LULJA E PESËMBËDHJETË

LULJA E PESËMBËDHJETË

0 1421

Ashtu siç qëndroja ulur, kur ja, buzë këmbës së djathtë qëndronte një lule tjetër, e cila për nga trupi i saj ishte më i shkurtër se sa i lules paraprake. S’desha që menjëherë ta mbërthej në dorë, kisha dëshirë së paku të kënaqem duke e parë aty në tokë.

Me fletët e saj ngjyrë qielli shkëlqente si peizazhet e bukura të bëra nga dora e piktorit të shkathtë. Syri kënaqej në shikim, por s’ngopej me bukurinë që ajo ia jepte syrit. Disa herë u mendova se kur ta marrë, e në fund vendosa, tash do e marrë dhe para se ta lexoj unë, dua t’jua japë juve që ju ta lexoni para meje, Mejmun ibën Mehrani ka thënë: “Agjërimi më i dobët është abstenimi nga ngrënia dhe pija.”

Nuk nevojitet që vetëm të jemi të uritur dhe të etur, por këtij adhurimi duhet që t’ia përkushtojmë zemrën dhe gjuhën. Ngase kohë e humbur është kur fiton çdo gjë, e shpirtin e ke të uritur nga ushqimi i tij. Duhet ta ndiejmë ëmbëlsinë që agjërimi e jep në ne, duke mos ngrënë dhe duke mos pirë, por veç duke e shijuar ngopjen e brendësisë sonë me adhurime. Njeriu i cili ka nijet të pastër, di edhe të angazhohet me vepra të mira. Për këtë është thënë, se sa më shumë që njeriu kujdeset të mos depërtojë e keqja te ai, ai bëhet më i prirë në vepra të mira.

Duke u munduar të qëndrojë i pastër kundrejt këtij adhurimi, në vete nuk e ndieja etjen dhe urinë edhe pse asgjë s’fusja në gojë. Se njeriu sa më shumë jepet pas dijes, aq më të përulur e ndien veten ndaj saj. Adhurimi është ushqimi më i shijshëm për njeriun i cili e ruan veten nga veprat të cilat ia humbin shijen atij. Në rrugën e adhurimeve, sprovat vijnë si rezultat i besimit, e besimi sprovohet nga pesha e nxitjeve të tij që shpien njeriun në vepër. Që barku mos ta ndiejë urinë, duhet shpirtit t’i shuhet etja, ngase për fjalën e cila qetëson, merret malli të dëgjohet.

Deri në këtë çast kisha qenë duke e mbajtur lulen në dorë, dhe përveç që e nuhatja erën e saj, ndieja dhe kënaqësi në shikimin e saj. Si janë lulet, siç ujiten, ashtu edhe lulëzojnë. Ndoshta tani erdhi çasti ta lë dhe të kalojë te një lule tjetër, por u ndala edhe një çast, ngase m’u kujtua një thënie e hershme se adhurimi e lidh adhuruesin me kënaqësinë shpirtërore që ia jep dhe se ai sa më tepër të preokupohet me adhurime, aq më i uritur ndjehet karshi tyre, e kjo më ndali t’ia lëshojë edhe një sy shikim. Shikimi më mbeti në mes fjalës dhe heshtjes ku më shumë pëlqeva të heshti për fjalën se sa të flasë për heshtjen.

E këputa një fije gjethi me qëllim ta mbajë si kujtim për këtë lule, dhe para se ta lëshojë lulen e lëshova një lot nëpër faqe.

BLERIM MUHXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 575