“Kush e trason në islam një rrugë të mirë, e ka shpërblimin e saj dhe të atyre që e pasojnë atë të mirë deri në Ditën e Gjykimit.” (Transmeton Buhariu dhe Muslmi)
Shkaku i thënies së këtij hadithi; kanë ardhur disa njerëz te Muhamedi (alejhi selam) në Medine dhe ata ishin njerëz të varfër, kështu që i nxiti Muhamedi (alejhi selam) shokët e tij për sadaka (lwmoshw). Erdhi një person me një deng (sadaka) të rëndë që e kishte rënduar dorën e tij, dhe e vendosi atë në prehrin e Muhamedit, alejhi selam.
Kuptimi i parë i hadithit
“Kush e trason në Islam një rrugë të mirë e ka shpërblimin e saj dhe të atyre që e pasojnë atë të mirë deri në Ditën e Gjykimit.”
Kuptimi i këtij hadithi është: “Kush fillon një punë me sunet, e jo kush shpik.”
Të sjellim një shembull nga koha jonë: Nëse një hoxhë nga hoxhallarët ia kujton njerëzve një gjë të cilën ata më parë nuk e kanë ditur se është nga suneti i Muhamedit (alejhi selam), kështu që ngritet dikush nga njerëzit dhe e praktikon atë i pari, në këtë rast themi se ai person ka trasuar një sunet të Muhamedit (alejhi selam), d.m.th. një rrugë të mirë.
Kuptimi dytë i hadithit
Hadithi: “Kush trason në islam një rrugë të mirë…” d.m.th. kur një sunet i Muhamedit (alejhi selam) është shuar dhe harruar tek njerëzit, kështu që ngritet një person dhe e vepron atë, atëherë themi se ky ka trasuar një rrugë të mirë.
Argument për këtë është fjala e Omerit –Allahu qoftë i kënaqur me atë- atëherë kur i urdhëroi njerëzit të bashkohen në namazin e teravive me një imam dhe ka thënë: “Sa bidat i mirë – risi e mirë”, e ka quajtur bidat ndërsa ajo ishte sunet. E ka quajtur “bidat” në kuptimin etimologjik të fjalës, ndërsa fjala bidat-risi në terminologjinë islame është e refuzuar.
Dihet se në kohën e Muhamedit (alejhi selam) namazi i teravive ishte falur me xhematë, por nga frika se mund të bëhet farz, i kishte ndaluar nga kjo i Dërguari i Allahut –alejhi selam-, për shkak të ringjalljes së këtij suneti, Omeri -Allahu qoftë i kënaqur me atë- e quajti “bidat i mirë-risi e mirë”.
Të gjithë e dimë se Muhamedi (alejhi selam) na ka porositur të kapemi për sunetin e tij dhe sunetin e halifeve të drejtë pas tij, e jo pas atyre që kanë ardhur shumë kohë pas gjeneratave të arta dhe kanë shpikur gjëra në fenë e Allahut të cilat nuk janë prej fesë Islame!
Ndërsa të shpiket diçka nga ibadetet (adhurimet) jo legjitime dhe të argumentohet me këtë hadith, kjo nuk ka mundësi! Kështu kanë vepruar disa grupe të bidatçinjëve, dhe kjo asnjëherë nuk ka mundësi të jetë e mirë, dhe si e tillë të pranohet!
Disa bidatçinjë të cilët kanë shpikur risi në fenë e Allahut pa pasur kurrfarë argumenti, kanë vepruar në këtë mënyrë, duke shtrembëruar kuptimin e hadithit tek masa, dhe më pas po të njëjtën e kanë quajtur vepër të mirë.
Nuk ka mundësi të jetë bidat dhe të jetë e mirë, sepse çdo bidat është humnerë; dhe po ashtu i Dërguari i Allahut –alejhi selam- na ka tërhequr vërejtjen nga risitë në fe, në fillim të çdo hutbeje të ditës së Xhuma, dhe gjithë këtë e ka bërë për shkak të rrezikut të bidatit-risisë në fe.
Ky është kuptimi i drejtë i hadithit që janë argumentuar disa hoxhallarë (duke ia ndryshuar kuptimin) për të mbrojtur një gjë të pa argumentuar sheriatikisht.
Jemi të thirrur si hoxhallarë që hadithet t’i studiojmë dhe komentojmë ashtu siç i kanë komentuar dijetarët, e jo si kemi dëshirë ne, sepse në të kundërtën nuk do të mbetej feja fe!
Fjala “suneh” në Islam ndahet në tre kuptime
1- “Suneh sejjieh” (rrugë e keqe) – Ajo është bidati-risia. Ajo çdo herë mbetet e keqe edhe nëse njerëzit i thonë e mire, duke u bazuar në fjalën e Muhamedit (alejhi selam): “Çdo bidat-risi është humbje”.
2- “Suneh haseneh (sunet i mire)” – Kur ai sunet është legjitim (sheriatikisht), e më pas lihet praktikimi i tij, dhe pas një kohe gjen që dikush e praktikon atë sunnet.
3- “Suneh haseneh (sunet i mirë)” – Kur njeriu bëhet i pari që nxiton drejt atij, sikurse puna e atij sahabiu që ka sjellë sadaka tek Muhamedi (alejhi selam).
Përmblodhi: Valdet Kamberi