DITA E ASHURES, 10 MUHAREM

DITA E ASHURES, 10 MUHAREM

0 2757

(10 muharrem 1434 = e shtunë, 24 nëntor 2012)

Për çdo vjet myslimanët gëzohen me rastin e Ashures, ditën e dhjetë të muajit muharem, për këtë arsye desha që në këtë shkrim modest të përmbledh hadithet e sakta që kanë të bëjnë me këtë ditë dhe të shpjegoj kuptimin e tyre. Lusim All-llahun, subhanehu ve teala, që të na ndihmojë, se e qëlluara është vetëm në Dorë të Tij, në Të mbështetem, Ai më mjafton, sa Përkujdesës i mirë që është Ai.

Historiku i Ashures

Dita e Ashures ka qenë ditë e dalluar edhe te popujt e kaluar. Ka qenë ditë e bekuar ashtu siç transmetohet në Sahihul-Buhari dhe Muslim se arabët në periudhën e injorancës kanë agjëruar në këtë ditë, kanë agjëruar Kurejshët këtë ditë si dhe Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në Meke para se të bëjë hixhret. Aishja, radijallahu anha, thotë: “Kurejshët e agjëronin ditën e Ashurasë në xhahilijet. Këtë ditë e agjëronte edhe Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në xhahilijet dhe pasi që shkoi në Medine edhe të tjerët i urdhëroi të agjërojnë. Kur u obliguam të agjërojmë muajin e Ramazanit, dita e Ashures mbeti të agjërohet sipas dëshirës.

Si duket agjërimi i kësaj dite tek arabët kishte mbetur nga feja e pastër e Ibrahimit, alejhis-selam, që më vonë u shtrembërua.

Është cekur nëpër disa transmetime se kjo ditë ka qenë e bekuar qysh në kohën e Nuhit, alejhis-selam. Transmeton Ebu Hurejreja se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kaloi pranë disa hebrenjve të cilët agjëronin ditën e Ashures. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i pyeti për shkakun që i shtynte ata të agjërojnë këtë ditë e ata u përgjigjën: kjo është dita në të cilën All-llahu e ka shpëtuar Musain, alejhis-selam, … dhe në këtë ditë është ndalur anija e Nuhit, alejhis-selam, në kodrën Xhedva, dhe për këtë agjëroi Nuhi dhe Musa në shenjë falënderimi All-llahun, subhanehu ve teala. (Transmeton Ahmedi. Në zinxhirin e këtij hadithi është Habib ibën Abdullah el-Ezdij)

Pra edhe hebrenjtë kanë agjëruar këtë ditë duke festuar triumfin e Musait, alejhis-selam, ndaj faraonit të cilin e fundosi All-llahu, subhanehu ve teala. Transmetohet nga Ibën Abbasi, radijall-llahu anhuma, i cili thotë: Erdhi Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në Medine dhe aty pa hebrenjtë që agjëronin ditën e Ashures. Ai pyeti: ç’ është kjo ditë? Ata u përgjigjën: Kjo është dita në të cilën All-llahu ka shpëtuar Beni Israilët nga armiku i tyre dhe për këtë Musai e agjëroi këtë ditë. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: Mua më parë më takon të pasoj Musain se ju. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Kështu pra kthehet e mira me falënderim…

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i ka nxitur myslimanët për të agjëruar këtë ditë duke shpresuar që All-llahu, subhanehu ve teala, me këtë t’i shlyej mëkatet e një viti të plotë. Transmeton Ebu Hurejreja, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është pyetur për agjërimin e ditës së Ashures dhe është përgjigjur: “I shlyen mëkatet e vitit të kaluar. (Transmeton Muslimi) kurse në transmetimin e Ibën Maxhes qëndron: “Unë shpresoj që me agjërimin Ashures t’i falë All-llahu, subhanehu ve teala, mëkatet e vitit që ka kaluar . “

Sa shpërblim i madh që është ky! I falë mëkatet e një viti të tërë! E ne jemi njerëz që bëjmë shumë mëkate, kundërshtojmë fenë e All-llahut në shumë raste, lëmë anash obligimet tona ndaj Tij, lusim All-llahun që të na falë!

Nuk është për tu habitur pse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e ka nderuar këtë ditë në këtë mënyrë nëse vërtetohet se agjërimi i kësaj dite ka qenë prej fesë së Ibrahimit, alejhis-selam, sepse në fakt, feja e Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është ripërtëritje e fesë së Ibrahimit, alejhis-selam.

Agjërimi i ditës së Ashures te myslimanët ka kaluar në disa etapa:

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, agjëronte këtë ditë qysh në Meke siç përmendëm më lartë.

Po ashtu agjëroi pasi që bëri hixhret në Medine dhe i urdhëroi myslimanët të agjërojnë. Kështu ishte para se të shpallet obligimi i agjërimit të muajit Ramazan.

Ibën Haxheri në librin e tij Fethul-Bari thotë: Selefi nuk kanë qenë të një mendimi se a ka pas agjërim të obliguar para Ramazanit apo jo? Pjesa dërmuese e tyre (e kjo është edhe mendimi i shafijve) kanë përkrahur mendimin se nuk ka pas agjërim të obliguar para Ramazanit asnjëherë. Mendimi tjetër (këtë mendim e përkrahin hanefijtë) është se agjërimi i parë i obliguar për njerëzit ka qenë dita e Ashures e pasi që shpallet obligimi i Ramazanit derogohet vendimi për ditën e Ashures.

Prej argumenteve të shafijve është hadithi merfu’ që e transmeton Muaviu, radijall-llahu anhu: “All-llahu nuk iu obligoi agjërimin e kësaj dite.”

Hanefijtë kanë marrë për argument hadithin e Ibën Omerit dhe hadithin e Aishes, radiall-llahu anha, të përmendur më lartë ku qartë shihet urdhri për agjërim si dhe hadithin që e transmeton Rubejj bint Muavvedh: “Ai që është gdhirë duke agjëruar le ta plotësoj agjërimin e tij. Ajo tha më tej: çdo herë e kemi agjëruar atë ditë dhe i kemi shtyrë fëmijët tanë të agjërojnë”.(Muslimi)

Argument tjetër i hanefijve është hadithi që e transmeton Seleme ibën Ekva’ ku Pejgmberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për ditën e Ashures ka thënë: “Kush ka ngrënë le të agjërojë pjesën e mbetur të ditës e ai që nuk ka ngrënë le të vazhdojë agjërimin” (Buhariu dhe Muslimi)

Ibën Haxheri në Fethul-Bari thotë: Ajo që nënkuptohet prej fjalëve të dijetarëve, pa pikë dyshimi, është se agjërimi i Ashures nuk ka qenë obligim apo se ka qenë obligim e pastaj është deroguar.

Ibën Haxheri vërteton se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka urdhëruar myslimanët për herë të parë të agjërojnë ditën e Ashures në fillim të vitit të dytë të hixhretit. Këtë e argumenton fakti se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, emigroi në Medine në muajin Rebiul-evvel kështu që dita e parë e Ashures pwr myslimanët në Medine ishte vitin e dytë të hixhretit.

Në po të njëjtin vit bëhet obligim për myslimanët agjërimi i muajit të Ramazanit dhe derogohet obligimi i agjërimit të Ashures (kjo e fundit sipas mendimit të hanefijve) dhe mbetet vendimi i kësaj vepre sunne muekkede .

Ibën Haxheri nga e gjithë kjo konkludoi se dita e Ashures ka qenë obligim vetëm një vit e pastaj ky vendim ndryshohet në vepër të preferuar.

Ibën Abdul-Berri përmendë Ixhma-në se agjërimi i kësaj dite tani nuk është obligim por mustehab (vepër e preferuar).

Hadithet që aludojnë se kjo ditë është mustehab të agjërohet janë të shumtë. Po përmendim disa në vijim:

Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Muaviu, radijall-llahu anhu, i cili thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: Këtë ditë të Ashures All-llahu nuk ua ka bërë obligim ta agjëroni. Unë agjëroj, ai që dëshiron, le të agjëroj e kush dëshiron të ushqehet le të ushqehet.”

Transmetohet nga Ibën Abbasi, radijall-llahu anhu, i cili thotë: “Nuk kam parë të Dërguarin e All-llahut të mbivlerësoj ndonjë ditë ndaj ditëve tjera me agjërim përveç kësaj dite: Ditës së Ashures dhe këtij muaji ” d.m.th. Muajin e Ramazanit. (Buhariu dhe Muslimi)

Transmeton Muslimi nga Ebu Katadeja i cili thotë: I Dërguari i All-llahut tha: “Shpresoj tek Allahu, subhanehu ve teala, që me agjërimin e ditës së Ashurasë t’i shlyej mëkatet e vitit që ka kaluar”.

Transmetohet nga Ebu Hurejreja, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit është në muajin e All-llahut Muharrem “.

Na tregon zonja e nderuar, Rubej bint Muavedh ibën Afra, se Pegamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në mëngjes të ditës së Ashures dërgoi lajm nëpër të gjitha fshatrat e Ensarëve përreth Medinës: Se ai që është gdhirë duke agjëruar, le ta plotësoj agjërimin deri në mbrëmje e ai që është ushqyer ta agjëroj pjesën e mbetur të ditës”. (Buhariu dhe Muslimi) Si duket kjo ka ndodhë në kohën kur agjërimi i Ashures ka qenë obligim. Më tej kjo zonjë përmendë se pas këtij urdhri të përgjithshëm për të agjëruar madje edhe ata që kishin ngrënë në fillim të ditës, myslimanët janë kujdesur me mish e me shpirt për të agjëruar këtë ditë. Ajo thotë: Pas atij urdhri agjëronim Ashuren dhe i shtynim të agjërojnë edhe fëmijët tanë të vegjël. Shkonim me ta në xhami dhe loznim për t’ua harruar ushqimin. Kur kërkonin ushqim, ua jepnim lodrat për t’i mashtruar dhe kështu për të plotësuar agjërimin.

Përmendëm më lartë se hebrenjtë kanë agjëruar këtë ditë e me këtë kanë festuar triumfin e Musait, alejhis-selam, ndaj faraonit. Desha që të shtoj në lidhje me këtë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kur pa se hebrenjtë agjëronin këtë ditë dhe i pyeti për shkakun e këtij agjërimi e ata u përgjigjën se ajo ditë ishte dita kur All-llahu, subhanehu ve teala, kishte shpëtuar Musain, alejhis-selam, tha: “Mua më parë më takon të pasoj Musain se ju.” Pastaj urdhëroi të agjërohet kjo ditë edhe kësaj herë. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke u nisur nga parimi për t’u dalluar nga hebrenjtë nxiti myslimanët që ditës së Ashures t’ia bashkëngjisin edhe një ditë tjetër para ose pas. Ai vendosi që nëse jeton deri në vitin e ardhshëm të agjërojë ditën e nëntë dhe të dhjetë të muajit Muharrem siç flasin për këtë transmetime të shumta.

Njëherë, kjo tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i ka kushtuar rëndësi të posaçme kësaj dite deri në fund të jetës së tij. Ai në lidhje me këtë ka thënë: “Po të jem gjallë deri në vitin e ardhshëm do ta kisha agjëruar edhe ditën e nëntë”. Transmetuesi thotë: erdhi viti i ardhshëm e Pegamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tani më kishte vdekur.(Muslim)

Ibën Haxheri në Fethul-Bari thotë: nga kjo nënkuptohet se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka agjëruar ditën e dhjetë dhe dëshiroi të agjërojë edhe ditën e nëntë mirëpo nuk arriti për shkak se ndërroi jetë.

Është me rëndësi të ceken dy çështje:

1) Urtësia e agjërimit të kësaj dite.

2) Shkalla e haditheve të shumta që kanë të bëjnë me këtë temë.

Sa i përket çështjes së parë them (e All-llahu e din më së miri): Njeriu është i përbërë prej dy elementeve, prej trupit dhe shpirtit. Ashtu sikur trupi që ka nevojë për ushqim edhe shpirti ka nevojë për të njëjtën gjë. Ndikimi i agjërimit në shpirtin e njeriut është i dëshmuar. Ai është mjet për të arritur devotshmërinë, metodë për ushtrimin e shpirtit në ambicie të larta. Agjërimi e liron shpirtin nga arroganca, i kalit emocionet, zbut zemrën dhe ngrit moralin.

Pasi që Islami është fe e lehtësimit dhe tolerancës siç thotë All-llahu, subhanehu ve teala: “All-lahu ju dëshiron juve të lehtën dhe Ai nuk do që t’i vështirësojë gjërat për ju” (Bekare 185), “All-llahu nuk e rëndon askënd mbi mundësitë që ai ka” (Bekare 286), “Nuk ka vënë mbi ju ndonjë mundim në fe” (Haxh 78), “All-llahu nuk do që t’ju vërë në vështirësi” (Maide 6) nuk i ka obliguar myslimanët me agjërim përveç muajit të Ramazanit dhe për çdo agjërim tjetër e ka lënë vullnetin e njeriut të lirë. Agjërimi pra në shumë raste është vullnetar (i preferuar, jo i obliguar) e një prej tyre është edhe dita e Ashures.

Mua më brengos fakti që shumica e fetarëve myslimanë e kanë lënë pas dore këtë sunnet. I sheh ata duke u kujdesur për namazet vullnetare mirëpo në agjërim pak prej tyre nxitojnë.

Sa i përket çështjes së dytë, janë transmetuar shumë hadithe që kanë të bëjnë me Ashuren e që i kanë përmendur dijetarët në librat e haditheve të trilluara. Më i njohur është hadithi “për ndihmën e të varfërve ditën e Ashures” e për këtë nuk ka asnjë hadith të saktë por gjithë që është transmetuar në këtë temë janë hadithe të dobëta siç kanë përmendur dijetarët e hadithit.

Zanafilla e gjithë kësaj si duket kthehet te zënka ndërmjet injorantëve të EHLI SUNNETIT dhe SHIAVE. Është e ditur se Husejni, radijall-llahu anhu, është vrarë në ditën e Ashures. Vrasja e tij ka qenë rastësi e pastër. Shiat e tepruan në këtë gjë dhe e bënë këtë ditë, ditë të pikëllimit, vuajtjes dhe mbajtjes zi. Ata i nxinë fytyrat në këtë ditë, i rrahin gjokset dhe shpinat e tyre, vajtojnë, bërtasin, qajnë e bëhen sikur qajnë.

Ata me këtë mendojnë se afrohen tek All-llahu, subhanehu ve teala, për shkak se janë injorantë dhe të humbur. Ata në këtë ditë organizojnë gosti e ceremoni.

Disa injorantë të EHLI SUNNETIT duke dashur që t’i hidhërojnë e t’i pezmatojnë këta të humbur, trilluan hadithe që flasin se në këtë ditë myslimani duhet pastruar e parfymosur, duhet zbukuruar e zbardhuar, si dhe nxitin që të ndihmohen të varfrit, e tjerë. Për këtë shumë mirë e ka thënë një fjalë Ibën Xheuzi: Disa injorantë të EHLI SUNNETIT patën për qëllim zemërimin e Rafidijve dhe për këtë trilluan hadithe për vlerën e Ashures kurse ne jemi larg dy palëve. Është vërtetuar se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka urdhëruar agjërimin e Ashures kur ka thënë: agjërimi i Ashures i shlyen mëkatet e një viti. Mirëpo ata nuk u kënaqën me këtë por deshën me tepër dhe ranë në gënjeshtër.

Prej këtyre haditheve të trilluara është fjala: “Kush lahet ditën e Ashures nuk sëmuret asnjëherë përveç sëmurjes së vdekjes, e kush i lyen sytë me kuhël, nuk do të gleposen sytë e tij atë vit” (Hadithi është i trilluar)).

Dijetari Mer’ij el-Kermij pasi që cekë këtë hadith thotë: Kështu edhe ngjyerja me këna ditën e Ashures, e gjithë kjo është gënjeshtër dhe trillim me pajtimin e të gjithë atyre që njohin shkencën e Hadithit. Pastaj përmendi fjalën e Ibën Tejmijjes: Asnjëri prej imamëve nuk e ka preferuar larjen e trupit ditën e Ashures, as kuhlin, as ngjyerjen me këna e as të ngjashme. Shkaku i trillimit të këtyre haditheve kanë qenë Rafidijt të cilët shfaqin pikëllim, vajtim, mosdurim, mundim të trupit dhe të kafshëve në ditën e Ashures për shkak se Husejni, radijall-llahu anhu, është vrarë në këtë ditë. Kjo shkaktoi që një grup prej Ehli Sunnetit të trillojnë hadithe për t’i kundërshtuar veprat e atyre risitarëve. Kështu kundërshtuan të kotën me të kotë dhe e kthyen bidatin me bidat.

Në lidhje me këtë ditë ka edhe bidate tjera që nuk kanë bazë në fenë tonë por neve na mbetet të përkujtojmë gjithmonë fjalën e Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Kush shpikë në fenë tonë diçka që s’është prej saj ajo është e refuzuar”(Buhariu dhe Muslimi) dhe fjalën e tij: “Fjala më e mirë është fjala e All-llahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, gjërat më të këqija janë shpikjet në fe dhe çdo shpikje në fe është humbje” (Muslimi)

Vel hamdu li-lahi rabbil alemine, ve sal-lall-llahu ve sel-leme ala abdihi ve resulihi muhammed ve ala alihi ve sahbihi.

Dr. Muhammed Ibën Lutfi Sabbag

Shqipëroi: Agim Bekiri

Publikimi i parë: www.albislam.com  31.3.2001

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 580