Kërkoj falje nga Allahu i Madhërishëm, i Cili është një, nuk ka Zot tjetër pos tij, i Përhershmi (i Gjalli), Zotëruesi, dhe tek Ai pendohem.[1]
أسْتَغْفِرُ اللهَ العَظِيمَ الَّذِي لاَ إلَهَ إلاَّ هُوَ، الحَيُّ القَيُّومُ، وَأتُوبُ إلَيهِ
Kuptimi i lutjes
Në këtë lutje është një kërkim falje (istigfar) e madhe, janë disa lutje shumë fisnike, me kuptime të mëdha në kërkim të faljes nga Zoti i botëve, me fjalët më të bukura, me shprehjet më të zgjedhura, të cilat fjalë përmbajnë në vete;
- Kërkimi i faljes me shprehjet më të bukura e më fisike, ngase janë të shoqëruara me një prej emrave më të bukur dhe më fisnik, emrin Allah.
- Është një formë e lutjes me emrat e bukur të Allahut; Allah, i Madhërishmi, i Përhershmi, Zotëruesi.
- Një pohim i njëshmërisë së Allahut me anë të adhurimit ndaj Tij, ‘nuk ka Zot tjetër pos Tij’, që përmban edhe njëshmërinë hyjnore të Allahut.
- Vendosmëri për pendim të menjëhershëm dhe për të ardhmen.
Fjala e tij: “Kush thotë; kërkoj falje nga Allahu”. Pra, kush kërkon nga Allahu i Lartmadhëruar falje të mëkateve, kush kërkon tejkalim të mëkateve prej Allahut, mbulimin e tyre, dhe mosdënim për to.
Fjala e tij: “Allahu i Madhërishëm”. Që aludon për madhështinë dhe fisnikërinë e njëshmërisë ndaj Allahut me adhurim, emër që tregon për madhështinë e Tij në qenie, atribute, vepra, sundim, që meriton madhërim nga gjithë krijesat. Veçimi i emrit ‘Madhërishëm’ është përshtatje me kërkim faljen e mëkateve të mëdha, ngase Ai i Cili është i Madhërishëm nuk ka gjë që mund të jetë e madhe për Të, sido qoftë, edhe nëse është prej mëkateve më të mëdha, si ikja nga beteja.
Fjala e tij: “nuk ka Zot tjetër pos Tij”. Pohim dhe deklarim prej robit për meritën e adhurimit vetëm ndaj Allahut të Lartmadhëruar.
Fjala e tij: “i Përhershmi, Zotëruesi”. U përmendën këto dy emra fisnik, që aludojnë për pajtueshmërinë e plotë me kërkimin e faljes, sepse që të gjitha emrat e bukura dhe atributet e larta të qenies së Tij, apo ato veprore, kthehen tek këto dy emra, kështu që atributet qenësore kthehen që të gjitha tek emri ‘i Përhershmi’, ndërsa ato veprore tek emri ‘Zotëruesi’.
Fjala e tij: “dhe vetëm tek Ai pendohem”. Që është një pohim dhe vërtetim i vendosmërisë për pendim para Allahut të Lartmadhëruar. Duhet që të mos e thotë këtë, vetëm nëse vërtet është besnik në ndërgjegjen e tij sikur që është në atë të dukshmen, përndryshe konsiderohet të jetë gënjeshtar para Allahut të Madhëruar, si pasojë e së cilës mund ta meritojë urrejtjen e Tij.
Fjala e tij: “edhe nëse ka ikur nga beteja”. Që është një përgëzim shumë i madh dhe fisnik nga Zoti i gjithësisë, që është një dhuratë e Allahut të Lartmadhëruar për robërit e tij. Kushdo që vepron një mëkat të madh, qoftë edhe nëse është prej mëkateve më të mëdha, sikur që është ikja nga beteja, për të cilën gjë i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka lajmëruar se është prej mëkateve shkatërruese, dhe ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese…(ku mes tjerash përmendi) ikja nga beteja”. Edhe kjo i falet.
Ikja nga beteja: ikja nga lufta në rrugë të Allahut, në një moment ku zhvillohet lufta, ky kërkim falje e madhe tregon se Allahu i fal mëkatet e mëdha, të cilat mëkate nuk përmbajnë ndonjë dispozitë rreth trupit apo pasurisë së mëkatarin, sikur që është ikja nga beteja, apo mëkateve të ngjashme. Nëse robi e thotë këtë me besnikëri, me sinqeritet, duke qenë në dijeni për kuptimet që përmbanë, e arrin këtë përgëzim të madh të faljes.
DOBI
Dobitë e istigfarit janë; falje të mëkateve, mbulim të të metave, vazhdueshmëri të riskut, shëndet, mbrojtje të pasurisë, shpresë, arritje të bereqetit në pasuri, pozitë të afërt tek Allahu, dhe kënaqësisë së Falësit, Mëshruesit, shtim të pasurisë, pasardhësve, zbritje të shiut, fuqi në trup, jetë të qetë në dynja deri në hyrje në xhenet.
Përktheu: Shpend Zeneli
[1] Shënon Tirmidhiu me numër, 3577, ibn Sad 7/66. Taberani 5/89 me numër 4670. Ebu Davudi me numër, 1519. Ibn ebi Shejbe 10/299. Shejh Albani e vlerësoi sahih në librin ‘sahih Tirmidhi’ me numër, 2831. Dhe ‘Sahih Ebu Davud’ me numër 2831. Teksti i hadithit: “Kush e thotë këtë lutje, Allahu e fal atë, edhe nëse ka ikur nga beteja”.