“Nëse ndonjëri prej vëllezërve tuaj ndryshon dhe bën ndonjë mëkat, mos e braktisni dhe mos e përçmoni. Këshillojeni me këshillën më të mirë dhe bëni durim ndaj tij. Sepse vëllai ndonjëherë rrëshqet, e ndonjëherë rregullohet.”
Ebu Derda r.a. (Hiljetul-Eulija’ – Ebu Nuajm
Në këtë thënie të Ebu Derdas – një prej sahabëve më të devotshëm dhe më të urtë të Pejgamberit ﷺ – na hap një dritare të rrallë në artin e ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore mbi baza të dashurisë, durimit dhe mëshirës. Kjo nuk është vetëm një këshillë për miqësinë, por një ftesë për të qenë robër të Allahut që i përjetësojnë vlerat e faljes dhe mirëkuptimit në shoqëri.
Gabimi nuk e shuan vëllazërinë
Në një shoqëri ku mëkati shpesh shndërrohet në arsye për përjashtim dhe përçmim, Islami na mëson të mos e përdorim mëkatin si vegël ndarjeje, por si mundësi ndërtimi. Nuk ka njeri pa mëkat. Edhe vetë Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Çdo bir i Ademit është mëkatar, por më të mirët e mëkatarëve janë ata që pendohen.”
(Tirmidhi)
Ebu Derdaja r.a. nuk thotë: “Largohuni nga ai që ka mëkatuar”, por: “Mos e lini dhe mos e përçmoni”. Sepse largimi i të mirëve nga mëkatari është dënim i dyfishtë për të: një herë nga mëkati i vet dhe një herë nga vetmia. E kjo vetmi shpesh e çon njeriun më thellë në mëkat.
19/07/2025
