25 DOBI NGA SUREJA el-KEUTHER!

25 DOBI NGA SUREJA el-KEUTHER!

0 1149

1. E rradhitur në Mus’haf me nr 108.
2. E zbritur në Meke si sure, kurse kuptimi i saj në Medine.
3. Posedon 3 ajete të shkurtëra me porosi dhe mësime jetësore në aspektin e besimit Islam, konkretisht falja e namazit, therrja e kurbanit, begatit e shumta që Allahu ia dhuroi të dërguarit të Tij, Allahu e ruan robin e Tij nga dëmet në përgjithësi, më kryesoret; nga dëmi i inatçorëve, kurthagjive, shpifësve, dashakeqësve, etj.
4. Shkaku i zbritjes së kësaj sure ishte përshkak fjalës së As Ibn Vailit, kur kishte thënë për resulullahun; Lëreni, mos ia vini veshin, se ai është farësosur, farëshuar, nuk ka trashigimtar. Kur do të vdesë ai, do të harrohet e nuk do përmendet as ai as fjalët e tij.
5. Emërtimet e sures:
1. Sureja el Keuther(Lumi Keuthet në Xhenet).
2. Sureja Ina eatajnakel keuther(Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira).
3. Suraj Nahr(e therrjes së Kurbanit).
6. Përfundimi i atyre që e urrenin dhe nuk e pëlqenin resulullahun është shuarja dhe zhdukja e tyre.
7. Kur dikush e do dikë, e pason atë, madje Allahu e ka bërë kusht të dashurisë së Tij, pasimin e resulullahut.
8. Me familjarët dhe shoqërinë duhet ta kujtojmë vlerën dhe pozitën e resulullahut tek Allahu dhe se sa shumë e ka çmuar Allahu atë.
9. Ai që sjell risi në Fe ose bën ndryshime, ai do të privohet nga prija tek Haudi i resulluahut.
10. Pasoje maksimalisht të Dërguarin e Allahut, që të arrish nderin e kalimit pranë Haudit të resulullahut, i cili rrjedh nga Keutheri.
11. Rëndësia e namazit dhe therrjes së Kurbanit, përmes të cilave më së shumti shfaqet falënderimi i Allahut për begatitë.
12. Të jemi të sinqertë në namazin tonë, të therrim kurbanin vetëm për Allahun dhe ta përmendim emrin e Tij gjatë therrjes.
13. Allahu e ka dalluar resulullahun me shumë gjëra kundrejt profetëve të tjerë. Një ndër to është lumi Keuther më Xhenet.
14. Ai që e urren atë, është privuar e shkëputur nga çdo mirësi, përfundimi i tyre është humbje dhe shkatërrim, edhe nëse përmendet, do të përmendet për të keq.
15. Prej falënderimit më madhështor ndaj Allahut është falja e namazit dhe therrja e Kurbanit.
16. Lidhshmëria e sures el Keuther me surën paraprake “El-Maun”
Kjo sure ka lidhshmëri më të fuqishme me suren paraprake, se ndoshta të gjitha suret e tjera në Kuran.
Në suren “El-Maun”, Allahu, pabesimtarët dhe munafikët, të cilët e mohojnë shpërblimin dhe ndëshkimin e Ahiretit, I dallonte për katër cilësi:
1. për koprraci në ajetin:”ve la jehuddu ala tamil miskin” – “dhe nuk nxit (të tjerët) për ta ushqyer të varfrin”, pastaj
2. për lënien e namazit në ajetin: “El-ledhine hum an salatihim sahun” – “të cilët janë të shkujdesur (të harrueshëm), për namazin e tyre”, pastaj
3. për hipokrizi para syve të botës në ajetin: “El-ledhine hum juraune” – “e që shtiren (sa për sy e faqe para botës)”, dhe, në fund,
4. për ndalimin e lëmoshës, zekatit dhe të ndihmave të tjera në pjesën e fundit të po këtij ajeti të shtatë: “ve jemneunel maun” – “dhe nuk japin ndihmë rasti (apo hua as gjërat më të nevojshme jetësore)!”
Kurse në suren “El-Keuther” Allahu, kundruall këtyre katër cilësive të hipokritëve dhe pabesimtarëve, ka përmendur katër cilësi të Resulullahut,
1. P.sh. në ajetin e parë, i Dërguari a.s. përgëzohet me fjalët “Ne, vërtet të dhamë ty (o Muhammed) shumë të mira”, që do të thotë: Muhammed, mos u bëj koprrac, por jep, sepse Allahu të ka dhënë të mira të panumërta, Allahu që është më Bujari dhe më Fisniku, Allahu që të zgjodhi ty prej tërë njerëzimit si mëshirë për botët.
2. Pastaj, të dërguarin e Vet e porosit të jetë i rregullt në namaz me fjalët: “Fe sal-li”- “Falu!”, kundruall lënies dhe shkujdesit të hipokritëve për faljen e namazit.
3. Pastaj e ka urdhëruar që këtë namaz ta bëjë me sinqeritet dhe vetëm për Zotin “Fe sal-li li rabbike”- “Andaj, ti falu për hir të Zotit tënd” e jo sa për sy e faqe, siç bënin hipokritët,
4. dhe në fund e urdhëron Muhamedin a.s. “venhar!”-“pre kurban!” për të dhënë sadaka mish, pas prerjes së kurbanit, kundruall ndalesës së ndihmës a zekatit nga ana e hipokritëve.
Kjo sure përfundon me fjalët “E, s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur”, që do të thotë se pabesimtari dhe munafiku që i ka këto cilësi të këqija, gjithsesi do të vdesë dhe nuk do të mbetet asnjë gjurmë e kujtimit të tij në këtë botë, kurse për ty, o Muhamed, në këtë botë do të mbetet shenja dhe kujtimi i mirësisë, e në Ahiret do të jesh prej të afërmve dhe të shpërblyerve.
17. Transmetohet nga Aliu të ketë thënë se i Dërguari i Allahut e falte namazin e Vitrit me nëntë sure.
Në rekatin e parë këndonte: (El-Hakumu-t-Tekathur), (Inna enzelnahu fi lejletil kadri) dhe (Idha Zulziletil erdu), në rekatin e dytë këndonte: (Ve-l Asri), (Idha xhae nasrullahi vel fet’h) dhe(Inna a’tajnake-l Kevther) kurse në rekatin e tretë këndonte: (Kul ja ejjuhel kafirun), (Tebbet jeda Ebi Lehebin) dhe (Kul Huvallahu ehad)”
3. Sureja “El-Keuther” është sure mekase, e zbritur pas sures “El-Adijat” dhe para sures “Et-Tekathur”.
Ka gjithsej 3 ajete, 10 fjalë e 42 shkronja.
Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 108, kurse në radhitjen e zbritjes është e 15-ta.
18. “Ne, vërtet të dhamë ty (o Muhammed) shumë të mira.”
Kjo sure fillon me një fjali përgëzuese për Muhammedin, alejhi selam nga ana e Krijuesit. Është kjo një fjali aq domethënëse, saqë vështirë është të bëhet ndonjë koment gjithëpërfshirës, meqenëse Vetë Allahu me këtë fjali i ka përfshirë të gjitha kuptimet e mundshme.
Rreth domethënies së fjalës “Keuther”, dijetarët kanë dhënë shumë mendime, madje disa numërojnë 26 sosh, të cilat në përgjithësi flasin për shumë të mira që i janë dhënë Muhammedit, megjithëse kuptimi më i përafërt është ai që e ka zgjedhur Ibn Abasi, sipas të cilit fjala“Keuther” do të thotë “mirësi e madhe, e shumtë dhe e pakufishme”. Transmetime të tilla nga Ibni Abasi përcjellin edhe nxënësit e tij Seid bin Zubejri dhe Muxhahidi, se fjala është për të mira të shumta.
Transmetojnë Buhariu, Tirmidhiu dhe Hakimi nga Ebu Bishr dhe nga Ata’ë bin Saib, të kenë thënë:
“I kemi thënë Seid bin Zubejrit se disa njerëz thonë që Keutheri është lumi në Xhennet që i është dhuruar Muhammedit, e ai na e ktheu: E kemi të përcjellë nga Ibn Abbasi se lumi “Keuther”, që është në Xhennet, është vetëm një prej mirësive të shumta që i janë dhuruar Resulullahut.
Për këto mirësi dhe për domethënien e mundshme të fjalës “El-Keuther”, Kurtubiu në tefsirin e tij, ndër të tjera, ka shkruar shumë mendime të dijetarëve, (16 sosh), dhe thotë: “Komentatorët në lidhje me këtë fjalë kanë thënë:
1.Fjala “El-Keuther” nënkupton lumin në Xhennet, të cilin Allahu, ia ka dhuruar më të dashurit të Tij, Muhammedit,
Transmetojnë Buhariu dhe Tirmidhiu nga Enesi i cili ka thënë: E kam dëgjuar Resulullahun duke thënë: “Keutheri është një lumë në Xhenet, brigjet e të cilit janë prej ari, buron nga një gurrë margaritarësh dhe smeraldësh, balta e shtratit të tij e ka erën më të këndshme së myshku, kurse uji i tij është më i ëmbël se mjalti.
Ai është më i bardhë se bora dhe kush pi prej ujit të tij, ai kurrë më nuk do të ndiejë etje.”
2. “El-Keuther” është kroi (havdi) i Pejgamberit, nga i cili do të pijë çdo pjesëtar i ymetit të Muhammedit.
Ky është mendim i Ataut, i cili ka mbështetje në hadithin që transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu, po ashtu nga Enesi, i cili ka thënë: “Një ditë, derisa ishim duke ndenjur me Resulullahun, atë e kaploi një kotje dhe, pasi u përmend (zgjua), ngriti kokën duke buzëqeshur. Çfarë të bëri të buzëqeshje kaq shumë, o i Dërguar i Allahut? – e pyetëm ne. – “Sapo më zbriti një sure, tha Resulullahi s.a.v.s dhe e lexoi atë në praninë tonë: “Inna a’ëtajnakel kevther…”, e pastaj na pyeti: “A e dini se ç’është “Keuther”?
Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë, – ia kthyem ne. – Atëherë i Dërguari i Allahut na tha:“Keutheri është një lumë, të cilin Allahu, ma ka premtuar mua. Në të ka mirësi të shumta.
Ai është kroi-burimi (haudi) tek i cili do të vijnëYmeti im në Ditën e Gjykimit.
Enët (tasat) e tij janë sa yjet (në qiell)…”
3. Keutheri është pejgamberia dhe Libri;- ky është mendim i Ikrimes.
4. Keutheri është Kur’ani famëlartë- ky është mendim i Hasen el Basriut.
5. Keutheri është feja islame – ky është mendimi i Mugires.
6. Keuther do të thotë lehtësimet në Sheriat dhe mundësia e të nxënit përmendsh të Kuranit – ky është mendim i Husejn bin Fadlit.
7. Keuther është numri i madh i as’habëve dhe i pjesëtarëve të ymetit të Muhammedit– ky është mendim i Ebu Bekr bin Ajjashit.
8. Keuther do të thotë altruizëm – ky është mendim i Ibn Kejsanit.
9. Është lavdi dhe ngritja e emrit të Muhammedit: “Ve refa’ëna leke dhikrek” – “Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde” (El-Inshirah, 4)– ky është mendim i Maverdit.
10. Është drita në zemrën e Muhammedit – kështu mendon Xha’fer Sadiku.
11. Keuther nënkupton Shefatin dhe pozitën e lartë të Muhammedit, në ahiret (mekami mahmud).
12. Mrekullitë – ky është mendim i Tha’lebiut.
13. Fjala “La ilahe il-la Allah, Muhammedun resulul-llah” – ky është mendim i Hilal bin Jesafit.
14. Të thelluarit në çështjet e dispozitave të fesë.
15. Falja e pesë namazeve të ditës.
16. Madhështia (krenaria) e Muhammedit – ky është mendim i Ibn Is’hakut.
Prej të gjitha këtyre mendimeve, më të saktat janë dy mendimet e para, sepse për to ka mbështetje edhe nga vetë fjalët e Pejgamberit,- përfundon Kurtubiu.
Megjithatë, ndër dijetarët bashkëkohorë, Abdurrahman bin Nasir es-Sa’di, mbretëron bindja se të shpjeguarit e Keutherit, vetëm me emrin e lumit apo kroit që i është premtuar Resulullahut, në Xhennet, është shumë pak, në krahasim me të mirat e tjera që i janë dhuruar atij, siç janë, pejgamberia, Kur’ani, ymeti, lartësimi i emrit të tij, Islami, Udhëzimi, Shefati etj. Ky mendim ka mbështetje edhe në komentin që i ka dhënë kësaj fjale Ibn Abasi.
19. Allahu, xhele ve ala, me zbritjen e kësaj sureje, dëshiroi ta qetësonte të dërguarin e Vet, që të mos dëshpërohej se po i vdisnin djemtë, sepse i Larmadhërishmi e kishte dërguar atë si vulë të pejgamberëve dhe i kishte lejuar shefatin-ndërmjetësimin për ymetin e tij në Ditën e Gjykimit.
20. E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur”
Thamë në fillim se kjo sure ka zbritur në lidhje me As bin Vail es Sehmiun, njërin prej idhujtarëve me qëndrimin më armiqësor ndaj Resulullahut.
Ky ajet kuranor është një fuqizim moral për Pejgamberin, të cilit, sipas vetë urtësisë së Allahut, djemtë nuk i jetonin.
Mirëpo, vdekja e hershme e tyre ishte një pretekst për tallje dhe ironizim të tij nga ana e idhujtarëve, të cilët mendonin se fuqia dhe krenaria e një personi maten vetëm me pasurinë dhe numrin e djemve-pasardhësve.
Ata nuk e kuptonin fare se pas kësaj qëndronte një urtësi e madhe e Allahut, i cili kishte përcaktuar që emri i Muhammedit, jo që nuk do të harrohej, po përkundrazi, kujtimi dhe përshëndetjet e miliarda besimtarëve deri në ditën e Kiametit do të bëheshin vazhdimisht për të.
Emri i tij do të përmendet në fillim dhe gjatë çdo namazi, kur besimtarët qëndrojnë në etehijat, në ezane, në ikamete, kurse armiqtë e tij, si As bin Vaili, Ebu Xhehli, Ebu Lehebi e të tjerë, shumë shpejt do t’i mbulonte pluhuri i harresës, sikur të mos kishin ekzistuar fare, po edhe nëse përmenden, emrat e tyre do të jenë vetëm sinonim i së keqes dhe i errësirës. Të kujtojmë vetëm Ebu Xhehlin, djali i të cilit Ikrime ibn Ebi Xhehl, as nuk donte të dëgjonte për emrin e babait të tij, dhe po t’ia përmendte dikush, bëhej sikur nuk dëgjonte, sepse zemra e tij ishte mbushur me iman dhe dashuri vetëm për Allahun dhe për të Dërguarin e tij-Muhammedin, alejhi selam
21. Andaj, ti falu për hir të Zotit tënd dhe pre kurban!
Ajeti i dytë i kësaj sure është një urdhër i qartë hyjnor drejtuar Muhammedit, alejhi selam, se namazi, therja e kurbanit dhe çdo ibadet tjetër, duhet të jenë thjesht vetëm për Allahun, xhele ve ala.
Do të thotë, o Muhammed, ji i kujdeshëm në faljen e namazeve të detyruara, dhe pre kurban vetëm për Allahun.
Ibn Abasi është i mendimit se këtu fjala është për faljen e 5 namazeve të detyruara, kurse fjala “venhar!”-“pre kurban-flijo”, sipas tij ka për qëllim flijimin në ditën e kurban-bajramit.
Disa nga dijetarët, si Katadeja, Ikrimja dhe Atau, kanë thënë se këtu fjala është për faljen e namazit të kurban-bajramit, pas të cilit pason urdhri për të prerë kurban.
Dihet se para shpalljes së fundit hyjnore, ishte traditë e idhujtarëve që gjatë tavafit rreth Qabesë, t’u luteshin idhujve duke fishkëlluar dhe duke ecur lakuriq.
Pastaj, për hir të tyre, flijonin kurbanë të ndryshëm, që gjoja të arrinin bekimin e tyre. Shumë prej dijetarëve, duke u nisur nga këto tradita të mbrapshta të idhujtarëve, konsiderojnë se ky ajet: Andaj, ti falu për hir të Zotit tënd dhe pre kurban! është një urdhër i qartë se namazi–lutja duhet të jetë vetëm për Allahun, Krijuesin e botëve, sikur edhe flijimi-sakrifica që duhet të bëhet vetëm në emër të Tij, ku besimtari bashkon sinqeritetin me besimin, duke besuar bindshëm se Allahu është Një dhe i pashoq, dhe se vetëm Ai meriton flijimet tona.
Në lidhje me këtë porosi hyjnore kemi edhe një ajet tjetër kuranor, kur Pejgamberi a.s. porositet nga i Lartrmadhërishmi me fjalët: “Thuaj: namazi im, kurbani (flijimi) im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!
Ai nuk ka shok (të barabartë me Të).
Me këtë jam i urdhëruar dhe jam i pari (që i nënshtrohem Vullnetit të Tij si) musliman” (El-En’am, 162-163)
22. Përgëzim për Pejgamberin, alejhi selam, se ai do të ngadhënjente ndërsa armiqtë e tij do të pësonin disfatë të plotë.
23. Allahu, xhele shanuhu, e urdhëroi të Dërguarin e Tij dhe krejt ymetin që të jenë të kujdesshëm për namazet dhe për flijimet e tyre, që ato të bëhen vetëm në emër të Allahut dhe të askujt tjetër, sepse në adhurime duhet të ketë sinqeritet, sidomos gjatë namazit dhe flijimit.
24. Prej këtyre dhuntive të shumta që i janë premtuar Muhammedit, alejhi selam, pa dyshim është edhe kroi apo lumi i Kevtherit në Xhennet, nga ujët e të cilit do të shuajë etjen çdo pjesëtar i ymetit të tij.
25. Nderimi dhe fisnikërimi i Pejgamberit, alejhi selam nga ana e Allahut, xhele ve ala, ku i bëhet me dije Resulullahut se Allahu e kishte zgjedhur nga mbarë njerëzimi që të ishte bartës i Shpalljes, dhe se për të ishin përgatitur të mira të pakufishme, si në këtë botë ashtu edhe në Ahiret

Përmblodhi dhe përshtati;
Hoxhë Suad Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 576