Një vit i tërë ka kaluar me hapa të shpejtë, për të na larguar nga dynjaja dhe për të na afruar me ahiretin. Na largon nga vendi i veprës dhe na afron te vendi i shpërblimit.
Imam Buhariu transmeton në Sahihun e tij nga Aliu – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili ka thënë:
“Dynjaja është nisur duke u larguar, dhe ahireti është nisur duke ardhur, dhe secila prej tyre ka bijtë e saj. Andaj bëhuni prej bijve të ahiretit dhe mos u bëni prej bijve të dynjasë. Sepse sot është ditë e veprës pa llogari, ndërsa nesër do të jetë llogari pa vepra.”
Një vit i tërë përfundon, dhe njerëzit ndahen në qëndrime të ndryshme: disa janë të gëzuar për largimin e tij, ndërsa të tjerë të trishtuar.
I burgosuri gëzohet kur ikën një vit, sepse kjo e afron me lirinë e tij.
Dikush tjetër gëzohet sepse viti që kaloi e ka afruar me qëllimin dhe synimin e tij më të lartë.
Ndërsa të tjerë pikëllohen për largimin e tij, sepse ai vit ka përmbyllur një etapë nga jeta e tyre, i ka afruar me afatin e tyre dhe me çastin e fundit – një moment që nuk e dinë se ku do t’i çojë: në Xhenet apo në zjarr. Ata kanë frikë për çfarë kanë depozituar në të nga veprat e tyre.
“Ditën kur çdo njeri do të gjejë të sjellur para vetes gjithçka të mirë që ka bërë, po ashtu edhe çdo të keqe, dhe do të dëshirojë që të ketë pasur një largësi të madhe ndërmjet tij dhe saj.”[Ali Imran: 30]
Çdonjëri prej nesh duhet të ndalet dhe të mendojë mirë në fund të vitit:
Çfarë ka përgatitur për botën tjetër?
Çfarë ka bërë për të ndihmuar fenë dhe umetin e tij?
Sa është përpjekur për të shërbyer shoqërisë dhe për të sjellë dobi për vëllezërit muslimanë?
Të pasurit dhe njerëzit e bizneseve bëjnë llogari të hollësishme në fund të vitit: sa kanë fituar, sa kanë humbur, sa kanë shpenzuar dhe sa kanë kursyer. Humbësi kërkon shkaqet e humbjes që t’i shmangë në të ardhmen, kurse fitimtari përpiqet ta zhvillojë tregtinë për të arritur më shumë fitime.
E ne jemi më të merituarit që të bëjmë llogari të gjatë me vetveten sesa tregtarët me pasurinë e tyre!
Duhet të shohim se çfarë kemi bërë në vitin që shkoi dhe çfarë kemi përgatitur për vitin që vjen, duke vepruar sipas fjalës së Zotit tonë të Lartësuar:
“O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe le të shohë çdo njeri çfarë ka përgatitur për nesër. Dhe kini frikë Allahun! Vërtet, Allahu është i Dijshëm për atë që punoni.”
[Hashr: 18]
Muslimi transmeton në Sahih-un e tij nga Ibn Shimase el-Mehri, i cili thotë:
“Ishim të pranishëm tek Amr ibnul Asi, në momentet e fundit të jetës së tij. Ai qante shumë dhe kishte kthyer fytyrën nga muri. Djali i tij filloi t’i thoshte:
– O babai im! A nuk të ka përgëzuar Pejgamberi ﷺ për këtë e për këtë?
(Po e përkujtonte për lajmëtimet e mira që kishte marrë nga i Dërguari i Allahut ﷺ).
Atëherë Amri u kthye me fytyrën nga ne dhe tha:
– Vërtet, më e mira që kemi përgatitur është dëshmia se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.
Kam kaluar në tri gjendje (tri etapa në jetë):
Kam qenë në një gjendje ku nuk kishte askush që e urrente më shumë Pejgamberin ﷺ sesa unë, dhe nuk doja asgjë më shumë sesa ta kisha nën dorë për ta vrarë! Po të kisha vdekur në atë gjendje, do të isha banor i Zjarrit.
Pastaj, kur Allahu e vuri Islamin në zemrën time, shkova tek Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “Zgjate dorën tënde që të të jap besën!” Ai zgjati dorën, por unë e tërhoqa dorën time.
Ai më tha: “Çfarë ke, o Amr?”
I thashë: “Dua të vendos një kusht!”
Tha: “Çfarë kushti do të vësh?”
I thashë: “Që të më falet çfarë kam bërë më parë.”
Ai më tha: “A nuk e di se Islami i shlyen të gjitha mëkatet e mëparshme, edhe hixhreti (migrimi për hir të Allahut) i shlyen të mëparshmet, edhe haxhi i shlyen mëkatet para tij?”
Pastaj nuk kishte askënd më të dashur për mua se Pejgamberi ﷺ, dhe asnjë më madhështor në sytë e mi. Dhe nuk isha në gjendje ta shikoja drejtpërdrejt në sy, nga madhërimi që ndjeja për të.
Po të më kërkonit ta përshkruaja, nuk do të mundesha, sepse nuk e shikoja dot me shikim të plotë.
Po të kisha vdekur në atë gjendje, shpresoja të isha prej banorëve të Xhenetit.
– Pastaj erdhëm në një gjendje ku morëm përgjegjësi të mëdha (nënkupton qeverisjen e Egjiptit), dhe nuk e di si do të jetë përfundimi im në to!”
Më pas tha:
– Kur të vdes, mos më shoqëroni me vajtime dhe zjarre (siç bëjnë disa nga traditat injorante).
– Kur të më varrosni, hidhni mbi mua dheun ngadalë, dhe qëndroni rreth varrit tim aq kohë sa të theret një deve dhe të ndahet mishi i saj, që të më ofroni shoqëri e mbështetje, derisa të më vijnë melekët e Zotit dhe të shoh se me çfarë do t’u përgjigjem atyre.”
Në tregimin e këtij sahabi shfaqet qartë vlera e vetëllogaritjes, e cila është:
që njeriu, në mbrëmje, të shqyrtojë e të kontrollojë veprat që ka bërë gjatë ditës së tij. Nëse ato janë të lavdëruara, i miraton dhe i pason me të tjera të ngjashme.
E nëse janë të qortueshme, përpiqet t’i përmirësojë nëse ka mundësi, dhe të largohet prej tyre në të ardhmen.
Dita e nesërme është afër, dhe Dita e Kiametit është e sigurt dhe e pashmangshme. Njeriu do të qëndrojë para Allahut, pa asnjë dyshim, dhe Allahu – i Lartësuar dhe i Madhëruar qoftë – do ta marrë në llogari dhe do ta pyesë për atë që ka bërë në këtë jetë.
Prandaj, më mirë për njeriun është që ta marrë në llogari veten e tij para se të merret në llogari, ta peshojë vetveten para se t’i peshohet ajo, dhe ta përgatisë përballjen me Allahun e Madhëruar.
Sepse zemra pastrohet dhe rregullohet përmes vetëllogaritjes, ndërsa prishet dhe sëmuret kur neglizhohet dhe kur njeriu i jep liri dëshirave të saj.
Shumë nga sahabët dhe paraardhësit e devotshëm e kushtonin vëmendjen më të madhe vetëllogaritjes në besimin e tyre dhe në kohën e tyre.
Ibn Ebi Mulejke – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:
“Kam takuar tridhjetë nga shokët e Pejgamberit ﷺ. Të gjithë kishin frikë për veten nga hipokrizia, dhe asnjëri nuk thoshte se është në besimin e Xhibrilit dhe Mikailit.”
(Transmetuar nga Buhariu në Sahihun e tij, me zinxhir të saktë, në mënyrë të varur/mu’al-lak)
Ibn Mesudi – Allahu qoftë i kënaqur me të – ka thënë: “Nuk jam penduar për asgjë më shumë sesa për një ditë që ka perënduar dielli i saj, e afroi afatin tim, ndërsa unë nuk shtova në të asnjë vepër.”
Hasanië Basriu – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Kam takuar njerëz që kujdeseshin për kohën e tyre më shumë sesa kujdeseni ju për arin dhe argjendin tuaj.”
Prandaj, kushdo që e kalon ditën e tij: pa e shpenzuar në të drejtën,
apo pa kryer ndonjë detyrë,
apo pa arritur ndonjë lavdi,
apo pa marrë ndonjë lëvdatë,
apo pa themeluar ndonjë të mirë,
apo pa përvetësuar ndonjë dituri –
atëherë ai e ka tradhtuar ditën e tij dhe i ka bërë padrejtësi vetes së tij dhe ditës së tij!
27/06/2025
