“ولم أرَ في عيوبِ الناسِ شيئاً
كنقصِ القادرين على التمام”
“Asnjë mangësi tek njerëzit s’më është dukur më e rëndë se kur të aftët s’e çojnë punën deri në fund.” Abu Tajib al-Mutenebbi
Në një botë që vuan më shumë nga heshtja e njerëzve të mirë sesa nga zhurma e njerëzve të këqij, poeti arab gjenial, el-Mutenebi, na jep një pasqyrë që e zgjon ndërgjegjen: gabimi më i madh nuk është paaftësia, por dorëzimi i atij që mundet.
Ky varg poetik, nuk është poezi për dekorim, është si një goditje e fuqishme në ndërgjegjen e atyre që e dinë hakun, kanë dijen, kanë mundësinë, kanë pozitën, por nuk veprojnë.
Thuhet se kur ish-presidenti francez Georges Pompidou e dëgjoi këtë varg për herë të parë, u ndal i shtangur dhe tha: “Ky është njeriu që ka kuptuar thelbin e dobësisë njerëzore.” Madje e vari këtë varg të përkthyer mbi makineritë ushtarake françeze si porosi për gjeneralët:
“Mos u bëni nga ata që mundin, por nuk duan.”
Kjo nuk është thjesht një porosi rasti, porse është një ligj moral universal: kush është i aftë, mban përgjegjësi më të madhe.
Këto vargje poetike na detyrojnë të ndalemi dhe të pyesim veten:
– A jemi duke e përmbushur atë që dimë dhe mundemi?
– A jemi duke heshtur nga frika, nga rehatia, apo nga mungesa e guximit për ta përfunduar atë që kemi nisur?
Nuk ka gjysmë përfaqësimi në të vërtetën. Apo gjysmë guximi në përballje me padrejtësinë.
Nëse mund të ndikosh dhe nuk e bën, je pjesë e problemit. Nëse mund të flasësh dhe hesht, je mbështetës i padrejtësisë. Nëse ke dritë brenda teje dhe nuk e ndez për të tjerët, e ke mbyllur shpirtin tënd në errësirë.
Kjo është drama e kohës sonë: mungesa e reflektimit të plotë nga njerëzit që kanë potencial të jashtëzakonshëm, dhe pa dyshim se dështimi i të aftëve është dështimi i shoqërisë!
Le të kthehemi tek vetja dhe të matemi ku jemi?!: A jemi duke jetuar sipas potencialit tonë? Apo vetëm sipas rahatllëkut tonë?
A po e lëmë punën e mirë përgjysmë nga lodhja, zhgënjimi apo mungesa e përkrahjes?
Jo çdo betejë duhet fituar që të jetë e lavdishme. Por çdo betejë duhet luftuar me dinjitet. Sepse Zoti nuk na e kërkon fitoren, por përpjekjen e ndershme.
Nëse je i aftë, je i thirrur
Nëse ke dije, ajo është përgjegjësi.
Nëse ke zë, ai është borxh për të vërtetën.
Nëse ke pozitë, ajo është amanet, jo privilegj.
Nëse ke mundësi, mos e le pa e përfunduar.
Sepse, tha el-Mutenebbi:
“Nuk kam parë në të metat e njerëzve diçka më të shëmtuar se mangësia e atyre që janë të aftë për me sosë punë por dorëzohen dhe nuk e përfundojnë”
Përshtati:
Mr- Hoxhë Nusret Ramadani
13/07/2025
