MOSTËR NGA TË DREJTAT E MUSLIMANIT NDAJ MUSLIMANIT

MOSTËR NGA TË DREJTAT E MUSLIMANIT NDAJ MUSLIMANIT

0 1884

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili na urdhëroi që të kapemi për litarin e Tij dhe na ndaloi prej përçarjes dhe kontradiktave: “Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë” Ali Imran 101. Dëshmoj se nuk i takon me të vërtet adhurimi askujt përveç se Allahut, i cili është një dhe nuk ka shok. Dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, dhe dëshmoj se është njeriu me moral më të lartë dhe me zemër më të mirë dhe më të shëndoshë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju njerëz frikojuni Allahut dhe dijeni se ju jeni vëllezër në Fe dhe se kjo vëllazëri dhe lidhje fetare është më e fortë se çdo lidhje tjetër. Ditën e Kiametit nuk ka dhe nuk vlen lidhja familjare mes jush por atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun. Realizoni këtë vëllazëri me dashuri dhe afërsi mes jush, dojani njëri tjetrit të mirën dhe bashkëpunoni në të, veproni vepra të cilat e përforcojnë këtë lidhje dhe e kultivojnë atë dhe largojuni veprave të cilat e dobësojnë atë lidhje dhe e mangësojnë atë. Një Umet nuk mundet të jetë Umet dhe në të të ketë fuqi deri sa nuk bëhet ashtu siç e ka përshkruajtur Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në thënien e tij: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa,  pjesët e të cilës mbajnë  fort njëra-tjetrën”.

O ju vëllezër, Allahu për ju e ligjësoi atë që e përforcon unitetin e juaj dhe e kultivon dashurinë mes jush dhe e largon armiqësinë dhe përçarjen e ajo është dhënia e selamit mes jush. Selami pra mbjell dashuri dhe afërsi, kurse braktisja e kontaktit mes jush sjell armiqësi dhe ashpërsi. Nëse e takoni njëri tjetrin përshëndetuni mes jush dhe më të mirët nga ju janë ata që fillojnë të parët me selam dhe ai që ia kthen selamin le t’i përgjigjet me fytyrë të buzëqeshur dhe me përgjigje që dëgjohet.

Allahu për ju e ligjësoi poashtu edhe vizitën e njëri tjetrit kur të sëmureni. Vizita e të sëmurit sjell dashuri dhe e zbut zemrën, e shton besimin dhe sjell shpërblime. Kush e viziton një të sëmurë e thërret një thirrës nga lart qiellit “U gëzofsh me të mira dhe u shpërblefshin hapat e tua me të mirë dhe shtëpia jote u bëftë xheneti!”. Kush e viziton vëllaun e vet musliman vazhdon të jetë në hurfet e xhenetit deri sa të kthehet nga vizita e të sëmurit. I thanë o i Dërguar i Allahut: çka janë hurfet? Tha: “frytet e xhenetit”. Kush viziton një të sëmurë  pëlqehet që ti qëndron te koka dhe ti jep gajret e ta qetëson me fjalë të mirë dhe të këndshme, duke i uruar shërim dhe jetëgjatësi. Kjo vepër ia ngrit moralin dhe e forcon shpirtërisht. Është mirë që vizituesi të kërkon lutje prej të sëmurit, sepse lutja të cilën e bën i sëmuri për vizituesin i ngjan lutjes së melaqeve. Mirë është që t’ia rikujton pendimin dhe ta nxit që kohën ta shfrytëzon në lexim të Kuranit, dhikrit dhe istigfarit dhe ti tregon se si duhet të pastrohet me ujë apo tejemum, si ta falë namazin, e si ta len porosinë, për arsye se shumë nga të sëmurët nuk i dinë këto rregulla dhe dispozita.

Allahu për ju ligjësoi poashtu përmisimin mes njerëzve. Allahu i Madhëruar në lidhje me këtë tha: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve”. Nisa 114. Me një hadith ka ardhur se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i ka thënë Ebu Ejubit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai: “A dëshiron të tregoj për një tregti”. Ebu Ejubi iu përgjigj: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Të shkosh dhe ti përmisosh njerëzit nëse ata janë përçarë mes veti dhe ti afrosh ata mes tyre nëse janë larguar njëri nga tjetri”.

Njeriu kur vëren se mes dy vetave ka armiqësi dhe përçarje mirë është që të merr iniciativë që ta largon atë armiqësi deri sa atë ta shndërron në shoqëri dhe largësinë mes tyre në afërsi dhe në këtë rast do të fiton shumë mirësi dhe shpërblim të madh.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ua ligjësoi që kur ta dëgjoni një musliman që teshtitë të thotë “Elhamdulilah- Falënderimi i takon Allahut” ju t’ia ktheni atij me “Jerhamukallah- Allahu ju mëshiroftë” që në fund ai t’ua kthen dhe t’ju thotë “Jehdikumullahu ue juslih balekum- Allahu ju udhëzoftë dhe gjendjen e juaj e përmisoftë”.

Poashtu ua ligjësoi dhurimin e dhuratave mes jush dhe na lajmëroi se dhurata është shkak për largimin e zemërimit dhe sjell dashuri. Pra çdo gjë që sjell lidhje dhe unitet mes muslimanëve është e ligjësuar të veprohet dhe duhet të kapemi për të.

Në anën tjetër i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ndaloi nga çdo gjë që i përçan dhe i largon muslimanët mes veti. E ndaloi që të distancohet vëllau musliman nga muslimani më shumë se tre ditë, t’ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit dhe mos ta përshëndesin mes veti njëri-tjetrin për arsye se armiqësia mes tyre në këtë mënyrë nuk do të largohet po vetëm se do të shtohet. Kjo sjellje padyshim se është e qortuar dhe nuk është e pranuar mirëpo e shohim se  shejtani luan me disa njerëz derisa i shpien në këtë vepër edhe pse ndoshta ata janë njerëz që e dojnë hajrin dhe janë njerëz të kapur për fe mirëpo shejtani i mashtron dhe fillojnë që të distancohen njëri nga tjetri edhe atë për çështje personale apo për interesa të dynjasë dhe harrojnë se Islami është më i vlefshëm se çdo gjë personale dhe dobi të dynjasë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, rreth kësaj tha se: “ “Nuk i lejohet muslimanit ta bojkotojë vëllanë e tij musliman më tepër se tre ditë. Nëse e bojkoton atë më shumë se tre ditë dhe vdes në këtë gjendje hyn në zjarr”.

Dhe poashtu tha: “Çdo të hënë dhe të enjte prezantohen veprat e robit dhe Allahu ia falë në ato ditë çdo robi që nuk i ka përshkruajtur shok dhe ortak Allahut përveç se atij i cili ka mosmarrëveshje me vëllaun e vet musliman dhe Allahu thotë leni ata dy derisa të pajtohen mes tyre”.

Largimi i muslimanit nga muslimani pra është i ndaluar përveç se nëse ai është mëkatar që i shfaq ato në publik dhe për atë ligjësohet nëse në largimin nga ai ka dobi që të largohen muslimanët një periudhë me qëllim që t’i largohet mëkateve apo t’i pakëson ato.

Sheriati i Allahut ka ardhur me ndalesë sa i përket bartjes së fjalëve dhe ecjes në mesin e njerëzve me qëllim të shpërndarjes së tyre dhe futjes urrejtje në mesin e njerëzve. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk hyn në xhenet ai që bart fjalë”.

Sheriati i Allahut poashtu ndaloi nga sharja dhe fyerja për arsye se kjo shpien deri në armiqësi dhe urrejtje.

O ju besimtarë, afrohuni mes veti dhe largoni armiqësitë dhe urrejtjet mes jush dhe bëhuni robër të Allahut vëllezër mes jush.

Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni”. Huxhurat 10.

SHEJH DR. SALIH EL HUMEJD

Nga arabishtja: Irfan JAHIU 

GJITHASHTU NË ALBISLAM