pa dyshim se nuk është morale që nëse takohesh me mbretër të ndryshëm të mos jesh i veshur mirë, i parfumuar mirë dhe i rregulluar, e sidomos kur ta takosh Mbretin e Mbretërve i Cili e din të fshehtën. Madje Ai është i Cili nuk shikon në fizionominë tonë porse vetëm në zemrat dhe veprat tona, e ai që dëshiron që të del para Allahut le të rregullon pamjen e tij të jashtme me rroba të mira, të bukura ndërsa pjesën e brendshme të tij le ta vesh me petkun e devotshmërisë.

Thotë një poet Arab:

”nëse njeriu nuk vesh petkun e devotshmërisë,

ai është i zhveshur edhe nëse ka tesha të veshura”

6 – Itikafi – Në dy librat e sakta të haditheve, të Muslim dhe të Buhariut transmetohet nga Aishja, radijallahu-anha, se Pejgamberi, alejhi selam, çdo Ramazan në dhjetë ditshin e fundit ka bërë Itikaf në xhaminë e tij, derisa ia dorëzoi Allahut shpirtin. Shënon Buhariu transmetimin nga Ebu Hurejrja se: ”Pejgamberi, alejhi selam, e kishte zakon që në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit të veçohej duke bërë itikaf në xhaminë e tij ndërsa në vitin që vdiq itikafin e bëri njëzet ditë”. Pejgamberi-alejhi selam,  itikafin e bënte në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit në të cilat shpresohet të jetë nata e Kadrit, duke i ndërprerë të gjitha punët e tij të kësaj bote, duke i lënë anash të gjitha preokupimet e tij, duke e veçuar kohën vetëm për të kërkuar falje nga Allahu dhe duke e përmendur Allahun sa më shumë. Itikafxhiu veçohet për ta përmend dhe adhuruar Allahun, duke u larguar nga çdo punë tjetër e cila e pengon nga kjo. Dhe kështu ai nuk veçohet, vetëm se zemra e tij kthehet tek Allahu dhe kah veprat që e afrojnë atë te Allahu, dhe ai në kokën e tij nuk ka tjetër veç Allahut dhe ato vepra të cilat e kënaqin Allahun.

7 – Nata e Kadrit – Thotë Allahu në Kuran: “Me të vërtetë Ne atë e zbritëm në natën e Kadrit, e çfarë të mësoj ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e dobishme se njëmijë muaj”. (Kadr:1-3).

Ebu Hurejrja transmeton se Pejgamberi, alejhi-selam, në Ramazan thoshte: “Në këtë muaj gjendet një natë e cila është më e dobishme dhe e hajrit se njëmijë muaj, atij të cilit i ndalohet mirësia e kësaj nate (pra nuk përfiton nga kjo natë), atij i është ndaluar një mirësi e madhe”.(Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu). Ndërsa imam Maliku thotë: Më ka arritur lajmi se Pejgamberit, alejhi-selam, Allahu ia ka mundësuar që ta sheh jetën e gjatë të cilën e kanë pasur popujt e mëhershëm, dhe Pejgamberi, alejhi selam, u mërzit për umetin e tij se ata nuk mund ti arrijnë me punë të mira popujt e më hershëm për shkak të jetës së tyre të shkurt, dhe kështu Allahu ia dhuroj këtij umeti natën e Kadrit e cila është më e dobishme dhe e hajrit se njëmijë muaj.

Ndërsa vepra e cila duhet të veprohet gjatë natës së Kadrit është ajo që është vërtetuar nga Pejgamberi-alejhi-selam, ku thotë: “Kush fal namaz nate gjatë muajit Ramazan me besim të plotë, duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, atij i falen gabimet e më hershme” dhe namazi i natës në të duhet të jetë ashtu si e ka falur Pejgamberi, alejhi-selam. Sufjan eth-Theuri ka thënë: Lutja në këtë natë tek unë është me e dashur se namazi, kjo do të thotë që gjatë namazit të shtohen lutjet, sepse namazi me shumë lutje këtë natë është më i mirë se namazi me pak lutje dhe dua. Pejgamberi-alejhi-selam, gjatë muajit të Ramazanit ishte shumë i zellshëm, ai leximin e Kuranit në namaz e bënte ngadalë, me melodi të bukur dhe nuk lexonte ndonjë ajet në të cilën përmendet mëshira e Allahut veçse i kërkonte Allahut që ta fal dhe nuk lexonte ndonjë ajet që ka të bëjë me dënimin e Allahut veçse kërkonte nga Allahu që ta mbron nga dënimi i tij.

Transmetohet nga Aishja, radijallahu-anha, se e ka pyetur Pejgamberin, alejhi selam: Nëse Allahu ma mundëson që ta takoj natën e Kadrit çfarë të them në të? – Tha: “Thuaj: O Allahu im Ti je Falës dhe e do faljen, pra më fal mua”. Fjala “El-Afvu” është emër nga emrat e Allahut, e Allahu dëshiron faljen e robërve të tij, madje Ai don që edhe robërit në mes vete t’ja falin njëri tjetrit,e pa dyshim se falja e robërve të Tij është me e dashur tek Ai se dënimi i tyre. Pejgamberi-alejhi-selam, gjatë lutjeve të tij e kishte zakon të thotë: ”Kërkojë mbrojtje me pajtimin Tënd nga hidhërimi Ytë“. (Transmeton Muslimi), ndërsa lutja ynë e fundit është të gjitha falënderimet i takojnë Allahut të Madhërishëm.

Sejfullah Sejfuli

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 586