Rrëzimi është pjesë e zakonshme e rrugëtimit të çdo individi. Në jetën e përditshme, përballja me pengesa dhe sfida është e natyrshme.
Të gjithë ne rrëzohemi – herë pas here – nuk është rrëzimi përcaktues i dështimit të njeriut, ajo që na formëson nuk është vetë rrëzimi, porse vendosmëria për t’u ngritur përsëri, për të vazhduar!Islami na mëson që çdo sprovë është një mundësi për të treguar durim, dhe për të fituar afërsinë me Zotin.
Allahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat! Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz. Vërtet, Allahu është me durimtarët.”(el-Bekare, 2:153)
Dështimi i vërtetë nuk ndodh kur të rrëzohesh, por kur refuzon të çohesh. Sepse pikërisht në ato momente të vështira, kur jemi më afër dorëzimit, lind mundësia për ngritje të vërtetë. Allahu i Madhërishëm na mëson në Kuran:”Mos u dëshpëroni dhe mos u pikëlloni! Ju do të jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë.”(Surja Ali Imran, 139)
Ky ajet na kujton se fuqia e besimit është më e madhe se çdo pengesë që hasim. Edhe Pejgamberi (paqja e Allahut qoftë mbi të) dhe sahabët e tij kanë kaluar sprova të shumta, por kanë qëndruar të palëkundur, duke u ngritur pas çdo vështirësie me besim dhe përkushtim më të madh.
Pikërisht këta janë gjigantët që nuk dorëzohen – ata që vazhdojnë, edhe pas rrëzimeve, me durim e vendosmëri. Dhe për këtë përkushtim, Allahu premton ndihmë.
Në një tjetër ajet, Allahu thotë:“Ndërsa ata që përpiqen për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët! (el-Ankebut, 69)
Kjo është garanci hyjnore për ata që nuk ndalen, që nuk humbasin shpresën dhe që përpiqen pa reshtur, edhe kur çdo gjë duket e humbur.
Nëse rrëzohesh – mos mendo se është fundi. Shiko përreth, mëso, dhe çohu. Sepse Zoti është me ty, përderisa nuk dorëzohesh dhe e kërkon Atë me sinqeritet. Mos lejo që rrëzimi të të mbajë peng. Ringritu me besim, me përulësi dhe me vendosmëri.
Përshtati: Hoxhë Mr. Nusret RAMADANI
