TERRORIZMI ISLAMIK APO TERRORIZIMI MEDIATIK

TERRORIZMI ISLAMIK APO TERRORIZIMI MEDIATIK

0 1867

Prej shume kohësh në tv të ndryshme shqiptare kanë filluar të transmetohen emisione të cilat i dedikohen “terrorizmit islamik”.

Të ftuar nëpër emisione janë personazhe dhe analistë të ndryshëm të cilët diskutojnë për një rrezik të mundshëm të këtij termi, dhe u përgjigjen pyetjeve të përgatitura nga drejtuesi i emisionit.

Debatet që lindin në këto programe rrotullohen gjithmonë rreth të njëjtit bosht dhe gjithmonë debati mbyllet me një shije të hidhur për shumë shqiptarë, të cilët, për vite e vite me radhë janë krenuar me bashkëjetesën shembullore e cila i ka karakterizuar shqiptarët prej shumë kohësh.

Atëherë shumë teleshikuesve u lind natyrshëm pyetja dhe dyshimi nëse ka apo jo në të vërtetë një rrezik të tillë në Shqipëri (Ballkan), dhe a duhet me të vërtetë të kemi frikë nga ky presion i imponuar nga mediat në këtë rast.

Por të spostohemi për një çast nga ky rrezik i “mundshëm” dhe të mundohemi të flasim për rreziqet aktuale në Shqipëri për të cilat duhen marrë absolutisht masa të menjëhershme.

Populli shqiptar vuan akoma dramën e hakmarrjes, dramë kjo e cila ka marrë të tatëpjetën falë armëve të cilat ndodhen ne duart e gjithkujt si dhe falë kanunit të lekë dukagjinit i cili aktualisht përdoret në mënyrë abuzive nga çdokush i cili mendon se mund t’i marrë jetën dikujt në një mënyre legjitime.

Pasojat e hakmarrjes janë tragjike. humbin jetën të vegjël e të mëdhenj, ngujohen me qindra fëmijë dhe dëmtohet jeta e shumë familjeve.

Nuk do hezitoja ti quaja këta vrasës, si terroristë të vërtetë të pa fe, pasi vetë terrori nuk ka fe.

Gjithashtu në Shqipëri ka një situatë të dhimbshme të mijëra kryefamiljarëve të cilët në mungesë të një vendi pune ose për shkak të varësisë së tyre ndaj alkoolit dhe kumarit bëhen të rrezikshëm për fëmijët dhe familjet e tyre duke u marrë jetën në mënyra nga më të ndryshmet, fatkeqësisht në shumë raste.

Ky është një problem serioz i cili kërkon zgjidhje të menjëhershme nëse duam që këto persona të bëhen të ndërgjegjshëm dhe fëmijët e tyre të bëhen të përgjegjshëm për veten dhe për shoqërinë.

Edhe ne këtë rast nuk hezitoj t’i quaj këto raste, si ngjarje që tronditin dhe frikësojnë publikun.

Duhet thënë me shumë keqardhje që edhe përdorimi i lëndëve narkotike shkakton shpesh dhunë dhe frikë. Shpesh viktima të këtyre lëndëve, janë gratë pasi tentohet që të vidhen çanta ose bizhuteri floriri.

Dhe ndërkohë që në lajme dhe gazeta kemi përditë kronika të zeza, për vrasje me motive shumë të dobëta shpesh në kushte ekstreme varfërie, shohim një indiferencë totale të medias televizive në trajtimin e këtyre çështjeve.

Fatkeqësisht një adoleshent që vret bashkëmoshatarin e tij në mënyrë të paramenduar, një mostër 81 vjeçar që i pret kokën një vajze shtatzëne, bombat e telekomanduara me tritol të cilat janë bërë rutinë në edicionet e lajmeve, nuk janë për spektrin gazetaresk aq shqetësuese sa të trajtohen nëpër emisione duke dhenë një ndihmë konkrete për edukimin sado modest të brezit të ri.

Në një kohë kur Shqipëria vuan nga varfëria dhe padija, me gjithë këto probleme që Shqipëria ka, mesa duket t’i shtosh edhe një më shumë nuk qenka problem i madh.

Të shohësh gazetarë të papërgatitur për temën (në këtë rast për fenë Islame) të cilët japin një kontribut të panevojshëm për terrorizimin e popullsisë shqiptare është një fatkeqësi e vërtetë.

Koha ka treguar se populli shqiptar është pak naiv dhe eksperimenti me telenovela dhe emisioneve të ndryshme argëtuese ka treguar se media dhe televizioni kanë një vend të veçantë në jetën e shqiptarëve. Ndaj mund të themi se çfarëdo që mund të thuhet nëpër këto emisione, edhe nëse është e pabazë, publiku do t’a marrë për të vërtetë.

Por nëse hedhim një vështrim në atë çfarë ndodh nëpër vendet me popullsi të madhe muslimanësh, do shohim se në shumë vende muslimanët po vuajnë. Në Siri, Palestinë, Birmani e vende të tjera muslimanët po vriten me qëllim dhe mediat janë shurdhmemece rreth asaj çfarë ndodh. Po të ishte Islami vërtet i frikshëm dhe i dhunshëm askush nuk do guxonte t’i prekte muslimanët nga frika se do reagojnë, por duke qenë se është e kundërta, duke qenë se Islami është fe e paqes dhe e mëshirës, dhe nuk i mëson besimtarët të jenë të pabesë dhe agresivë, atëherë abuzimi me fenë e Allahut merr përmasa të frikshme. Nëse dikush mundohet të shkojë në ndihmë të muslimanëve, menjëherë etiketohet si terrorist, falë këtij kontributi të neveritshëm mediatik.

Ne si muslimanë duhet të jemi shumë të informuar rreth fesë sonë. Nuk duhet të jenë për ne të rëndësishme ndjekja e telenovelave, televizioni, thashethemet, bukuritë e kësaj bote. Ne e kemi për detyrë të dimë të mbrojmë identitetin tonë fetar, të mbrojmë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë nëse duam që të jetojmë në paqe.

M.V.