Në hadithin e ibn Abasit, -radijAllahu anhu- na përcjillet se i dërguari, salAllahu alejhi ve selem, kishte dërguar Muadhin në Jemen, dhe i ka thënë: “Ruaju nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, ngase nuk ka mes saj dhe Allahut pengesë“. Shënon Buhariu dhe Muslimi
KUPTIMI I HADITHIT
Kur i dërguari, salAllahu alejhi ve selem, dërgoi Muadhin në Jemen, që t’i fton ata në islam, të cilin e porositi për disa rregulla shumë të rëndësishme gjatë thirrjes së njerëzve në të vërtetën e vetme me të cilën erdhi ai. Prej porosive të cilat ia dha Muadhit, -radijAllahu anhu, ishte që të përqendrohet në vendosjen e themeleve të drejtësisë për individët e shoqërisë, duke pasur kujdes nga një lutje e një të dëmtuari, sepse lutja e tij nuk refuzohet, siç thuhet në fjalën e të dërguarit, salAllahu alejhi ve selem, : “mes saj dhe Allahut nuk ka pengesë“. Rruga e saj është e hapur, pa asnjë pengesë, s’ka kush që e pengon e as që e ndalon.
LUTJA E TË DËMTUARIT
Në këtë hadith madhështor flitet për një çështje të dukshme që ka efekt të madh në ecurinë e thirrjes, që ka të bëjë me kujdesin e zbatimit të parimeve të drejtësisë, dhe kërcënimin nga padrejtësia, këtë e hasim në fjalën e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, “Ruaju nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi”, që ka kuptimin; kujdes nga ajo lutje, vendos mes saj dhe mes teje një mburojë e që është zbatimi i drejtësisë dhe braktisja e zullumit, më pas erdhi sqarimi për peshën e madhe të kësaj lutje tek Allahut, duke thënë: “mes saj dhe Allahut nuk ka pengesë“, nuk ka gë që e refuzon atë lutje, edhe nëse tek lutësi gjenden pengesa të pranimit të lutjeve; si ushqimi haram, etj. Siç tha i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, në një hadith tjetër: “Tri lutjeve u përgigjet, me padyshim; lutje atij që i është bërë padrejtësi“. Shënon ibn Maxhe.
Nuk është kusht që i dëmtuar të jetë besimtarë, edhe një lutje e jobesimtarit arrin tek Allahu i Madhëruar, ngase kufri, pra mosbesimi është në dëm të vetes së tij, siç është transmetuar në hadithin e Enes ibn Malikut, radijAllahu anhu: “lutja e një të dëmtuari, edhe nëse është jobesimtar, nuk ka pengesë“. E shënon Ahmedi në librin e tij ‘elMusned’.
Ky hadith shpjegon rreth lutjes së të dëmtuarit tek Allahu, posaçërisht pasi që Allahu ka marrë përgjegjësi që t’i ndihmojë, siç është thënë në hadith: “Ruaju nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, ngase ajo bartet në re, e Allahu thotë: “Betohem në krenarinë dhe bujarinë Time, do të jem në ndihmën tënde, kurdo që të jetë” e transmeton Taberaniu.
Historia është e stërmbushur me rrëfime të popujve të mëhershëm të cilët udhëhoqën e më pas u shkatërruan, i tërë vendi u shkatërrua nga lutjet e atyre që u bë padrejtësi dhe të cilët u ndëshkuan. Si Faraoni i cili u rebelua në tiraninë e tij, u bë mendjemadh në sundimin e tij, kështu që u shkaktoi beni israilëve ndëshkime të llojllojshme, mbyti fëmijët, e femrat i linte të gjalla, e Musai, alejhi selam, nuk kishte rrugdalje tjetër pos që i tregoi popullit të tij, rrugën e ndihmesës mbi armikun, e u tha tyre: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni”. Araf, 128. I urdhëroi të kthehen tek Allahu i Madhëruar, nuk u mjaftua me fjalë, por pasoi edhe me vepër, në mënyrë që populli i tij të e ndjek atë, kështu që ngriti duart e nënshtrimit për Allahun, iu përkushtua lutjes kundër Faraonit dhe ndihmëtarëve të tij, si e përmend Allahu: “Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre, se ata nuk besojnë, përderisa të shijojnë dënimin e dhëmbshëm!”. Junus, 88.
Allahu iu përgjigj lutjeve të tija, e cili ishte përfundimi i Faraonit? E fundosi Allahu atë së bashku me ushtrinë e tij në det, e as që i bëri dobi pushteti e fuqia e tij, ky ishte dënim i tij në këtë botë, e në botën tjetër nuk ka për të gjë tjetër përveç se zjarri, Allahu thotë: “zjarri (të cilit) i ekspozohen në mëngjes dhe mbrëmje, e kur të arrijë Çasti (Dita e Kijametit, ju thuhet): “Shpini ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë”. Gafir, 46.
Një shembull tjetër. Ishte e njohur që banorët e Medjenit mangësonin në peshore, duke nënvlerësuar pasuritë e njerëzve, përkundër kësaj kur peshonin për vete, përmbushnin të drejtën e tyre, atyre ua tëhroqi vërejtjen Shuajbi, alejhi selam, nga kjo vepër e ulët e u tha: “Plotësonie matjen dhe mos u bëni nga ata që mungojnë (në matje), dhe peshoni me terezi të drejtë, dhe mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre, dhe mos bëni ngatërresa në Tokë”. Shuara, 181-183
U tallën me të, e përqeshën, e kërcënuan, e sulmuan, kështu që kërkoi nga Allahu t’i del atij në mbrojtje, e luti Atë me fjalët: “O Zoti ynë, gjyko Ti drejt në mes nesh dhe popullit tonë! Ti je gjykatësi më i mirë”. Araf, 89
Kështu që Allahu iu përgjigj lutjeve të tija, e dërgoi mbi ta një vapë të madhe, nga e cila nuk largohej etja, e as që pakohej vapa në hije, më pas u dërgoi një re të madhe me vetëtima e me flakë, më pas u erdhi atyre një zë i fuqishëm nga qielli e një dridhje e madhe nga toka, kështu që s’ju bëri dobi pushteti e pasuria. Shembuj të tillë tregojnë për madhështinë e kësaj çështje dhe pozitën që ka tek Allahu i Madhëruar.
ZULLUMI, KUPTIMI I TIJ
Zullumi është prej virtyteve ulta, e sjelljeve më të liga, për këtë Allahu i Lartmadhëruar e mohoi një gjë të tillë mga Vetja , e tha: “Me të vërtetë, Allahu nuk u bënë kurrfarë të keqe njerëzve, por njerëzit i bëjnë keq vetvetes”. Junus, 44.
Bile, e konsideroi haram për Veten, siç qëndron në hadithin kudsij: “O robërit e mi, Unë e kam ndaluar zullumin për Veten Time, dhe mes jush e bëra të ndaluar, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit”. Shënon Muslimi
Zullumi është një prej fatkeqësive më të mëdha me të cilat u sprovua njerëzimi, është një e keqe për një individ dhe për një shoqëri, nuk ka asnjë e keqe që i godet pos që zullumi të jetë shkak i saj, këtë realitet Kurani e pohon dhe sqaron se shkaku i shkatërrimit të fshatrave, e popujve ishte zullumi që ata e bënin, Allahu thotë: “Dhe, Ne – kurrë nuk i kemi shkatërruar vendbanimet, por vetëm kur banorët e tyre kanë qenë zullumqarë”. Kasas, 59.
“Dhe, Zoti yt, kurrë nuk i ka shkatërruar vendbanimet padrejtësisht, nëse banorët e tyre kanë jetuar në harmoni dhe drejtësi në mes vete”. Hud, 117.
Prej ligjeve të Allahut në univers, siç e potencon këtë shjeh islam ibn Tejmije, është që t’i mposht shtetet tirane edhe nëse janë shtete muslimane, dhe të ndihmon një shtet të drejtë edhe nëse është shtet jobesimtar, atëherë, drejtësia dhe e vërteta është themel mbi të cilin janë krijuar qiejt e toka, Allahu thotë: “Ne, kemi krijuar qiejt dhe Tokën dhe çka gjendet në mes tyre – me qëllim të plotë dhe me afat të caktuar”. Ahkaf, 3.
Kush mediton rreth Librit të Allahut dhe sunetit profetik, sal-Allahu alejhi ve selem, do has në shumë tekste të cilat e përçmojnë zullumin e zullumçarët, duke ua tërhequr vërejtjen njerëzimit për këtë veprim. Allahu i Madhëruar ka përmend zullumin në më shumë se dyqind e katërdhjetë vende, duke tërhequr vërejtjen nga mjetet e ndryshme e burimet e shumta, herë duke mohuar këtë atribut nga Vetja e Tij, Allahut thotë: “E, Zoti yt, nuk u bën zullum robërve (të Vet).”. Fusilet, 46.
Herë duke urdhëruar për drejtësi mes njerëzve, qoftë edhe e jomuslimanët, Allahu thotë: “Allahu, me të vërtetë, urdhëron që të veprohet me drejtësi, mirësi dhe t’u ndihmohet të afërmve”. Nahl, 90.
“Le të mos u nxis juve urrejtja ndaj një kombi për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se drejtësia është më afër takvasë”. Maide, 8.
Herë duke përçmuar zullumin përmes përçmimit të atyre që veprojnë me padrejtësi, të shoqëruar këtë nënlerësim me urrejten e Allahut mbi këtë veprim, sikur që Allahu thotë: “Fytyrat (e njerëzve) do t’i përulen (Perëndisë) të Gjallit, të Amshueshmit (Mbikëqyrësit të Gjithësisë). Do të humbë ai që ka ngarkuar të keqen (që i ka bërë shok Perëndisë)”. Taha, 111.
Njëkohësisht Allahu përshkroi çdo gjë përpos shirkut me padrejtësi, Allahu thotë: “Ata thanë: “O Zoti ynë! Na vetes i kemi bërë dëm; e nëse Ti nuk na falë dhe nuk na mëshiron, na do të jemi nga ata që janë të humbur”. Araf, 23.
Ndërsa sa i takon sunetit profetik, përveç hadithit të cilin e kemi para nesh, janë edhe shumë hadithe tjera të cilat na e tërheqin vërejtjen nga kjo sjellje e ulët, siç përcjell Xhabir ibn Abdullahu, radijAllahu anhu, se i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Ruajuni nga zullumi, ngase zullumi është errësira në ditën e Kiametit”. E shënon Muslimi
I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, e rrënjosi këtë virtyt tek sahabët e nderuar, ua sqaroi atyre se kjo është prej ligjeve të Allahut në univers, të cilat nuk ndryshohen e as që anulohen, kështu që ndaloi nga zullumi, e përmendi tregime të popuje të mëhershëm të cilët ishin të padrejtë, të cilët u ballafaquan me ndëshkimin e zullumit që në dynja para ahiretit.
Zullumi ka pasojat e tija negative mbi një individ dhe një shoqëri në përgjithësi, kështu që nuk mund të rregullohet një jetë pa drejtësi, për këtë i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, u kujdes të mbjell këtë parim tek Muadhi, e udhëzoi atë të ketë kujdes nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, siç edhe e përend në lutjen e tij: “O Allahu kërkoj mbrojtjen Tënde të mos jem prej atyre që bën zullum apo të më bëhet zullum”.
Lusim Allahun e Madhërishëm të na shpëtojë nga zullumi dhe zullumçarët.
HADITHI I PESËMBËDHJETË
Burimi: albislam.com
Përktheu: Hoxhë Shpend Zeneli