PËR NJË RAMAZAN MË NDRYSHE ( 6 )

PËR NJË RAMAZAN MË NDRYSHE ( 6 )

0 1920

MOS I HUMB SHPRESAT NË FALJEN DHE MËSHIRËN E ALLAHUT:

Gjëja më e keqe që ka mundësi ta godas njeriun është dëshprimi dhe humbja e shpresës në faljen dhe mëshirën e Allahut.

Arma më e madhe e shejtanit të mallkuar është që besimtari t’i humb shpresat se Allahu nuk do t’ia falë mëkatet dhe nuk do t’i pranon pendimin në muajin e bekuar të Ramazanit apo edhe në muajt e tjerë.

Dhe, kështu vazhdojnë shumë prej njerëzve duke i mëkatuar Allahut natên dhe ditën dhe fare nuk mendojnë se po t’i kthehen Allahut sinqerisht dhe të pendohen sinqerisht, nuk ka dyshim se Allahu ia pranon pendimin dhe ua falë mëkatet e tyre, e veçanërisht në muajin e bekuar të Ramazanit.

Pendimi i shlyen mëkatet e kaluara, andaj ai i cili ështê sprovuar me mëkate, e ka mundësinë e artë të pendimit në muajin e pendimit(të Ramazanit), ngase Ramazani është muaj i faljes, në këtë muaj prangosen shejtanët, dobësohen epshet dhe njeriu më lehtë e ka t’i kthehet Allahut sinqerisht me pendim në këtë muaj të faljes sesa në muajt e tjerë.

Allahu i Madhëruar i thërret robërit e Tij për pendim, duke thënë: “Thuaj: “O robërit e mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i falë të gjitha mëkatet. Ai, me të vërtetë, është falës dhe përdëllimtar.” (Zumer: 52).

Andaj, për t’u realizuar pendimi i sinqertë dhe i pranuar, duhet plotësuar gjashtë kushte, e ato janë:

  1. Sinqeriteti. Duhet që pendimi të bëhet sinqerisht për Allahun, e jo të bëhet përshkak njerëzve apo arritjes së ndonjë pozite në dynja apo edhe nga frika prej ndonjërit nga krijesat e Allahut.

Pra, pendimi për t’u pranuar duhet të jetë sinqerisht për Allahun, ngase po u bë pendimi për dikë tjetër përpos Allahut, atëherë të gjitha veprat do të shkatërrohen, ngase i ke bërë shirk Allahut.

Trasnmetohet nga Xhabiri,-.Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- sal-Allahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Kush e takon Allahun pa i shoqëruar Atij asgjë, do të hyjë në Xhenet. Ndërsa, kush e takon Allahun duke i shoqëruar ďiç, do të hyjë në zjarr.” (Shënon: Muslimi: 93).

  1. Largimi nga mëkati. Duhet që i penduari të distancohet menjëherë nga mëkati pas pendimit. Ngase, nëse i kthehet prap atij mëkati dhe thotë se jam penduar, atëherë ai i bjen se po bën shaka me Allahun. Ngase, nëse dikush i ka hy në hak dikujt prej njerëzve apo është sjell vrazhdë me të dhe i kërkon falje, mirëpo gabimin e tij e përsëritë shpesh ndaj tij, atëherë kjo i bjen se po luan apo po bën shaka me të. Si dhe, pendimi nuk mund të paramendohet duke vazhduar me bërjen e mëkatit.
  2. Keqardhja për mëkatin e bërë. Të ndihet keq dhe i mërzitur prej veprimit të atij mëkatit dhe ta ndien përgjegjësinë e kërkimit të faljes tek Allahu dhe pendimit tek Ai. Keqardhja është pendim, dhe nëse zemra nuk ndien keqardhje për mëkatin e bërë, atëherë ajo aludon se zemra është e kënaqur me bërjen e atij mëkatit. Ngase, mëkati ose digjet me zjarrin e keqardhjes në dynja ose digjet me zjarrin e Xhehenemit në ahiret. Muhamedi, alejhi selam, për keqardhjen ka thënë: “Keqardhja është pendim.” (Ahmedi, Hakimi. Dhehebiu e vlerësoi hadithin si sahih(të saktë).”
  3. Vendosmëria për të mos iu kthyer më mëkatit.
  4. Pendimi në kohën e pranimit të tij. Duhet ta bëjë pendimin para se të lind dielli nga perëndimi(shenjat e kiametit) apo para vdekjes.

Allahu i madhëruar, thotë:

“A mos vallë presin ata t’u vijnë engjëjt, ose të vijë (urdhëri) i Zotit tënd (me dënim) ose të vijnë disa argumente të Zotit tënd. Kur të vijë ndonjë argument i Zotit tënd, atëherë nuk do t’i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë, ose nuk ka bërë ndonjë të mirë, në besimin e tij. Thuaj: “Pritni ju, se edhe ne, me të vërtetë po presim!” (En’am: 158 ) . Ky ajet është argument se Allahu nuk ia pranon pendimin atyre që pendohen kur të lind dielli nga perëndimi.

Kurse, argumenti se Allahu nuk ia pranon pendimin atyre qe e vanojnë gjatë marrjes së shpirtit (deri në agonin e vdekjes). Allahu i Madhëruar, thotë: “Nuk pranohet pendimi i atyre, që vazhdimisht bëjnë të këqija për derisa t’u arrijë vdekja; e atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë mohues, për këta, Na kemi përgatitur dënim të dhembshëm.” (Nisa: 18).

Pra, Allahu nuk e pranon pendimin e atij që i ka ardhur shpirti deri në fyt dhe nuk e pranon pendimin e atij që pendohet kur dielli lind nga perëndimi e jo nga lindja, që është një nga shenjat e mëdha të Kiametit, siç e cekëm më lartë.

  1. Kthimi i të drejtave deri tek pronarët e tyre, nëse mëkati ndërlidhet me të drejtat e krijesave të Allahut, atëherë duhet kërkuar atyre hallall dhe duhet t’i kthehet haku i tij.

Allahu na mundësoftë të gjithëve realizimin e pendimit të sinqertë!

Autor: Shejh Muhamed Ibn Salih el Uthejmin, rahimehullah

Burimi: albislam.com

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 592