LULJA NJËZET E KATËR

LULJA NJËZET E KATËR

0 618

Me një shpejtësi si të vetëtimës dhe pa e kthyer kokën mbrapa, vazhdova ecjen time. Hapat e përcollën njëra-tjetrën në ritmin e tyre ku në vijimësinë e tyre edhe rrahjet e zemrës dëgjoheshin sipas gjurmëve që porositë e luleve linin në të. Një botë e re u ngjall në brendinë time dhe një frymëmarrje më e lehtë u shprehte nga unë. Ashtu siç ecja vetëm përpara pa e kthyer kokën, u ndesha me atë që ishte melhem për zemrën time, me lulen e radhës. Me të marrë në dorë, edhe pse e lexova dy herë, sërish nuk ngopesha me të, vendosa për herë të tretë ta lexojë me ju.

Në të shkruante: “Ebu Hurejra ka thënë: “Kur të agjëroni, mos u sillni në mënyrë injorante dhe as mos i ofendoni njerëzit. Nëse dikush sillet në mënyrë injorante ndaj jush, thoni: “Unë jam agjërueshëm”.” Me të lexuar këtë, u kujtova në hadithin e të Dërguarit që për nga përmbajtja është në nivel të njëjtë me këtë thënie. E për një copë herë mendova, si të mos jenë ashtu, kur edukimin e tyre e morën pikërisht prej Tij. Ata e pastruan veten e tyre në ujërat e besimit dhe për këtë besim e sakrifikuan edhe veten. Ata i mbjellën veprat e tyre me lotin e syrit dhe tjetrit më shumë ia donte të mirën se vetes. Si mos ta kenë në gjuhët e tyre emrin e Tij, kur dihet se njeriu atë të cilin e donë shumë, atë më së shumti e përmend.

Kur edukohesh nga e Vërteta, u bën ballë goditjeve të cilat të vijnë nga sprovat, në çast m’u kujtua si thënie, s’dija as vetë pse dhe si, por ashtu kalimthi doli në shpesh në mendjen time. Ata e privonin veten nga e lejuara që pastaj ai të mos privohet nga e mira për vetën e tij. Të tillë ishin ata, prandaj ai që i përulet të Vërtetës synon t’i arrijë majat, e qëllimi i tij arrihet kur e plotëson atë që e kërkon Ai. I dhanë vetes vetëm aq sa u mjafton atyre, e neve na dhanë aq sa na mjafton për të dy botët. Fjalët që thanë dje, sot ne i kemi këshillë për jetë, jetën të cilën e jetuan ata, ne e kemi shembull për vete. Për këtë, sa je i zbukuruar me turp, po aq je i mbrojtur nga rrëshqitja në gabime.

Njeriu e kërkon ushqimin e shpirtit në rrugën e besimit dhe e gjen lumturinë në luftimin e pasionit. Zemra i duroi njëqind të mira që u thanë për të, e s’mundi një të keqeje t’i bëjë ballë. Dihet se i mençuri e hijeshon veten me heshtje, e flet vetëm atëherë kur fjalët e tij u bëjnë dobi të tjerëve… Sërish me vete thashë, të tillë ishin ata që veprat e tyre i mbjellën me lotin e syrit dhe tjetrit më shumë ia donte të mirën se vetes. Nëse e ruan veten, je i vetëdijshëm edhe për veprimet që i bën! S’munda ta mbajë më tepër këtë lule, e lashë dhe vazhdova rrugën…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 577