LULJA E TRIDHJETË

LULJA E TRIDHJETË

0 1441

Në dalje prej kopshti, rastësisht syri më kapi një lule që vetvetiu më bëri me dije se përfundoi kjo shëtitje në kopsht. U ndala dhe s’doja ta hapja derën për të dalë jashtë.

E urreja ndarjen dhe kisha dëshirë që ende të jetojë në mesin e këtyre luleve. E di se ndarja veç lot sjell dhe le kujtime të paharruara në zemrën e njeriut. E kuptoj se edhe juve s’do t’ju pëlqej të ndahemi pasi qëndruam të bashkuar, por ja, fundi i çdo gjëje është ndarja siç është bashkimi fillimi i saj.

Në hapje të derës e gjeta këtë lule, me këtë mbishkrim, po e tregoj menjëherë se kur pikëllimi ndahet bëhet më i lehtë për t’u përballuar. Në të shkruante kështu: Ibën Bazi ka thënë: “Kush nuk gëzohet me ardhjen e këtij muaji dhe nuk mërzitet me shkuarjen e tij, është mynafik.”

Sa më e pastër është zemra e njeriut, aq më frytdhënëse janë edhe gjymtyrët. Në këtë m’u kujtua një thënie e të Dërguarit, ku ai patë thënë për kësi rastesh: “Duaje kë të duash, por dije se një ditë prej tij do të ndahesh!” Atë që e përjeton zemra, i takon pafundësisë, e jeta vazhdon, por me kujtesën nga mallëngjimi i ndarjes. E mora lulen në dorë dhe papritur u kujtova se loti është fjala e fundit e ndarjes dhe është hapi i parë me të cilën ngushëllohet zemra. Nuk dija ç’të thosha më shumë, ngase e vërejta se heshtja foli më shumë se fjala. Një copë herë mbeta i ngujuar në prag të derës, as të dalë jashtë, e as të rri brenda.

Në çast më mbërthyen lotët dhe s’shikoja as këmbën ku po e vë. Fytyra m’u la nga lotët dhe zemra mbeti e plagosur nga dhimbja që shkaktoi ndarja. S’di as vetë, veç kur e pashë vetën duke e mbyllur derën, e dora ende s’e lëshonte rrezen e saj. U kujtova se sa mirë kalova brenda dhe tani e shikoja vetën se si ndihesha në çast. Kaq. S’po mundem të flasë më tepër, edhe pse kam ende ç’të them. Veç dua të lë një porosi se sikurse ky kopsht, e tillë është edhe kjo jetë. E bukur, por përfundon. Jeto sa të duash, me ndarje do të ballafaqohesh.

Me dorën që e lëshova rrezën e derës, me atë dorë e fshiva edhe lotin e fundit që doli prej syri…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 588