– Me të vërtet Allahu e ka begatuar njeriun me mirësi të shumta, e dalloi atë nga shumë krijesa të Tij, e nderoi dhe i dhuroi të mira nga qielli e toka, duke vënë çdo gjë në shërbim të tij. Dhe Ai vendosi ligje dhe kufij të ndryshëm sipas urtësisë së Tij. Ai njeriut i dhuroi udhëzimin, e që është pasuria më e çmuar, pastaj I mundësoi atij t’I shijojë të gjitha të mirat e krijuara për të, duke e pajisur me aftësinë e të menduarit, punuarit, fituarit etj. Dhe për hir të mirëqenies së tij krahas mirësive të shumta, disa gjëra i ndaloi rreptësisht dhe urdhëroi që të largohemi nga to. Është e vërtetë se njeriu e do pasurinë dhe lakminë ndaj saj e ka në nivel të lartë, mirëpo njeriu i devotshëm, i ruajturi, i përmbahet kufijve të caktuar nga Zoti dhe nuk përdor metoda të ndaluara që të arrijë deri tek pasuria.
– Ndërsa njeriu i ligë, të cilin e kanë pushtuar stolitë, lakmitë dhe kënaqësitë e kësaj bote, nuk shikon as djathtas as majtas, nuk e ndien vetën të nevojshëm për të qenë falënderues dhe mirënjohës ndaj Allahut për të mirat që ia ka dhënë, nuk i frikësohet as dënimit të Tij, por është në gjendje çdo vlerë të tij ta shkatërrojë dhe veten e tij ta rrezikojë e poshtërojë vetëm e vetëm për të arritur ta ushqejë e ngopë unin, epshin e tij, e ato s’ngopen, por i mjeri harron se me vdekjen e tij gjithçka do të lërë pas, përveç veprave, të cilat do t’i marrë me vete!
– Andaj Zoti e ka bërë pasurinë të shenjtë dhe ka krijuar mundësi dhe rrugë të ndershme se si të arrihet deri te ajo. Allahu i Lartmadhëruar e çmon shumë djersën e shkaktuar nga puna e ndershme dhe për të shpërblen, ndërsa djersën e vjedhësit apo vjedhëses, të cilët I derdhin në përpjekje për të arritur tek një pasuri e huaj, e ka shpallë të poshtër dhe për të ka vendosur sanksione të rrepta, andaj Ai përmes atyre ligjeve synon që njeriut t’ia ruajë pasurinë, ndërsa sot mjerisht nuk ndëshkohen kriminelët e vjedhjes, veçse fare pak! Dora që vjedh është dorë e mallkuar dhe e helmuar, e cila meriton të pritet, sepse ajo mund ta helmojë dhe shkatërrojë zemrën, shpirtin, mendjen, familjen, shoqërinë dhe vendin në përgjithësi.
NDAL VJEDHJES, TË FITOJMË ME NDER !
Autor: Labinot Kunushevci
Redaktor fetar: Hoxhë Fadil Musliu
Redaktor gjuhësor: Avni Tafili