VARRI VENDBANIMI I PARË I AHIRETIT

VARRI VENDBANIMI I PARË I AHIRETIT

0 1724

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë shënon hadithin e Berai bin Azib, Allahu qoftë i kënqur prej tij, se ka thënë:

“Dolëm me të dërguarin, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, me xhenazen e një burri prej ensarëve (medinasve). Pasi e varrosëm, u ul i dërguari i Allahut në drejtim të Kiblës dhe ne u ulëm rreth tij, sikur mbi kokat tona të qëndronin zogj (u ulëm qetë). Në dorë i dërguari, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, kishte një shkop, me të cilin gërvishtte tokën. Pastaj filloi të shikojë në qiell dhe në tokë, e ngriti dhe e uli shikimin e tij tri herë, dhe tha: “Kërkoni ndihmën e Allahut nga ndëshkimi i varrit.”

Pastaj tha: “Kur njeriu besimtar gjendet në momentin e ndarjes nga kjo botë dhe pritjes së ahiretit, i zbresin atij melaqe nga qielli me fytyra të bardha si dielli, me vehte kanë qefinë nga qefinët e xhenetit dhe erëra të mira nga ato të xhenetit. Ata i ulen atij me një gjërësi sa i sheh syri. Pastaj vjen meleku i vdekjes, alejhi selam, i cili ulet tek koka e tij dhe thotë: “O shpirt i mirë, dil për në mëshirën e Allahut dhe kënaqësinë e Tij”. Pastaj shpirti del me një lehtësi të tillë, siç del pika e ujit nga gryka e shtëmbës, dhe meleku i vdekjes e merr atë. Këtë shpirt e përshëndesin të gjithë melaqet e qiellit dhe të tokës, i hapen atij dyert e qiellit dhe secili prej këtyre grupeve të melaqeve që rrijnë në këto dyer, i luten Zotit që ta ngrejë këtë shpirt edhe më lart. Në momentin kur meleku i vdekjes ia merr shpirtin, melaqet e mëshirës ia rrëmbejnë atij këtë shpirt sa hap e mbyll sytë, dhe nuk e lëshojnë atë derisa e vendosin në atë qefin dhe në ato erëra dhe del nga kjo një erë misku – më e mira erë që gjëndet në sipërfaqen e tokës.

Kështu melaqet e mëshirës ngrihen me këtë shpirt lart në qiell. Rrugës këta takojnë grupe melaqesh të cilët thonë: “Kush është ky shpirt i mirë?” U përgjigjen: Është filani i biri i filanit, duke e përmendur me emrat më të bukur me të cilët e kanë thirrur në dynja. Kështu shkojnë derisa të arrijnë në qiellin e dynjasë. Këtu kërkojnë që t’u hapet ky qiell, dhe ai hapet. Melaqet që rrijnë në këtë qiell e shoqërojnë shpirtin deri në qiellin që vjen më pas dhe kështu deri sa të arrijnë në qiellin e shtatë. Allahu i Madhëruar thotë: “Shkruajeni librin e robit tim në Ilijjin (libër në të cilin shkruhen veprat e mira) pastaj i thuhet: “Kthejeni në tokë, se Unë ua kam premtuar atë, se nga ajo (toka) i krijova dhe tek ajo i kthej dhe prej saj do t’i ngrej përsëri në ahiret (ditën e Gjykimit)”. Pastaj shpirti i kthehet në tokë.

Pasi shpirti është kthyer në trupin e tij ai ndjen zhurmën e hapave të atyre që ikin. Në këtë çast të vdekurit i vijnë dy melaqe dhe i ulen afër duke e pyetur: “Kush është zoti yt?” -ai përgjigjet: “Zoti im është Allahu”. Pastaj thonë: “Cila është feja jote?” -thotë: “Feja ime është Islami”. Pastaj pyesin: “Cili ishte ai burrë që ju dërgua juve?” – thotë: “Ai është i dërguari i Zotit” Melaqet e pyesin përsëri: “Si e kuptove ti këtë?” -thotë: “Lexova librin e Allahut dhe e besova atë”. Thëret një thirrës në qiell: “Tha të vërtetën robi Im, prandaj shtroni atij prej shtrojeve të xhenetit dhe visheni atë me veshje të xhenetit dhe hapni atij derën tek xheneti”. I vije atij nga era e tij dhe mirësitë e tija, gjithashtu i zgjerohet varri me një hapësirë aq sa sheh syri. Në këtë moment i vjen atij një burrë me pamje të hijshme me rroba të bukura dhe me erë të mirë dhe thotë: “Gëzohu me atë që të gëzon ty, përgëzohu me kënaqësinë e Zotit dhe xhenete në të cilat ka mirësi të përhershme”, kjo është dita e cila të është premtuar. Pastaj shpirti i tij thotë: “Edhe ty të përgëzoftë Allahu me të mira, po kush je ti, fytyra jote sjell vetëm se mirësi?” thotë: “Unë jam puna jote e mirë. Për Zotin, vërtet ti ishe i shpejtë në mirësi dhe bindje ndaj Allahut dhe i ngadalshëm në mëkate. Prandaj Allahu të shpërbleftë me të mira”.

Pastaj i hapet atij një derë nga zjarri dhe i thuhet: “Ky do të ishte vendi yt po të ishe prej mëkatarëve, e zëvëndësoi Zoti këtë vënd me këtë dhe i paraqitet xheneti. Ndërsa sheh se ç’ka atje, thotë: “Zoti im, shpejtoje kijametin me qëllim që të shkoj tek të afërmit e mi dhe pasuria ime”. i thuhet atij: “Rri i qetë!”

Ndërsa mosbesimtarit, kur është në momentin e ndarjes nga kjo botë dhe afrimit për në ahiret, i zbresin atij melaqet nga qielli, me pamje të ashpër, me fytyra rë zeza. Në duar ata mbajnë pëlhura prej zjarri dhe i ulen atij në një distancë sa sheh syri. Pastaj vjen meleku i vdekjes i cili i ulet tek koka dhe i thotë: “O shpirt i keq, dil për tek zemërimi i Allahut”. Kështu del shpirti nga trupi i tij me vështirësi të madhe sikurse del boshti me kunja nga leshi i lagur. Ndërkohë e mallkojnë atë të gjithë melaiket midis qiellit dhe tokës dhe të gjithë melaqet në qiell, i mbyllen atij të gjitha dyert në qiell dhe melaqet që qëndrojnë në këto dyer i luten Zotit që mos ta ngrejë këtë shpirt të keq pranë tyre. Kur meleku i vdekjes ia merr shpirtin, melaqet që zbritën nga qielli ia marrin atij nga duart sa hap e mbyll sytë dhe e vendosin në atë pëlhurën prej zjarri prej ku del një erë shumë e keqe, më e keqja erë që gjendet në faqen e dheut.

Pastaj ngrihen me të në qiell dhe kur kalojnë pranë çdo grupi melaqesh ata pyesin: “Ç’është ky shpirt i keq?” -i përgjigjen: “është filani i biri filanit” -dhe i përmendin emrat më të këqinj me të cilët e kanë thirrur në dynja. Kur arrijnë me të në qiellin e tokës dhe kërkojnë t’u hapet, ai nuk u hapet. Pastaj i dërguari i Allahut tha: “Nuk u hapen atyre dyert e qiellit dhe nuk hyjnë në xhenet aq sa hyn deveja në vrimën e gjilpërës”. Thotë Allahu i Lartësuar: “Shkruajeni librin e tij në sixhxhin (libri ku shkruhen veprat e këqia), në vëndin më të ulët”. Pastaj u thuhet: “Kthejeni robin tim në tokë, sepse unë nga ajo i krijova, tek ajo do t’i kthej dhe prej saj do t’i nxjerr përsëri”. Pastaj hidhet shpirti derisa të shkojë në trupin e tij, dhe ai dëgjon hapat e shokëve kur largohen. Ndërkohë i vijnë atij dy melaqe me pamje të ashpër të cilët i ulen pranë dhe i thonë: “Kush është Zoti yt?” – Thotë: “Ah! Ah! Nuk e di”. Pyesin përsëri: “Ç’mund të thuash për njeriun që u dërgua tek ju?” -ai nuk është i udhëzuar ndaj dhe s’e thotë dot emrin e tij. Dhe i thuhet: “Muhamedi!”. – “Ah! Ah! -Thotë: “Nuk e di. Kam ndëgjuar njerëzit ta përmëndnin” dhe i thonë: “Nuk e dite, prandaj s’e the”.

Dëgjohet më pas një thirrje nga qielli që thotë se gënjeu. Shtrojeni atë në shtroje prej zjarri. Hapet pastaj një derë prej dyerve të zjarrit kështu që atij i vjen afsh i nxehtë dhe erë kalbësire. Varri i ngushtohet derisa brinjët e krahërorit i ndërfuten me njëra-tjetrën.

Pastaj i afrohet një burrë me fytyrë të shëmtuar, me rroba të këqia dhe me erë të keqe dhe i thotë: “Përgëzohu me të keqen tënde. Kjo është dita jote e cila të është premtuar”. -Po ty, të përgëzoftë Zoti me sherr, kush je ti? Burri i shëmtuar thotë: “U jam puna jote e keqe. Për Zotin ti ke qenë njeri i ngadalshëm në bindjen dhe adhurimet ndaj Allahut dhe i shpejtë ne vepra të këqia (mëkate), prandaj Allahu të shpërbleftë me të këqija!Pastaj goditet me një çekan hekuri, që sikur të goditej me të një mal do të bëhej pluhur. Kështu goditet me të dhe bëhet pluhur. Pastaj Allahu e kthen edhe një herë siç ishte dhe goditet përsëri dhe ai nxjerr një klithmë të fortë që e dëgjon çdo gjë përveç njerëzve dhe xhinëve. Dhe hapet një derë nga xhehennemi dhe i shtrohet shtroje prej xhehennemi dhe thotë: “O Zot mos e bë kijametin”.1

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit

I dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, në këtë hadith madhështor na sqaron fillimin e një rrugëtimi të njeriut që prej momentit të daljes së shpirtit e deri në vendbanimin e tij në varr, se si do të trajtohet varësisht prej veprave të tija gjatë jetës në këtë botë.

Pra, i dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, tregoi se njerëzit janë dy llojësh; i devotshëm dhe i shthurur.

I devotshmi trajtohet me një kujdes të madh, me një nderim madhështor, pasi që i zbresin melaqet e mëshirës për t’i marrë atij shpirtin, i vijnë atij me pamje të mirë, me fytyra të ndritura e të bukura si dielli, i ulen atij për aq sa sheh syri, e i drejton sytë drejt tyre me qetësi e rehati, e meleku i vdekjes ia merr shpirtin, del me lehtësi të madhe, pa lodhje e pa vështirësi, melaqet nuk e lënë të vetëm, ngrihen me të së bashku deri në qiell në një shoqëri të mrekullueshme, i hapen atij dyert e qiellit, në çdo qiell përhapet lajmi i tij, habiten melaqet me erën e mirë të këtij shpirti të mirë, deri sa të arrijnë në qiellin e shtatë.

Prej aty, Allahu i Madhëruar i urdhëron melaqet e Tija që ta kthejnë këtë shpirt në tokë që të nderohet në varr, e regjistrohet libri i atij personi në një vend në qiellin e shtatë. Pasi që kthehet shpirti në tokë, melaqet e marrin në pyetje për Zotin, fenë dhe të dërguarin e tij, kështu që ai përgjigjet në mënyrë më të mirë, e thotë: Zoti im është Allahu, i dërguari im është Muhamedi, dhe feja ime është islami!

E Allahu urdhëron që t’i zgjerohet varri për këtë rob besimtar, e i vije atij nga era e xhenetit, çfarë bën që ai të shpreson që Allahu ta bën kiamet, që ai së shpejti të bashkohet me familjarët, e pasurinë e tij.

Ndërsa të keqit i vijnë melaqet e ndëshkimit me një pamje shumë të frikshme, me fytyra të nxirra, me vete mbajnë qefinet nga zjarri, i afrohen atij për aq sa sheh syri, ulet pranë kokës së tij meleku i vdekjes, e ia merr shpirtin, prej çfarë ai vuan shumë për shkak dhimbjes dhe vështirësisë që ndien, pasi që t’i del shpirti, e marrin melaqet e ndëshkimit, e qefinosin me qefin të zjarrit, prej të cilit del një erë e qelbur, e ngrisin atë deri në qiell, e nuk i hapen atij dyert e qiellit, Allahu i Madhëruar urdhëron melaqet që ta hedhin këtë shpirt në tokë, e i kthehet shpirti në trupin e tij, i vijnë melaqet dhe e marrin në pyetje, e pyesin kush është Zoti yt, cila është feja jote e kush është i dërguari yt, ai nuk i di përgjigjet e thotë: Ah! Ah!

E Allahu u thotë melaqeve që t’i shtrojnë një shtrojë prej zjarri, e t’i hapin një derë drejt zjarrit, prej nga i vije atij nxehtësia e era e flakës, e kupton se çfarë e pret atë në ahiret, dhe e lut Allahun që të mos e bën kiamet!.

Dobi të hadithit

  1. Vërtetësia e ndëshkimit dhe lumturisë në varr.
  2. Ndëshkimi dhe përjetimi i begative ndodh edhe me shpirt dhe me trup.
  3. Gjendja e ndryshme e njerëzve pas vdekjes, për shkak të veprave të ndryshme në dynja.
  4. Ekzistimi i melaqeve.
  5. Llojllojshmëria e melaqeve për nga profesioni i tyre.
  6. Konfirmimi i bisedës mes Allahut dhe melaqeve.
  7. Ekzistimi i librit ‘ilijjin’, ku janë të shënuara emrat e besimtarëve bamirës prej banorëve të xhenetit.
  8. Shpirti mbetet edhe pas vdekjes.
  9. Llojllojshmëria e pozitës së melaqeve.
  10. Të besuarit në ringjallje.
  11. Shpëtimi në ahiret arrihet me iman, dije të dobishme dhe vepra të mira.
  12. Vërtetësia e pyetjeve për të vdekurin nga dy melaqet.

1 Transmeton Ahmedi në “Musned-in” e tij (30/499) hadithi numër (18534).

HADITHI I DHJETË

DYZET HADITHE RRETH BESIMIT (AKIDES)

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM