Në këtë ditë madhështore, në këtë kulm të mëshirës hyjnore – Dita e Arafatit – zemrat e devotshme ngrihen drejt qiellit me shpresë dhe lot. Është dita kur lutjet nuk kthehen bosh, kur mëkatarët pastrohen dhe mëshira përhapet më shumë se në çdo ditë tjetër.
Imam el-Euzai – Allahu e mëshiroftë – tregonte për gjeneratat e mëparshme dhe thoshte:
“Kam arritur njerëz që i fshihnin nevojat e tyre posaçërisht për Ditën e Arafatit, që t’ia kërkonin Zotit në atë ditë.”
Nuk e kërkonin ndihmën nga njerëzit, as nuk e nxirrnin ankthin përpara krijesave – por e ruanin, si një thesar të çmuar, që ta hapnin vetëm në Ditën e Arafatit, përpara Zotit të gjithësisë.
Ndërsa Abdullah ibn Mubareku, na përshkruan një pamje prekëse:
“E pashë Sufjan Theurijun në mbrëmjen e Arafatit, i ulur në gjunjë, me sytë që i derdhnin lot. E pyeta: Kush është më i keqi në këtë turmë të madhe?
Ai tha: Ai që mendon se Allahu nuk do t’i falë.”
O ti që ke nevojë, o ti që e ndjen barrën e mëkateve, o ti që e dëshiron mëshirën dhe pranimin: mos e humb shpresën! Kjo është dita kur Allahu u përgjigjet atyre që e lusin, dhe e ngre faljen më lart se çdo gabim.
Ngriti duart! Largo çdo mendim pesimist! Mos shiko askënd tjetër përveç Zotit tënd. Dije se po i lutesh Atij që gëzohet kur e kërkon, që e do kur i afrohesh, që fal mëkatet edhe sikur të jenë si shkuma e detit.
Lutu me zemër të mbushur me shpresë, sepse është Dita e Arafatit – dita kur Zoti i gjithësisë zbret në qiellin e dynjasë dhe i thotë engjëjve: “Çfarë kërkojnë robërit e Mi?”
Lutja më e mirë, siç ka thënë i Dërguari i Allahut është:
“لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَحْدَهُ لَا شَرِيكَ لَهُ، لَهُ الْمُلْكُ وَلَهُ الْحَمْدُ، وَهُوَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ”
“Lā ilāhe illā Allāhu vahdehū lā sherīke leh, lehul-mulku velehul-hamdu, ve Huve ‘alā kulli shej’in kadīr.”
“Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një është dhe pa shok, Atij i takon sundimi dhe falënderimi, dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo gjë.”
Mos e humb këtë ditë! Shfrytëzoje me lutje, falje, dhikër dhe pendim. Sepse ndoshta është dita kur jeta jote ndryshon përgjithmonë…
Hoxhë Agim Bekiri
05/06/2025
9 Dhul-Hixhes 1446
