PERSONALITET ENERGJIK

PERSONALITET ENERGJIK

0 1566

Falënderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë,  prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, kërkojmë mbrojtje nga të këqijat tona dhe të veprave tona, atë që Allahu e udhëzon nuk ka kush e devijon, dhe atë që Allahu e devijon s’ka kush që e udhëzon, dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut, i Cili është një dhe i pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij.

Meditoja rreth lutjes së të dërguarit, sal-lAllahu alejhi ve selem, i cili kërkonte mbrojtje nga dembelia, e thoshte: “O Allahu im! Kërkoj mbrojtje nga dembelia e paaftësia.”  Meditoja rreth vazhdueshmërisë për të kërkuar mbrojtje nga përtacia gjatë çdo dite, në dhikret e mëngjesit dhe mbrëmjes, në dhikret e mëngjesit thoshte: “U zgjuam e zotërimi është vetëm i Allahut, Zotit të botëve. O Allah! Unë të lutem vetëm Ty që të përfitoj nga mirësitë e kësaj dite; të lutem, të më ndihmosh ta filloj mirë këtë ditë; të lutem të më ndihmosh gjatë kësaj dite, të më udhëzosh e të më japësh prej begative të saj. Mbështetem vetëm tek Ti, që të më mbrosh nga të këqijat e kësaj dite dhe nga ato që mund të vijnë pas saj.”

Ndërsa në mbrëmje thoshte: “Ia mbërritëm mbrëmjes dhe mbeti Sundimi vetëm për Allahun (Krijuesin e Gjithësisë). Falënderimi i përket vetëm Atij, askush tjetër dhe asgjë tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, që është i Vetëm e i Pashoq, e Tija është gjithçka, vetëm Atij i përket falënderimi. Ai është i Plotfuqishëm mbi gjithçka. O Zot! Të lutem vetëm Ty që të m’i falësh mirësitë e kësaj nate e të netëve që vijnë pas saj. O Zot, mbështetem në mbrojtjen Tënde nga të këqijat e kësaj nate e të netëve që vijnë pas saj. O Zot! Më ruaj nga përtacia e mendje-madhësia.”

Saqë prej atyre që përcillnin udhëzimin e tij, sal-Allahu alejhi ve selem, prej sahabëve, e prej tyre edhe nëna e besimtarëve Aisheja, radijallahu anha, thonin: “I dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, shpesh lutej më këto fjalë.”

Meditoja për përsëritjen e kësaj lutjeje dhe vazhdimësinë në të, e thosha me vete: Padyshim që i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, duhet të jetë njeriu më i distancuar nga përtacia, vallë, a ka  mundësi që një njeri sikur i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, të thërret një shoqëri pagane, të inatosur e të egër, mundohej, lodhej përplot njëzet e tri vite, a mundet që të kryen këtë detyrë madhështore e të bartë në anët e tij përtacinë? Padyshim se jo, është e pamundshme!

Që kur e zgjoi shpallja me fjalën: “Ngritu dhe lajmëroi (njerëzit).” Mudethir, 2. Nuk u ul i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, derisa plotësoi fenë, lutej me atë lutje nga frika e përhapjes së kësaj sëmundjeje në umetin e tij, ai na mëson neve për rëndësinë e kërkimit të mbrojtjes nga përtacia, sepse ajo është shok i dështimit, ndërsa dështimi nuk i takon umetit të Muhamedit, sal-Allahu alejhi ve selem, ndërsa Allahu e zgjodhi këtë umet të jetë prijës i njerzimit: “Ju jeni Umeti më i mirë nga i gjithë njerëzimi që janë paraqitur ndonjëherë”. Ali Imran 110.

Vëllezër të nderuar! Me këtë parathënie dëshiroja që të filloj temën e sodit që është fenomeni i humbjes së shpirtit aktiv në jetën e njeriut, ekziston tirani e personaliteteve të dobëta, indiferente, të cilat plogështohen kur bëhet fjalë për ndonjë dobi të pritur. Padyshim se, përtacia është një veprues shumë me rëndësi në formimin e këtij personaliteti, mirëpo, cilët janë shenjat e humbjes së shpirtit të gjallë, aktiv në jetën e shumicës së njerëzve? Janë shenja të ndryshme, në mënyrë që të bëhet e qartë, do të përmend disa prej tyre, vetëm sa për shembull, e jo si përkufizim, janë shembuj të thjeshtë, por janë shenja  prej këtyre shenjave.

Neglizhimi i disa rregullave dhe adeteve të lavdëruara, bile edhe të disa adhurimeve që në përkushtimin e tyre përfitohen shumë të mira, e në kundërshtimin e tyre shkaktohen të këqija dhe humbje të atyre të mirave. Përshembull; disa dalin prej xhamisë, e asnjëri prej tyre nuk e detyron veten e tij që të vepron sunetin, në mënyrë që të nxjerr këmbën e majtë së pari gjatë daljes, apo kur të hyn në xhami, nuk kujdeset që të kujton sunetin të hyn me këmbën e djathtë. A është injorant ndaj këtij suneti? Përgjigjja është: Jo, Mirë, A është një adhurim i rëndë? Përgjigjja: Padyshim se jo, është një vepër prej më të lehtëve. Mirë, A ka shpërblim për të? Gjithsesi se po. A është ai i nevojshëm për shpërblim? Përgjigjja: Padyshim se ai është më se i nevojshëm.

Atëherë, çfarë e bën atë që të mos jetë veprues e të mos i kushton rëndësi? Çfarë e bën që ai të anashkalon e të bëhet përtac, i paaftë ndaj një të mire të dukshme, të del me të majtën para të djathtës, dhe e kundërta? Ai vepron të kundërtën. Çfarë e bën që ai të mos ketë interes për të? Allahu e di më së miri! Është një sjellje e çuditshme, por, padyshim që është shenjë për një personalitet të plogësht, që nuk i kushton rëndësi gjërave.

Gjithashtu prej shenjave është hedhja e gjësendeve nga vetura, apo lënia e mbeturinave në vendet e piknikëve, e nuk e ngarkon veten asnjëri që të nxjerr një qese të vogël nga vetura për të hedhur në të mbeturinat, apo nëse del me familjen e tij në shëtitje, që ai vet të bart e të drejtohet tek fuçia e mbeturinave, jo, nuk mundet! Pra, përtaci, neglizhencë, sjellje e keqe dhe gjithashtu humbje të shpërblimit, ngase ai e di se largimi i një pengese nga rruga është prej besimit, saqë nuk u mjaftua që të mos largon pengesat nga rruga, por ai është i cili la mbeturinat, pastaj shkon dhe i le ashtu!

Prej shenjave të dukshme për një personalitet të plogësht, është neglizhimi ndaj kyçjes së sinjaleve treguese, kur vetura lëvizë në të djathtë apo në të majtë, gjatë kësaj neglizhence ekzistojnë rreziqe dhe mundësi për të ndodhur aksidente të shumta, megjithatë mund që të vëresh së ky mjet gati se është përjashtuar nga shumica, prezenca e saj në automjet është sikur të mos jetë. Disa mund që ta konsiderojnë si veprim i rëndë lidhjen e rripit të sigurisë, ngase ndjen ngushtësi, apo diç të ngjashëm, këtë mund që ta kuptojmë, por sinjalin, çfarë vështirësie mund të jetë në lëvizjen e shkurtë e të lehtë të dorës së tij? Është neglizhencë, përtaci, papërgjegjësi, jo sjellje e mirë, mospërfillja e ndjenjave të njerëzve dhe shëndetit të tyre. Gjë e çuditshme!

Prej shenjave të humbjes së shpirtit veprues është mosekzistimi i bashkëpunimit shoqëror, përshembull, organizimet që mbahen për një ndejë shoqërore: Ceremoni e lidhjes së raporteve dhe të njoftimit, ligjëratë shoqërore rreth familjes, etj. E befasohesh kur në lagje numri i burrave arrin në pesëmbëdhjetë mijë apo njëzet mijë, kur numri i atyre që prezantojnë është vetëm se dhjetë burra! Apo pak më tepër! Pra shumica tjetër janë të zënë edhe në ato pak minuta, që këto organizime nuk përsëriten pos një herë në muaj apo një apo dy herë në vit.

O ju vëllezër, unë nuk po përgjithësoj, ngase nuk ka asnjë shoqëri e që të mos ketë njerëz që janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë, që gjërat primare i rendisin në bazë të besimit, nuk ndodh asnjë gjë negative e as përtaci, mirëpo, po të mos ishte kjo gjë e dukshme, e qartë nuk do të zhvillohej kjo bisedë. Them: Kjo edukatë shoqërore që e gjejmë në lagjet tona, në të cilat lagje zhvillohen aktivitete, është një negativitet vrasës. Vret ndjenjën e llogaritjes, vret veprën vullnetare, ngurtëson lidhjet e asaj shoqërie, me të vërtetë një shpirt negativ, të plogësht, me zhvillim të rëndë nuk i takon një umeti, si umetit të Muhamedit, sal-Allahu alejhi ve selem.

Prej shenjave të humbjes së shpirtit veprues janë edhe kritikat e njëpasnjëshme, ky është qëllimi i disave, çdoherë kritikon; Pse kështu? Pse nuk është kështu? Pse nuk keni bërë kështu? E kur i thuhet atij: Eja, bashkëpuno në përmirësimin e gjendjes, arsyetohen dhe largohet. Kështu është ai që flet shumë dhe vepron pak, sikur që është thënë: “Të ndritësh një qiri është më mirë për ty se sa të mallkosh errësirën”.

Lëvizja dhe dinamika me të cilat muslimanët pushtuan detin Mesdhe, kaluan malet e Francës në perëndim, ia mësynë borës në maje të maleve të Ballkanit dhe të Shqipërisë, shkatërruan elefantët në kokat e persianëve dhe zjarrputistëve në lindje, u ngjitën maleve të Heratit në Afgnistan, nga aty çliruan Indinë, dhe arritën kufijtë e Kinës, me atë lëvizje ndërtuan civilizim madhështor që në bazë të saj ka tevhidin, drejtësinë, bamirësinë. Këtë lëvizje dinamike e dëshirojmë që të zgjohet përsëri.

Ky umet nuk ngritet përderisa të ngritet çdo individ, pra duhet që të rishikojmë veten e të përmirësojmë, ngase ngritja e umetit në veprim, aktivitet, pozitivitet, në bashkëpunim për të mirë, bëhet kur ai ndjen vlerën e fesë dhe trashëgimisë së tij, forcën e tij për përmirësimin dhe rikthimin e vullnetit për përparim, kërkim të dobisë fetare dhe të kësaj bote me pa përtaci.

I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, dërgoi një ushtri dhe mbi ta caktoi Zejd in Harithen, dhe tha: “Nëse Zejdi vdes ose bie dëshmorë, prijësi juaj atëherë është Xhaferi, nëse ai vdes ose bie dëshmorë, prijës i juaj është Abdullah ibn Ravaha.” Kështu që ushtria takoi armikun, e morri flamurin Zejdi, i cili luftoi derisa u vra, më pas e morri flamurin Xhaferi, i cili luftoi derisa u vra, pastaj e morri flamurin Abdullah ibn Ravaha, i cili luftoi derisa u vra, dhe në fund e morri flamurin Halid ibn Velidi, e Allahu ia mundësoi atij që të fitojë.

I erdhi lajmi të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, ai doli para njerëzve, falënderoi dhe madhëroi Allahun, pastaj tha: “Vëllezërit tuaj takuan armikun, Zejdi morri flamurin, luftoi derisa u vra apo ra dëshmorë, pastaj morri flamurin Xhafer ibn Ebi Talib, luftoi derisa u vra apo ra dëshmorë, pastaj e morri flamurin Abdullah ibn Ravaha, luftoi derisa u vra apo ra dëshmorë, pastaj e morri flamurin një shpatë prej shpatave të Allahut, Halid ibn Velidi, e Allahu ia mundësoi atij fitoren…” Hadithi është i saktë.

Mësimi nga ky hadith është veprimi i menjëhershëm i Halid ibn Velidit për të bartë flamurin kur u vranë që të tre udhëheqësit, ky është veprim, ngase nevoja e kërkon një veprim të tillë, ky është shpirti që ka nevojë për të ky umet, shpirt i veprimit të menjëhershëm dhe aktiv. Halidi u mërzit që të vdes në shtrat, ngase jeta në kuptimin e tij ishte ambicie dhe lëvizje drejt realizimit të aspiratave, nuk ndërpritej edhe në çastin e vdekjes.

Halid ibn Velidi thoshte, kur ishte në çastet e vdekjes: “Kam marrë pjesë përafërsisht në njëqind beteja, dhe nuk kam në trupin tim as sa një pëllëmbë, pos të ketë ose goditje me shpatë, shigjetë apo shtizë, dhe ja unë tani po vdes në shtrat me vdekje normale ashtu siç vdes një kafshë, mos të pasin gjumë sytë e frikacakëve!”

Në hadithin e vërtetë që e transmeton Muslimi nga Enes ibn Maliku, i cili ka thënë: “I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ishte njeriu më i mirë, më bujari, më i guximshmi. Banorët e Medinës, një natë u frikuan, e njerëzit u drejtuan drejt zhurmës, i takoi ata i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, duke u kthyer, i pari kishte shkuar drejt asaj zhurme i hipur mbi kalin e Ebu Talha, shihej shpata në qafën e tij, e u thoshte njerëzve: “Mos u frikësoni, mos u frikësoni”.

Ky aktivitet, veprimtari e shpejtë, ajo dinamikë dhe gatishmëri janë atribute të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, që e bënë që ai të del i pari prej njerëzve në vendin nga i cili dëgjohej zëri, i hipur mbi kalë, kthehet që t’i qetëson ata para se ata të arrijnë në atë vend. Shpejtësi, vullneti për të qenë i pari, veprim, kështu ishte ai, sal-Allahu alejhi ve selem.

Kulturën e gjumit dhe plogështisë nuk e gjejmë në islam, asnjëherë, si ndërroi gjendja?!

Në Sahihun e Muslimit transmetohet hadithi që i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem: “Nga njerëzit me jetë më të mirë, është personi i kapur për frenat e kalit në rrugë të Allahut, fluturon mbi shpinën e tij, saherë që dëgjon një zhurmë apo trishtim, fluturon drejt saj”.

AbdulAziz ibn Abdullah Suvejdan

Përktheu: Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM