Na ndajnë vetëm disa orë nga përfundimi i një viti prej jetës së njeriut, prej kohës dhe minutave të tij.
Njeriu i mençur dhe largpamës qëndron në reflektim, duke menduar thellë:
Si kaloi ky vit? Si mbaroi dhe u konsumua?
Ai ndalet e bën llogari me veten:
– Si ishte marrëdhënia ime me Zotin tim?
– Si ishte sjellja ime me të tjerët: me prindërit, gruan, fëmijët, të afërmit, mësuesit, shokët, fqinjët, ata që kam neglizhuar apo ata që më kanë qëndruar besnikë?
Besnikëria është e madhe dhe e rrallë. Kush të ka qëndruar besnik, ji edhe ti i tillë me të – më e madhja është besnikëria në kohë përçarjeje, apo pas vdekjes.
Le të kërkojë dhe të zbulojë të drejtat e të tjerëve – qofshin ato materiale apo shpirtërore – pa ndikuar dëshirat personale apo justifikime të kota. Sa shumë të drejta janë humbur dhe harruar, ndërsa disa prej pronarëve të tyre ende presin që ai t’ua kthejë ato…!
Le të ndalet tek ngjarjet e vitit që kaloi, duke nxjerrë mësime dhe këshilla.
Le të pyesë veten:
– Çfarë bëra për fenë dhe umetin tim?
Duke përkujtuar ata që dhanë gjithçka nga koha, pasuria, jeta dhe gjaku i tyre – në krye të tyre është i Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të), shokët e tij dhe ata që i pasuan në çdo fushë të mirësisë dhe udhëzimit.
Cilat janë projektet e tua? Në cilën portë të dobisë po shërben ti?
Përgatitni për veten vepra shpëtimtare prej tmerrit të vdekjes, prej agonisë, shtypjes së varrit, urës së Siratit dhe rrëshqitjes në të.
Krijoni për veten lëmosha dhe vakëfe të vazhdueshme, derisa të takoni Zotin tuaj në xhenet dhe begati.
Disa sqarime të rëndësishme:
Nuk ka ndonjë argument të saktë në Sheriat që çdo njeri ka një “fletë vjetore të veprave” që fillon në fillim të vitit dhe përfundon në fund.
Nuk ka ndonjë udhëzim të veçantë për të bërë vepra të mira posaçërisht në fillim apo fund të vitit, përveç nëse përputhen me adhurime të zakonshme, si agjërimi.
Nuk ka ndonjë lutje të caktuar në Sheriat për fillimin apo fundin e vitit. Por është në rregull të thuhet ndonjë lutje e përgjithshme si: “O Allah, bëje këtë vit vit mirësie, suksesi…”
Nuk ka ndonjë tekst të saktë që uron vitin e ri islam, por nëse njerëzit luten për njëri-tjetrin me lutje të përgjithshme, nuk ka ndalesë. Imam Ibn Haxheri e ka përkrahur këtë, dhe është mendim i shafive, ndërsa disa të tjerë e kanë ndaluar. Mosmarrëveshja buron nga pyetja: a është kjo adhurim, apo zakon?
Nuk ka në Sheriat ndonjë urdhër që njeriu të kërkojë falje në mënyrë të posaçme nga të tjerët në fund të vitit.
Ruajtja dhe përdorimi i kalendarit hixhri është çështje fetare, sepse ai është i lidhur me kalendarin hënor për të cilin Islami ka lidhur shumë dispozita. Kjo është një identitet islam dhe një veçanti me të cilën myslimani duhet të ndjehet krenar. Ky ishte edhe synimi i sahabëve. Ndërsa kalendari gregorian është i lidhur me fenë e të krishterëve dhe civilizimin e tyre.
Së fundi:
Rendi, organizimi dhe vendosja e objektivave janë sekreti i suksesit. Ndërsa rrëmuja dhe mungesa e qëllimeve është rruga drejt dështimit.
Cili është plani dhe projektet e tua për vitin 1447 H?
Nga lutjet që janë transmetuar për hyrjen e muajit:
(O Allah, fute këtë muaj për ne me siguri dhe besim, me paqe dhe Islam, me mbrojtje nga shejtani dhe me kënaqësinë e Mëshiruesit)
(O Allah, sjelle atë me siguri, besim, paqe, Islam dhe me sukses drejt asaj që Ti e do dhe e pëlqen. Zoti im dhe Zoti yt është Allahu – një hënë e së mirës dhe udhëzimit).
Shkruar nga:
Fehd bin Jahja el-Amari
Gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Mekë
Përktheu në shqip: Hoxhë Agim Bekiri
25/06/2025
29 Dhul-Hixhe 1446
