Të dashur lexues…
Jemi përpara një sezoni të bekuar, një dhuratë madhështore që Allahu i Lartësuar ia dhuron robërve të Tij: dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe. Ato janë ditë të shenjta, të dalluara dhe të begata, në të cilat veprat e mira janë më të dashura te Allahu dhe shpërblehen më shumë sesa në çdo kohë tjetër të vitit. Kjo periudhë përfshin ditën e Arafatit dhe përfundon me ditën e Kurban Bajramit, dy nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit islam.
- Vlera e madhe e dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes në Kuran
Allahu i Madhëruar betohet në fillim të sures el-Fexhr:
“وَالْفَجْرِ، وَلَيَالٍ عَشْرٍ”
“Pasha agimin, dhe netët e dhjeta!” (el-Fexhr: 1-2)
Shumica e dijetarëve të tefsirit, siç transmeton Ibn Kethiri dhe të tjerë, kanë thënë se netët e dhjeta i referohen pikërisht dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes, sepse në to bashkohen shumë nga adhurimet më madhështore: namazi, agjërimi, sadakaja, haxhi dhe dhikri.
Dijetarët kanë sqaruar se kur Allahu betohet për diçka, Ai e bën këtë vetëm për gjëra që kanë një vlerë shumë të madhe dhe rëndësi të lartë për jetën dhe shpëtimin tonë.
- Vlera e tyre në Sunetin e Pejgamberit ﷺ (paqja qoftë mbi të)
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura te Allahu se sa në këto dhjetë ditë.”
Thanë: “As xhihadi në rrugë të Allahut?”
Tha: “As xhihadi, përveç një njeriu që doli me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk u kthye me asgjë (sepse u flijua tërësisht për hir të Allahut).”
(Transmeton Buhariu/969)
Ky hadith e tregon qartë vlerën dhe pozitën e lartë të këtyre ditëve. Ato janë një mundësi e artë për çdo musliman që dëshiron të fitojë mëshirën, faljen dhe kënaqësinë e Allahut.
- Dita e Arafatit – kulmi i mëshirës dhe shpëtimit
Ndër këto dhjetë ditë, veçohet dita e nëntë, Dita e Arafatit, një nga ditët më të mëdha të vitit. Për ata që nuk janë në haxh, Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë për agjërimin e saj:
“Agjërimi i ditës së Arafatit shpresohet që Allahu të falë mëkatet e vitit të kaluar dhe të atij që vjen.”
(Transmeton Muslimi/1162)
Ndërsa për ata që ndodhen në haxh, ajo është dita më madhështore, dita kur Allahu zbret në qiellin më të afërt dhe u thotë me krenari melekëve:
“Shikoni robërit e Mi, të parregullt, të pluhurosur e të lodhur, që kanë ardhur nga çdo skaj për hirin Tim. Bëhuni dëshmitarë se Unë ua kam falur atyre!”
(Transmeton Ahmedi/ 7089)
- Veprat e preferuara në këto ditë
Duke qenë se këto ditë janë më të dashura te Allahu, atëherë është e udhës që besimtari t’i shfrytëzojë ato maksimalisht me vepra të mira:
a) Agjërimi, veçanërisht dita e Arafatit.
b) Dhikri, përmendja e Allahut
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Shtoni në këto ditë tehlilin (la ilahe il-lAllah), tekbirin (Allahu ekber) dhe tahmidin (elhamdulilah).”
(Transmeton Ahmed/ 5446)
Muslimanët zakonisht fillojnë të thonë tekbirët e lartësuar me zë të lartë pas çdo namazi farz, nga sabahu i ditës së Arafatit deri në ikindinë e ditës së tretë të Kurban Bajramit.
c) Leximi i Kuranit dhe istigfari janë gjithashtu vepra që nuk duhen lënë pas dore.
d) Sadakaja dhe ndihma ndaj të varfërve në këto ditë ka shpërblim të shumëfishtë.
e) Therja e kurbanit – për ata që kanë mundësi, është një nga veprat më të pëlqyeshme tek Allahu.
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka therur vetë dy kurbane dhe ka nxitur umetin ta ndjekë këtë traditë të Ibrahimit (alejhis-selam).
- Ato janë ditët që përmbajnë kulmin e Islamit
Në këto ditë ndodh Haxhi shtylla e pestë e Islamit. Ndodh dita e Arafatit ku u plotësua feja jonë, siç është përmendur në Kuran:
“Sot jua përsosa fenë tuaj, dhe e plotësova dhuntinë Time ndaj jush, dhe zgjodha për ju Islamin si fe.”
(El-Maide: 3)
Ky ajet madhështor zbriti pikërisht në ditën e Arafatit, në fushën e saj të shenjtë.
- Disa këshilla për çdo besimtar në këto ditë
Zgjohu herët, fal namazin e sabahut në xhemat, e pastaj ulu për t’u angazhuar me dhikër e lexim Kurani.
Agjëro kur të mundesh, e veçanërisht në ditën e Arafatit.
Shpeshto lutjet, sepse këto janë ditë të pranuara dhe të bekuara.
Fale me përkushtim çdo namaz, mos le namaz me xhemat në këto ditë!
Bëj mirësi ndaj familjes, fqinjëve dhe të varfërve.
Andaj të dashur vëllezër dhe motra, jetojmë në një kohë ku jeta po kalon me shpejtësi, dhe shumë gjëra na shpërqendrojnë nga ajo që është e përjetshme. Por Allahu në mëshirën e Tij na jep stacione ku mund të pastrojmë shpirtin tonë dhe ta freskojmë besimin tonë e një prej atyre stacioneve janë pikërisht këto dhjetë ditë.
Mos i humb këto ditë! Mos le të ikin pa një agjërim, pa një tekbir, pa një istigfar, pa një vepër të sinqertë për Allahun! Sepse ndoshta këto janë dhjetë ditët që do të përcaktojnë jetën tënde të përhershme në xhenet.
Allahu na dhëntë sukses t’i shfrytëzojmë këto ditë siç e meriton madhështia e tyre!
Ve Selamu Alejkum!
Hoxhë Emin Sadiki
27/05/2025
