E keqja e gënjeshtrës
Gënjeshtra është çelës i hipokrizisë dhe baza e saj. Kjo cilësi është cilësi e njerëzve më të poshtër nga gjithë krijesat.
I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri: Kur flet gënjen, kur premton nuk e mban premtimin dhe kur i besohet tradhton.”1
Ademi dhe Hava, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ta, dolën nga Xhenneti vetëm nga shkaku i gënjeshtrës së Iblisit ndaj tyre. Allahu thotë: “Dhe ju bëri be atyre (duke u thënë) se: Unë jam këshillues për ju.”2
Madje dijetarët rrenacakun e kanë pozicionuar në rangun më të ulët të njerëzve, sa që e kanë ranguar më poshtë edhe se kafshët.
Ibn Tejmije thotë: “Gënjeshtari është në gjendje më të keqe se kafsha e tërbuar.”3
Ngase kjo cilësi e përmbledh në vete fesadin në këtë botë dhe në botën tjetër.
Ibn Kajjimi thotë: “Çdo vepër e fëlliqtë qoftë nga jashtë apo nga brenda fillimin e ka nga gënjeshtra. Allahu e dënon gënjeshtarin duke e privuar nga dobitë dhe mirësitë e tij, ndërsa të drejtin Allahu e shpërblen me atë se ia mundëson ti shfrytëzojë mirësitë e dunjasë dhe të ahiretit. Andaj çdo mirësi e dunjasë dhe ahiretit vjen thjeshtë nga drejtësia, kurse çdo dëm dhe fesad vjen si rezultat i gënjeshtrës.”4
Nisur nga realiteti se edhe poqëse nuk të kap diçka nga pasojat e gënjeshtrës, përpos faktit se privohesh nga grada e të drejtëve në ahiret, mjafton kjo si pasojë fatale për ty, pasi që gradën e të drejtëve në ahiret nuk e arrin kurrë gënjeshtari. Andaj largohu nga gënjeshtra gjatë të folurit tënd, sepse ajo të çon në degjenerim, e bën shoqërinë që të largohet prej teje, të urrejnë njerëzit nga shkaku i saj dhe çdokush kujdeset kur ka punë me ty, ngase frikësohet nga e keqja e gënjeshtrës tënde në çdo aspekt.
Përgaditi: Nexhat Ceka
Burimi: albislam.com
_____________
1 Mutefekun-alejhi
2 A’raf: 21.
3 “Mexhmu fetava“ 20/74.
4 “Bedaviul-fevaid“ 1/136.