Nuk janë të rrallë njerëzit që marrin nofka sipas punës që bëjnë, por janë shumë të rrallë ata që nofkat e tyre lidhen me moralin dhe bukurinë e shpirtit të tyre.
Njëri prej tyre ishte hafidh Muhamed ibn Mejmun, rahimehullah, një nga dijetarët e hadithit, të cilin e gjejmë të përmendur në veprën e pavdekshme “Sijer A’lami’n-Nubela” të imam Dhehebiut.
Imam Dhehebiu thotë për të:
“Nuk ishte sheqershitës, por u quajt ‘Sukerij’ (i Sheqerti) për shkak të ëmbëlsisë së fjalëve të tij.”
SubhanAllah! Çfarë nderi! Të mos mbash në duar sheqer, por të jesh i njohur për sheqerin e gjuhës tënde – për butësinë, urtësinë, mirësinë e komunikimit, që i ngrohte zemrat dhe i afronte njerëzit te Allahu.
Çka mësojmë nga kjo histori?
Në një botë ku fjala e rëndë është bërë normale, ku fyerjet janë të shpejta dhe durimi është i rrallë – është kohë e artë të jesh ‘i she1qertë’!
Ji njeri që kur flet: zemrat qetësohen, shpirtrat gjejnë dritë dhe mllefet treten si bora nën diell.
Pejgamberi ﷺ na mësoi: “Fjala e mirë është sadaka.” (Buhariu dhe Muslimi)
Gjithashtu ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të thotë fjalë të mira ose le të heshtë!” (Buhariu dhe Muslimi)
Nëse nuk ke pasuri, dhuro fjalë të mira.
Nëse nuk ke mundësi të ndihmosh me dorë, ndihmo me buzëqeshje.
Nëse nuk mund të ndryshosh botën, ndrysho fjalët që thua çdo ditë – sepse fjalët janë pasqyra e shpirtit.
25/06/2025
