LETËR E HAPUR DREJTUAR ME RASTIN KURBAN BAJRAMIT

LETËR E HAPUR DREJTUAR ME RASTIN KURBAN BAJRAMIT

0 1698

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë, duke parë pështjellimin dhe debatin që është krijuar këtë vit dhe në vite të tjera, në mesin e muslimanëve të këtij vendi, për çështjen e ditës së  Arafatit, Kurban Bajramit dhe atë të Fitër Bajramit, si dhe duke u nisur nga qëllimi i mirë, për zgjidhjen më të volitshme të këtij problemi, në përputhje me atë që na mëson feja jonë, si dhe nisur nga hadithi e parimi islam se ‘feja është këshillë’, i drejtohemi institucionit të Komunitetit Musliman të Shqipërisë,  të bëj të gjitha përpjekjet e hapura serioze për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi njëherë e përgjithmonë.

Ne mendojmë se kjo çështje, shumë e rëndësishme dhe tepër e ndjeshme për besimtarët muslimanë, ka nevojë për një diskutim të gjerë fetar në mesin e  hoxhallarëve të këtij vendi dhe kërkon një konsensus të gjerë mes tyre dhe nuk mund të mbyllet me thjesht një urdhër insitucional, i cili vetëm se do të thelloj edhe më tej çarjen në mes besimtarëve në vendin tonë dhe institucionit përfaqsues.

Si zgjidhje të këtij problemi ne këshillojmë që, KMSH të marrë për bazë kalendarin dhe ditët e Bajramit që përcaktohen në vendet e shenjta të Mekës dhe  Medinës, duke qenë se kjo pajton me një nga mendimet e njohura të fikhut islam për këtë çështje dhe shmang më shumë se çdo qëndrim tjetër pështjellimin që krijohet herë pas here për këtë çështje. Pikërisht për këto dy arsye që ne përmendëm, një shumicë vendesh muslimane ndjekin atë që përcaktohet në vendet e shenjta, në veçanti për ditën e Arafatit dhe Kurban Bajramit. Kështu që, është ne nderin tonë si muslimanë, për shkak edhe të epokës së informacionit në të cilën jetojmë, të mos ndahemi nga kjo pjesë e rëndësishme e botës islame.

Së fundi, ne i këshillojmë besimtarët muslimanë të këtij vendi, që deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, të qëndrojmë të unifikuar në rang vendi për datat e festave islame, të falim bajramin me gjithe njerëzit e tjerë në shesh, ndërkohë që kurbani lejohet të bëhet edhe në tre ditët në vazhdim dhe të shmangim qëndrimet dhe veprimet e skajshme intolerante mes nesh, pavarsisht faktit se cili është opinioni i saktë fetar për këtë çështje, pasi përgjegjësia në këtë rast bie mbi tjetër kë.

Gjejmë rastin të përshendesim vendimin e Bashkësisë Islame të Bosnjës  të  cilët ndryshuan datën e Kurban Bajramit duke e unifikuar atë me pjesën tjetër të botës islame.

Lusim Allahun, që këshilla jonë të gjejë zemra dhe arsye të hapura, larg paragjykimeve dhe aludimeve  që nuk na shkojnë për shtat ne si muslimanë.

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

20/10/2012