KUR FESTOHET PAUSHALL!

KUR FESTOHET PAUSHALL!

0 1137

Edhe pak ditë na ndajnë nga përfundimi i vitit 2012, ku më pas do hyjmë në vitin 2013 sipas kalendarit Gregorian, këtë e pranojmë të gjithë, por ja që për dikë 31 dhjetori nuk është vetëm përfundim i vitit, por është edhe festë!

Festë?!

Me siguri se po, ashtu po ngjanë në mjediset familjare, por ne pyesim, festë e kujt, kur e ka datëlindjen kjo festë, si ka ardhë tek ne, çka i kontribuon vlerave tona një festë e tillë, çka pas festimit, këto pyetje a duhet me i bë dikush … ?!

Le të na përgjigjen ata që nuk mund ta paramendojnë 31 dhjetorin pa festu!

Ndërsa une si shqiptar, musliman, posedoj parime dhe vlera; unë kur ha e di pse ha, kur pi e di pse pi, kur flej e di pse flej, kur punoj e di pse punoj, kur mësoj e di pse mësoj, kur argëtohem e di pse argëtohem, kur e adhuroj Allahun e di pse e adhuroj, por edhe kur festoj e di pse festoj, jo paushall, vetëm se me një arsye dhe qëllim fisnik.

E shumë shqiptarë muslimanë këto ditë po përgatiten për të festu; dikush me ushqime e pije të tepruara deri në luks, e më pas deri te mishi i derrit dhe pijet alkoolike nga më të ndryshmet, dikush duke u dëfry me muzikë degjeneruese deri në orët e vona, dikush duke u ndytë në amoralitet, dikush duke i shqëtesu të tjerët me krisma të mjeteve piroteknike, hallakam mbi hallakam, koha vjen e shkon, një vit më shumë, shumë hapa para drejt vdekjes dhe takimit me Zotin tonë.

Faktikisht a ia vlen të gjitha këto për një festë që në parim është festë pagane, kristiane, e importuar nga kulturat e huaja, që fare s’ka të bëj me traditën tonë kombëtare dhe fetare dhe që nuk pajtohet Zoti me të, nuk pajtohet, ndërsa shqiptarët pajtohen.

Unë personalisht ju them të mos ma uroni këtë feste, ai që ma uron festën e Vitit te Ri, ai më ka nënçmu, ju thërras që të më bashkangjiteni në vetëdijesimin e të tjerëve mbi realitetin e kësaj feste.

Nuk i kemi rendet me festu, ne jemi shqiptarë muslimanë dhe gjithmonë si popull i kemi festu dy festa; Kurban dhe Fitër Bajramin, e tash na i kanë përzi të huajt, të mos pranojmë çka do që na servojnë të huajt, sepse një ditë do të na mbesin në fyt.

Hargjime ekstreme, për çudi, një numër të madh të popullit i kemi me asistenca sociale, ndërsa kur vie Viti i Ri, ta merr mendja që ata i takojnë klasës së lartë ekonomike, e pas Vitit të Ri i vërejnë pasojat, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë moral.

Andaj mos festoni paushall, veç t’i pasojmë epshet, të kënaqemi një natë, duke harru se s’pajtohet Allahu me ne, vetëm për faktin se po festojnë tjerët, po vjen një vit i ri, shkoj viti i vjetër e hajdeni të festojmë!

A nuk duhet me bë një llogari vjetore, për fjalët dhe veprat, arritjet dhe humbjet gjatë një viti, ende pa na interesu si na shkoi viti dhe çfarë planifikojmë për vitin tjetër, neve na intereson vetëm me festu dhe me festu dhe në fund çka, kush po na lavdëron?!

Shumë ma i kënaqur do te jem unë që natën e 31 dhjetorit do ta kaloj në gjumë, sesa ata tjerët mbi tavolina duke i kaluar të gjithë kufinjt.

Mos festo paushall pa arsye!

Autor: Labinot Kunushevci

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 592