Kthjellu vëlla dhe motër i/e dashur, bëhu rob dhe robëresh vetëm i/e Zotit dhe mos iu nënshtro askujt pos Zotit, mos ju nënshtro horoskopit, mos ia jep zemrën horoskopit me ta shkatërru dhe me ta prangos, mos lejo me ra viktimë e propagandave anti-fetare, se vetëm sherrin ua sheh, ji vetvetja, beso në Allahun dhe mos adhuro askënd pos Tij, lutju Atij për çdo gjë, se Ai ka thënë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua, prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë”. (Kur’an, kaptina nr.2, ajeti nr.186).
Mirëpo, o ju ithtarë të horoskopit, shpresat mos i humbni, sepse Ai gjithashtu po ju thotë: “Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’ua shlyejë gabimet e t’ju shpie në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj”. (Kur’an, kaptina nr.66, ajeti nr.8).
Mos humbni diçka që nuk arrihet vetëm se me besim të shëndoshë në Allahun, për një horoskop të pa vlerë, është budallaki e madhe të zgjohesh në mëngjes dhe drejt e tek të rejat e horoskopit për atë ditë!
Pra, edhe nëse ju mahnit horoskopi me të rejat e tij, të mos i besoni, vetëm njerëzit e ulët dhe të ligë zemrën ia dhurojnë horoskopit, ndërsa të mençurit zemrën e tyre e lidhin direkt me Allahun, Krijuesin e tyre, ata e besojnë Atë për të vetmin Zot, besojnë në njëshmërinë e Allahut në krijim, njëshmërinë e Allahut në adhurim dhe në njëshmërinë e Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij të përsosura, ata nuk adhurojnë askënd tjetër pos Allahut, sepse faktikisht nuk e meriton askush, është turp dhe absurd i madh t’i orvatesh horoskopit, ku është besimi yt i vërtetë në Zotin e gjithësisë, ku janë dituritë e tua shkencore dhe fetare, ku është ndërgjegjja dhe arsyeja, ku gjenden tek ti këto nëse ti kapesh pas horoskopit, ku?!
Ti a dëshiron të jesh i suksesshëm në të ardhmen dhe të korrësh sukses në planet e tua, atëherë puno, mos u mbështet në horoskop, sepse ai të josh dhe mashtron, është gënjeshtar i madh, por ti puno, merri shkaqet që të ndihmojnë në realizimin e një projekti, i cili ta rregullon mirëqenien e së ardhmes, dhe në fund mbështetju Zotit se Ai të mjafton, mbështetju të Fortit, të Pasurit dhe të Gjithëmundshmit, lidhe zemrën fort me Të, merri shkaqet e mundshme, lutju sinqerisht Atij dhe të jetë kërkesa jote hallall, ashtu do të korrësh suksese, përndryshe ta dish se kurrë sukses nuk ke me pas nëse i referohesh dhe mbështetesh horoskopit, sepse mendoj që zemra jote nuk është aq e pavlerë sa t’i dorëzohet dhe gjunjëzohet horoskopit, sepse horoskopi nuk është shkencë dhe art, ai është askush-hiqi, atë e refuzojnë mendjet e ndriçuara, atij i mungon baza dhe i mungojnë argumentet, i mungon çdo vlerë çdo e vërtet, andaj, na dhimbsen disa musliman injorant, të cilët edhe duan të jetojnë dhe të vdesin si musliman duke e besuar Allahun, por edhe në anën tjetër zemrën, mendjen dhe preokupimin e tyre e lidhin edhe me horoskop, nuk mundet kështu, edhe uji edhe zjarri në një enë a munden?!
E vërtetë se sot horoskopit i bëhet një vend i veçantë në media, qofshin ato televizive apo të shkruara, pra, propagandimi i horoskopit është zgjeruar edhe nëpër media, kritikë mbi kritikë për ato media, cilat do qofshin ato, që i bëjnë vend horoskopit dhe me të ua prishin muslimanëve besimin në Allahun.
I këshillojmë mediat televizive dhe ato të shkruara, qofshin edhe radio, që ta kuptojnë realitetin e horoskopit sa më shpejt dhe për interese të caktuara të mos lejojnë që të ndytet mediumi i tyre me përrallat horoskopike, se vAllahi, betohem në Allahun, e vërteta prej horoskopit është më larg se lindja prej perëndimit, andaj, edhe të gjithë dijetarët Islam në botë e konsiderojnë prej mëkateve shkatërruese.
A nuk ju kujtohet thënia profetike e mësuesit të njerëzimit, pejgamberit të Zotit, Muhamedit alejhi selam, i cili ka thënë: “Vërtet, çdonjëri nga ju formohet në barkun e nënës së tij katërdhjetë ditë si pikë, pastaj bëhet e varur ngjashëm me këtë periodë, pastaj, bëhet copë mishi ngjashëm me këtë periodë, pastaj i dërgohet meleku dhe i jep jetën (ia fut shpirtin), dhe këtij meleku i urdhërohen katër gjëra: ta shkruaj nafakën (riskun) e tij, exhelin – jetëgjatësinë e tij, veprat e tij që do t’i kryejë dhe a do të jetë i mjerë apo i lumtur.” (Hadith i vërtetë, transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Pra, qysh në barkun e nënës sipas mësimeve të Krijuesit tonë njeriut i caktohet fati i mirë apo i keq, këtë të vërtet na e jep Allahu, e jo horoskopi, s’kemi pse të lodhemi dhe preokupohemi së tepërmi në kërkimin e së ardhmes, ajo është e definuar nga Zoti, atë që e ka caktu Zoti për ty ka për të goditë, edhe nëse mbarë njerëzimi mundohen me ta largu, dhe atë që Zoti nuk e ka caktu për ty kurrë s’ka për të goditë, edhe nëse mbarë njerëzimi mundohen me ta sjellë, andaj, Allahu po thotë: “Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar”. (Kur’an, kaptina nr.54, ajeti nr.49).
Çka ka gisht horoskopi këtu?! Asgjë fare, e pse ta besojmë dhe t’i kushtojmë kohë kot … ?!
Mos u dorëzoni para sfidave të kësaj jete, këtu ti punon dhe nuk llogaritesh, e para Zotit kur të dalësh ditën e gjykimit s’ke për të punu, vetem se për t’u llogaritë, jeta është e tillë, e kurdisur në mënyrë të përsosur nga Zoti jonë.
Jeto për hir të Allahut dhe ke me qenë i lumtur, horoskopi, plakë e shëmtuar nën një vello tërheqëse, kuptoje shëmtinë e tij sa më parë, para se me të skadu afati e me të ardhë momenti i vdekjes, si mendon ta takosh Allahun, i Cili të ka pajisur me të gjitha të mirat, e ti duke i besu horoskopit?!
Allahu po thotë: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta, e edhe nga frytet, po ti përgëzoj durimtarët. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi!” Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë”. (Kur’ani, kaptina nr.2, ajeti nr.155-157).
Pra, nuk po na e cek Krijuesi jonë se në situata të caktuara duhet t’i referohemi bestytnive idhujtare, por Atij duhet kërku ndihmë duke qenë të durueshëm, dhe gjithmonë duke shpresu se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, andaj, o ju vëllezër dhe motra që deri dje ishit ithtarë të horoskopit, nga sot, a po ia jepni besën Allahut, Zotit, Krijuesit dhe Furnizuesit tuaj se do të bëheni adhurues të Tij, e jo të horoskopit, se paskeni qenë viktimë dhe gabimisht të informuar, se shejtani ka luajtur me ndjenjat e juaja, dhe se gjithashtu disa mediume ua kanë deviju të vërtetën, por ja që tash falë dhuntisë së Tij, e Ai ua don të mirën gjithmonë, ju erdhi vetëdijësimi dhe ja nga sot i besoni vetëm Allahut dhe nuk i bëni rivalitet në besim dhe adhurim, kërkoni falje dhe pendohuni te Ai sinqerisht se pa dyshim Ai që sa kohë po ju thërret të pendoheni dhe t’i kërkoni falje që t’ua falë, lidhni kontratë me Zotin, filloni një jetë të re, rregulloni raportet me Të, Ai do t’ua falë mëkatet dhe do të ju begatojë me të mirat e Tij të pashterrshme.
Le të jetë sot dita jote e re, me zemër të flladitur dhe të freskuar, larg nga ndryshku i besimit në horoskop, nga sot thuaj lamtumirë horoskopit e ktheju jetës reale, si duhet jetuar me Allahun.
Sepse horoskopi nuk të jep asgjë, lexoje ajetin kur’anor: “Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij”. (Kur’an, kaptina nr.24, ajeti nr.32).
Kush tjetër pos Tij të furnizon, çdo të mirë e ke nga Allahu, ato janë të panumërta, që të gjitha për ty, e ti në vend se ta adhurosh Krijuesin, zemrën ia dorëzon shenjave budallaqe të horoskopit, kthjellu pak!
Horoskopit nuk i takon dituria absolute, ta kemi të qartë, nuk e meriton besimin tonë, Allahu po thotë:
“Juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. (Kur’an, kaptina nr.17, ajeti nr.85).
“Dituria e Tij përfshin çdo gjë”. (Kur’an, kaptina nr.20, ajeti nr.98).
“A nuk logjikoni?!” (Kur’an, kaptina nr.6, ajeti nr.32).
“Vërtet, Allahut i përket çdokush që gjendet në qiej dhe në tokë. E çfarë ndjekin ata që adhurojnë në vend të Allahut zota ortakë? Në të vërtetë, ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes dhe vetëm gënjejnë”. (Kur’an, kaptina nr.10, ajeti nr.66).
“Vetëm Allahut i shprehin madhërinë e lartësimin çka ka në qiej dhe çka në tokë, dhe se vetëm i Tij është i tërë pushteti dhe vetëm Atij i takon falënderimi, e Ai është i Gjithfuqishëm për çdo send”. (Kur’an, kaptina nr.64, ajeti nr.1).
Andaj, ta ruajmë besimin, sepse Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Kush shkon te një falltor dhe i beson çfarë thotë, ai ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit”. (Hadith Sahih, transmeton Buhariu).
Pra, të rrijmë sa më larg përrallave, iluzioneve, bestytnive, idhujtarive, falleve, magjive dhe besimeve të kota, përndryshe do të na merr pusi, ta dini se edhe horoskopi është një lloj falli i kotë që të fut në tunel të errët pa drita, i tëri është injorancë dhe gënjeshtër, andaj, o ju vëllezër dhe motra, ju mjafton për plan-program dhe katalog të jetës libri i Allahut, Kur’ani, aty është lumturia, suksesi, shërimi, pasuria dhe fitorja për çdo gjë, jashtë tij të humbër gjithmonë, Allahu ka thënë: “Në të vërtetë, ky Kur’an është këshillë për tërë botën!” (Kur’an, kaptina nr.38, ajeti nr.87).
Ju që s’jeni të martuar dhe s’keni fëmijë, kërkoni partnerin e jetës dhe pasardhës nga Allahu, ju që s’keni pasuri, kërkoni pasuri nga Allahu, ju që s’keni sukses, kërkoni sukses nga Allahu, e Ai do t’ju jap, nuk është koprrac, kërkoni gjithçka, mos e harroni Xhenetin, Ai për ju është kriju, atje është kënaqësia absolute, jetë e pafund, andaj, ta adhurojmë vetëm Allahun, Ai është Bujar, Ai gëzohet kur ti i kërkon Atij dhe kur Ai të jep, nga sot qasju jetës ndryshe, filloje ditën me emrin e Tij, organizoje jetën gjatë ditës me pesë kohë namaz, në mes të namazeve puno dhe vetëm puno, ke me arritë sukses dhe kanë me ta pas lakmi edhe të tjerët, ju kërkoj falje, ma bëni hallall, se ndoshta pak e kam zgjatur, shpresojmë të kemi përfituar të gjithë, takohemi inshAllah përsëri në temën e radhës, ju dëshiroj të gjitha të mirat e Allahut, me shpresë se çdo synim tonin ta mbështesim vetëm tek Ai.
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”.
(Kur’an, kaptina nr.1, ajeti nr.4).
PJESA E FUNDIT
Es-Selamu Alejkum!
Autor: Labinot Kunushevci
Redaktor fetar: Hoxhë Fadil Musliu