Pyetje: Kur e nxit me mendim ose shikim epshin seksual dhe nuk ejakulon duke u përmbajtur, por megjithatë del një lëng i hollë. A jam xhunub në këtë rast, a lejohet t’i ndërroj vetëm rrobat që i ka kapluar papastërtia, papastërtinë në trup dhe të vesh rroba tjera dhe të falem?
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…
Fillimisht, besimtari duhet të ketë kujdes shikimin e tij dhe ta ruajë nga harami në përgjithësi, sepse ashtu Allahu na porositi: “Thuaji besimtarëve të ulin shikimet e tyre…”.
Përndryshe, ai lëng që po përmendni nuk është spermë. Ai lëng quhet medhij. Medhiju është lëng i cili del nga organi gjenital, në rast të epshit të madh dhe del pa shpejtësi apo ndonjë kënaqësi. Po ashtu nuk ndihet ndonjë lodhje pas tij e shpeshherë edhe nuk hetohet se ka dalë. Ky lëng del edhe te meshkujt edhe te femrat. Mjekët thonë se ky lëng del nga vrima e urinës, që është nxjerrje e gjëndrave nga organizmi gjatë paralojës apo nxitjes së epshit në përgjithësi.
Lidhur me atë a e prishë abdesin, kemi mbështetje hadithin e njohur të Aliut, radijallahu anhu, i cili ka thënë: Isha njeri që shumë shpejt më dilte medhiu, por kisha turp ta pyes Resulullahun, salallahu alejhi ue selem, për këtë, për shkak të pozitës që kishte bija e tij tek unë, ashtu që e porosita Mikdad ibën Esvedin që ta pyesë. Ai e pyeti, e Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, i tha: “Duhet ta lajë organi dhe të merr abdes”.
Duke u mbështetur në këtë hadith konstatojmë se:
– medhiu është i papastër dhe është vaxhib të pastrohet, por nëse ndodhë në sasi shumë të vogël mund edhe të mos e pastrojë, siç kanë thënë disa dijetarë,
– medhiu e prishë abdesin, sepse del nga njëra prej dy vrimave,
– është obligim të lahet organi dhe vendet e prekura nga ai,
– për shkak të tij nuk bëhet obligim larja e tërë trupit (gualli), për këtë pajtohen të gjithë dijetarët,
– larja e medhiut nuk mund të bëhet me gurë, siç bëhet larja nga urina. Këtu është i patjetërsueshëm përdorimi i ujit.
Allahu na bëftë prej të pastruarve dhe të penduarve.
Burimi në gj. shqipe: albislam.com