DEKLARATE E LIGES SE BOTES ISLAME NE LIDHJE ME FILMIN QE PREK PERSONALITETIN E PROFETIT

DEKLARATE E LIGES SE BOTES ISLAME NE LIDHJE ME FILMIN QE PREK PERSONALITETIN E PROFETIT

0 1204

Me Emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshiruesit

Lavdërimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qoftë për Profetin tonë, të Dërguarin e Allahut Muhamed, për familjen dhe shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin atë.

Këshilli Botëror i Dijetarëve Muslimanë, pranë Ligës së Botës Islame, ka ndjekur me shqetësim veprimet e disa ekstremistëve koptë të Amerikës, të cilët kanë prodhuar së fundi një film, i cili cenon personalitetin e Profetit tonë Muhamed (paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi të) të mbështetur edhe nga ekstremisti Samuel Basel dhe priftit ekstremist Teri Xhons, ku ky i fundit pak kohë më parë ka djegur edhe publikisht një kopje të Kuranit të nderuar.

Ne dënojmë me forcë këtë vepër të shëmtuar dhe e konsiderojmë atë krim monstruoz, ndaj të cilit nuk mund të heshtet. Liria e shprehjes nuk duhet të cenoj fetë, vlerat dhe shenjtëritë, në përputhje kjo me normat ndërkombëtare dhe marrëveshjeve të rëna dakord në konferencat e dialogut ndër-fetar dhe atij kulturor…

Muslimanët sot përbëjnë një të pestën e banorëve të botës dhe shtetet ku ata jetojnë mbajnë marrëdhënie të mira me shtetet e tjera të botës, në mes tyre edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk është në interes të askujt, që muslimanët të provokohen duke cenuar besimin, fenë dhe Profetin e tyre, nga një grup ekstremistësh, që si objektiv të tyre kanë nxitjen e trazirave dhe ripërtëritjen e thirrjes për përplasje qytetërimesh.

Ne e vlerësojmë deklaratën e bërë nga Kisha Kopte e Egjiptit dhe organizatat e tjera kopte nëpër botë, të cilat shprehën qartazi refuzimin e tyre ndaj cenimit të fesë Islame dhe Profetit të saj Muhamed (paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi të).

Duke ritheksuar edhe njëherë pozitën madhështore të Profetit Muhamed (paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi të), ne u kujtojmë njerëzve se gjatë gjithë historisë njerëzore, armiqtë e mesazheve hyjnore dhe të Profetëve, nuk kanë hequr dorë nga cenimi i personaliteti të tyre, e këtu nuk bën përjashtim as Vula e Profetëve dhe i Fundit i tyre, Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi të). Profeti ynë gëzon një pozitë të lartë, të cilën vetë Zoti i Lartësuar ka marrë përsipër ta ruaj nga cenimet e keqbërësve duke thënë: “Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që të tallin” dhe duke i kërcënuar ata me fjalën e Tij: “Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.”

Duke dashur që t’i jepet fund sulmeve të ulëta ndaj Islamit dhe kumtuesit të mesazhit të tij, Muhamedit(paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi të), ne kërkojmë si vijon:

Së pari: Të gjykohen prodhuesit e filmit, në përputhje kjo me normat dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe të mos mjaftohet vetëm me distancime dhe dënime, kjo sepse vepra në fjalë bie ndesh qartë me rezolutën e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të datës 20/03/2008 rreth respektit ndaj feve, mos cenimit të fesë islame dhe refuzimit të çdo lloj cenimi të figurës dhe personalitetit të Profetit Muhamed.

Së dyti: Ne i ftojmë qeveritë dhe organizatat islame nëpër botë, që të vendosin strategji të qarta, për tu përballur me këto sulme ndaj Islamit dhe Profetit të tij. Liga e Botës Islame është e gatshme të koordinojë ndërmjet organizatave islame për këtë çështje.

Së treti: Ne u bëjmë thirrje muslimanëve në mbarë botën, që të thellohen në studimin e jetës së Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi të) dhe t’ua mësojnë atë edhe fëmijëve të tyre dhe të udhëhiqen në jetë nga mësimet dhe morali i tij i lartë: “ti me të vërtetë je me virtyte madhore.”(Kurani 68:4)

Së katërti: U bëjmë thirrje muslimanëve që tu largohen qëndrimeve të nxituara dhe reagimeve spontane, ata duhet të sillen me provokimet dhe sulmet (anti-islame) ashtu siç na mëson Profeti ynë(paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi të), duke iu përgjigjur atyre me urtësi, e cila nuk na lejon që ne si muslimanë të tejkalojmë cakun e së drejtës, apo të cenojmë jetën dhe pasurinë e njerëzve dhe të sulmojmë ambasadat e huaja me pa të drejtë: “dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.”(Kurani 6:164)

Së pesti: Islami ua ndalon muslimanëve të vrasin njerëz me pa të drejtë, që do të thotë se ata e kanë obligim të mos prekin jetën e njerëzve: “kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve.” (Kurani 5:32)

Ne i bëjmë thirrje çdo muslimani, që të vërë në praktikën e jetës së tij udhën islame dhe modelin e Vulës së Profetëve dhe të distancoj veten nga agresioni kundër shtetasve të vendeve të tjera dhe ambasadorëve të tyre, në mënyrë që të mos u jap shkas armiqve të Islamit të përfitojnë nga reagimet spontane e të pakontrolluara që të shtrembërojnë figurën e Islamit.

Burimi: http://www.themwl.org/News/default.aspx?ct=1&cid=8&nid=1297&l=AR