Ka raste kur ajo që duket si mirësi, në të vërtetë është sprovë e fshehur.
Lavdërimi i njerëzve mund të jetë helm i ambalazhuar me lule. Nëse zemra mbushet me kënaqësinë e duartrokitjeve, fillon të jetojë për syrin e botës dhe harron syrin e Allahut.
Mbulimi hyjnor i mëkateve nuk është aprovim, por afat për pendim. E vërteta është se Allahu mbulon mëkatet që robi të ketë kohë për t’u kthyer, jo që të vazhdojë me guxim në to.
Mirësitë e vazhdueshme nuk janë gjithmonë shenjë dashurie. Ndonjëherë, ato janë forma e “istidraxh” – tërheqja graduale drejt ndëshkimit, teksa robi e ndien veten të sigurt e të paprekshëm.
سَنَسْتَدْرِجُهُم مِّنْ حَيْثُ لَا يَعْلَمُونَ﴾ [ الأعراف: 182]
“…dalëngadalë Ne do t’i shpiem drejt shkatërrimit, pa e kuptuar”
Ajo që injoranti e sheh si nder, është në të vërtetë shenjë ndëshkimi. Kurse zemra e zgjuar nuk gëzohet vetëm kur i vijnë mirësitë, por dridhet dhe pyet: A është kjo mirësia e dashurisë së Allahut apo sprova që po më tërheq drejt vetëshkatërrimit?
Ibn Kajjimi, me urtësinë e tij të thellë, thotë:
“Sa e sa njerëz janë të sprovuar nga lavdërimi i njerëzve, të mashtruar nga mbulimi i Allahut për mëkatet e tyre dhe të tërhequr gradualisht drejt shkatërrimit me anë të mirësive të Tij. Të gjitha këto janë ndëshkime dhe poshtërime, por injoranti i konsideron si nderime.”
Nëse nuk ka falënderim, pendim e përulësi – çdo mirësi është sprovim.
Ndaj, jeto i vetëdijshëm, jo i mashtruar.
14/07/2025
Agim Bekiri
